Ylli i Dinastisë

Joan Collins, ylli legjendar është imazhi seksi për bizhuteritë e Alexis Bitter 2010 dhe po përgatitet për rolin e saj të parë në pantomimën më të madhe dhe të famshme angleze, Dick Whittington.

 “Joan Collins është për ne një ikonë mode dhe elegance. Ka në Shqipëri me mijëra adhurues.” Kështu i thamë në emër të revistës Elegance aktores së madhe duke përgatitur shkrimin kryesor për numrin e shtatorit. Dhe pavarësisht sukseseve të tjera domethënëse në jetën e saj, Joan Collins nuk i shpëton dot imazhit të karakterit që luajti për më shumë se një dekadë tek Dinastia, me të cilin vulosi famën e saj botërore: Alexis Carrington.
Ka me të vërtetë diçka madhështore rreth Joan Collins. Ndaj dhe roli i saj i fundit si mbretëreshë, nuk mund të jetë i vështirë për të, ndonëse kjo e fundit është Mbretëresha Miushe në pantomimën angleze me famë botërore Dick Whittington. Megjithëse jemi larg nga Hollywood, “ajo do jetë sa e keqe aq e pamëshirshme”, thotë aktorja për rolin e saj të fundit.
Dhe sigurisht, që Joan Collins di më mirë se kushdo tjetër si të jetë e keqe, pasi ka qenë mishërimi i shtrigës në rolin e Alexis Colby Carrington tek Dinastia, njëri nga serialet më të famshme televizive të të gjtha kohërave. Miliona shikues prisnin çdo javë të shikonin Alexis hakmarrëse se si manovronte me mjeshtëri skemat e saj të ndërlikuara për pushtet, para dhe dashuri, rol për të cilin Collins fitoi edhe një Golden Globe. Sot, duke u përgatitur për rolin e saj të parë në një pontomimë, aktorja thotë: “Mendoj se gjithmonë duhet të përdoresh diçka nga vetja për rolet që luan. Të them të vërtetën, gjithmonë kam preferuar të luaj një karakter të fortë. A do luante Kristel Carringtonin te Dinastia? Do ta kisha urryer atë rol”.
Që kur është shfaqur në filmin e saj të parë kur ishte 18 vjeç në vitin 1951, Collins nuk ka qenë asnjë vit e shkëputur nga skena. Ka luajtur në më shumë se 60 filma, me aktorët e mëdhenj Richard Burton, Bing Crosby, Bette Davis dhe Paul Newman, në dhjetëra seriale televizive dhe shfaqje teatri si në West End në Londër, ashtu edhe në Broadway, New York. “Puna është ajo që më mban, sepse pa punë do mërzitesha jashtë mase. Por nuk është se tani punoj gjithë kohën”, -thotë aktorja që e kalon jetën në tre qytete, Londër, New York dhe jug të Francës.
Puna është ajo që më mban, sepse pa punë do mërzitesha jashtë mase.
Collins nuk ka ndërmend ta ndryshojë rrjedhën e jetës së saj dhe as ka simpati për aktoret në moshë që vetëm ankohen për mungesën e roleve. Ndonëse cliché, është e vërtetë që për aktoret në moshë nuk ka role. Aktoret mbi të 40-at e kanë thënë këtë gjithmonë. Publiku do të shikojë të rinj, sepse janë të rinjtë ata që frekuentojnë kinematë, thotë ajo. Por këtë duhet ta pranojmë si një të vërtetë të jetës.

Supports text, HTML tags, JS code and video embed code

Joan Collins Look

Sa për pamjen e jashtme, nga Larry King tek Sharon Stone mendojnë se ajo është 77-vjeçarja më e mbajtur në botë dhe që me stilin e saj të Dinastisë ka influencuar sot firmat më të mëdha në botë si Balmain.
Ndonëse është në moshë, Joan Collins habitet se pse njerëzit çuditen kur një grua mbi të 50-at duket e bukur dhe seksi. Sot, në moshën 77 vjeçare ajo është imazhi i firmës së njohur amerikane për bijoux Alexis Bittar, një rekord ky për marketingun. Fotografitë e saj për fushatën promovuese Alexis for Alexis 2010 tregojnë se si mund të jesh seksi në çdo moshë.
Zonja Collins pranon se e gjithë puna është se si të bësh që çdo moshë të të vijë natyrshëm. “Në fakt, unë nuk lë asgjë që më pëlqen pa shijuar – ha çokollata, biskota dhe bajame; pi verë dhe nganjëherë edhe vodka martini. Por trupin tim e kam trajtuar si të ishte makinë, duke i dhënë naftën më të mirë të mundshme, kujdesin dhe mirëmbajtjen e duhur.”
Dhe duket se për pamjen ajo është edhe eksperte, sepse librat e saj The Joan Collins Beauty Book dhe The Art of Living Well kanë qenë bestsellers. Ajo thotë, se ato që e mbajnë janë disiplina dhe kontrolli mbi porcionet. Dhe e pranon që jeton shumë mirë, ka tre fëmijë dhe tre nipër e mbesa, punon, udhëton dhe jeton e lumtur me burrin e  saj, Percy Gibson. Duket se pas pesë martesash, e ka gjetur lumturinë me Percy Gibson, një menaxher teatri ku Collins jepte shfaqje, është 32 vjet më i ri se ajo. Çifti u martua ne vitin 2002.
Ndonëse është e divorcuar disa herë nga aktorët Maxwell Reed dhe Anthony Newley, nga producenti i muzikës Ron Kass dhe nga këngëtari suedez Peter Holm, Collins në fakt është në favor të martesës dhe jo të bashkëjetesës. “Mendoj që është më mirë kështu. Unë preferoj më mirë të them ‘burri im’, se përndryshe çfarë do thuash? Ai që jeton me mua? I dashuri im? Sigurisht që unë kam bërë gabime, por isha 18 vjeç kur u martova për herë të parë, çka ishte shumë qesharake. Por gjithçka ka mbaruar tani dhe unë nuk jetoj me të kaluarën”.
Në fakt, ajo pranon që është optimiste dhe që nuk e lë veten të mërzitet apo dëshpërohet. “Kam një qëndrim tepër pozitiv për jetën dhe për të jetuarit. Motoja ime është ‘vazhdo përpara’.”