24 orë në Kopenhagë

Në pranverë rizgjohen instiktet, rrjedhimisht edhe dëshira për të ndryshuar vendndodhje, ndaj nëse keni menduar të udhëtoni, bëni gati valixhet dhe nisuni për në Kopenhagë! Edhe nëse do të jetë një udhëtim i shkurtër, besojmë se për 24 orë mund të shikoni më të mirën që ofron kryeqyteti danez. Kafenetë më të mira, muzeumet dhe peizazhet fantastike: të gjitha i gjeni në Kopenhagë.

Ora 7:00 – 8:00

Niseni mëngjesin si duhet me një kafe dhe kanelsnegle në një prej kafeterive të zonës. Elegance ju sugjeron që të shkoni në Royal Palace dhe ndërkohë që shijoni kafen dhe ëmbëlsirën, do të mrekulloheni nga arktitektura përreth, nga parqet plot gjelbërim dhe nga ajri i freskët. Nga Royal Palace mund të shikoni kishën Marble, Operan e kryeqytetit dhe parkun Amaliehaven.

Supports text, HTML tags, JS code and video embed code

Ora 8:00 – 9:00

“Kisha e Shpëtimtarit Tonë” është destinacioni i radhës. 400 shkallë prej druri ju dërgojnë drejt një pamje të mrekullueshme të Kopenhagës, në 360o. Arkitektura ju shpaloset para syve dhe do të përjetoni një eksperiencë që padyshim do ta vlerësoni shumë.

Ora 9:00 – 10:00

Pasi të keni shijuar një mëngjes të këndshëm, vijoni me turin nëpër qytet. Vizitoni së pari parkun e Churchill, më pas kishën Alban dhe shatërvanin Gefion. Përpara syve do t’ju shpaloset çdo trajtë e arteve pamore dhe stilit: art dekorativ, modë, tekstile, dizanje digjitale dhe një ndërthurje magjepsëse mes tradicionales dhe futuristikes.

Ora 10:00 – 11:00

Nuk duhet të mungoni në Muzeun e Design-it, pasi është mënyra ideale për të mësuar më shumë rreth kulturës daneze dhe historisë së dizanjit në Kopenhagë dhe nëpër botë. Banorët e kryeqytetit skandinav i adhurojnë dizanjet madhështore, ndaj do të gjeni forma të ndryshme të ideve shumë kreative, të cilat janë formësuar në Muzeun e Design-it.

Ora 11:00 -12:00

Nëse jeni të fiksuar pas mitologjisë, Kopenhaga është vendi i duhur, për të qenë më konkretë, muzeu “The Glyptotek”, i cili ndodhet në zemër të kryeqytetit dhe i referohet artit egjiptian, romak dhe atij grek. Korridoret shumëngjyrëshe, statujat e perëndive dhe kryeveprat e mitologjisë nuk kishin si të mungonin në një kryeqytet që e do artin.

Ora 12:00 – 13:00

Por edhe shpirtrat kuriozë kanë nevojë të ushqehen, ndaj pasi të jeni mahnitur nga Muzeu Digjital, mund të shijoni një drekë të shijshme dhe të shëndetshme. Ju sugjerojmë të provoni smorrebrod, tashmë traditë jo vetëm e restoranteve, por edhe e rrugëve të Kopenhagës dhe është një sandwich i pasur me përbërës të shëndetshëm dhe për më tepër, përgatitet përpara jush.

Ora 13:00 – 14:00

Pasi keni shijuar një sandwich që do t’ju mbetet gjatë në memorie, mos humbisni kohë dhe drejtohuni për nga “Tage Andersen Boutique”, ose siç e quajnë vendasit “Pylli Magjik”. Jo më kot është pagëzuar me këtë emër, sepse në fakt ka pak nga të gjitha: luan rolin e një hapësire arti, njëkohësisht muze, do të gjeni pak nga natyra dhe botanika e artistit Tage Andersen. Ky pyll është një thesar i paçmuar në zemër të Kopenhagës.

Ora 14:00 – 15:00

Kur jeni në Kopenhagë, silluni si danezë!
Paraprakisht, ju bëjmë me dije se në rrugët e Danimarkës mbretërojnë biçikletat, të cilat mund t’i merrni me qira në pika të ndryshme. Vizitoni qytetin mbi 2 rrota dhe pedaloni drejt qendrave tregtare. Një vizitë në “Fisketorvet” nuk bën asnjë dëm, ndaj mos harroni të merrni me vete një suvenier.

Ora 15:00 – 16:00

Pasi të keni mbaruar blerjet, pedaloni sërish drejt Nokken, një komunitet i cili është ndërtuar vetë që prej vitit 1930. Fuqia e Natyrës është e paimagjinueshme, ndaj nuk mund të bëni gjë tjetër veçse të pranoni superfuqinë e saj duke parë një numër të pamatë kopshtesh dhe gardhesh, të krijuar nga dora e Natyrës.

Ora 16:00 – 17:00

Nuk ka rëndësi sa e re është ndërtesa, danezët dinë të jenë mjeshtrat e arkitekturës dhe të sjellin kryevepra kurdoherë. “Black Diamond” është destinacioni i radhës dhe në fakt, është një librari që e çon relaksin në një tjetër nivel, në atë ujor. E quajtur “Diamanti i Zi”, ndërtesa përbëhet nga xhami i zi pasqyrues dhe ofron ndjesinë e luksit dhe atmosferën e qetë të një librarie.

Ora 17:00 – 19:00

Kopenhaga i servir mrekullisht të gjitha kuzhinat, por i jep rëndësi edhe kulinarisë të saj. Në “Ol & Brod” do të gjeni një menu të pasur me gatime tradicionale dhe shije fantastike. Për më tepër, çdo pjatë e servirur shkon me birrën tradicionale, e cila duhet provuar patjetër.
Nëse nuk ju pëlqen alkooli, “Ol & Brod” nuk ju zhgënjen, ofron pije pa alkool dhe pa gluten.

Ora 19:00 – 20:00

Nëse jeni ende të uritur për art, Muzeu Kombëtar ju ushqen me ekspozita, workshop-e, koncerte, madje edhe performanca kontemporane. Gjithmonë dinamik dhe i ndryshueshëm, Muzeu i përshtatet të gjithë danezëve dhe çdo vizitori.

Ora 20:00 – 22:00

Të gjithë turistët, nga i gjithë globi, janë mahnitur nga mrekullia e kopshteve Tivoli, të cilat ofrojnë jo vetëm më të mirën e çdo stine, por edhe një mori restorantesh dhe muzikë live. Të përshtatshëm për çdo shije, për aventurierët, por edhe për fëmijët, kopshtet Tivoli ju dhurojnë një përvojë shumë ndryshe.

Ora 22:00 – 00:00

“Bastard Café” ju qetëson pas turit tuaj në Kopenhagë. Përpos kapuçinos perfekte, “Bastard Café” ofron edhe lojëra të ndryshme, të cilat do t’ju zgjojnë nostalgjinë ose kuriozitetin. E nëse ju pëlqen arredimi i kafenesë më të famshme në Danimarkë, qëndroni sepse pas mesnatës do të dëshmoni një shndërrim total. Nga kafeneja me lojëra, në një pub me muzikë elektrizuese.