Agnesa Vuthaj: “Jam e lumtur”

Ku ndodheni tani dhe me çfarë po merreni?
Momentalisht që po shkruaj përgjigjet e pyetësorit tuaj, jam në avion. Në këtë periudhë jam e fokusuar në promovimin e linjës sime të çantave, dhe është një sezon i stërmbushur me aktivitete, evente, takime, konferenca.

Cili është vendimi më i mirë që keni marrë ndonjëherë?
Mendoj se kam marrë shumë vendime të mira në jetë. Isha vetëm 17 vjeçe kur zgjodha rrugëtimin në botën e së bukurës dhe mendoj që kam marrë vendimin e duhur. Sot falë eksperiencës vendore dhe ndërkombëtare që kam pasur ndër vite në fushën e modës dhe atë të spektakleve të bukurisë, udhëheq një biznes mode që po zhvillohet hovshëm. Pastaj, jeta çdo ditë të përballë me vendime dhe besoj që në jetë është shumë e rëndësishme të marrësh vendimin e duhur në momentin e duhur. Shpesh herë nuk është aspak e lehtë, dhe kur kam dyshime, zakonisht i besoj instinktit.

Supports text, HTML tags, JS code and video embed code

Kur e ndjeni veten më të lumtur?
Ndjehem e lumtur kur nis diçka të re në jetë, kur mbaroj me sukses një mision, kur jam në prani të familjes dhe miqve, kur udhëtoj në vende të reja, kur takoj njerëz të mirë, kur provoj një eksperiencë për herë të parë, kur jam mirënjohëse për jetën që kam.

Kur e ndjeni veten të trishtuar?
Kur zhgënjehem nga njerëz që iu kam besuar.

Çfarë nuk do kishit hedhur kurrë poshtë?
E kam të vështirë të largoj gjëra dhe raporte nga jeta ime. E kam të vështirë të hedh poshtë një gjësend që mbase nuk e përdor, por gjithashtu nuk heq dorë lehtë nga një miqësi që edhe mund të më ketë zhgënjyer në momente të caktuara. Nuk do të hidhja poshtë asnjë punë për të cilën kam punuar shumë kohë, edhe pse nuk jap rezultat në kohën e duhur, prapë nuk dorëzohem.

Kë doni më shumë?
E dua familjen time, veten, punën që bëj. Pastaj të gjithë ata që më rrethojnë, me të cilët zgjedh të kaloj kohë dhe t’ju dhuroj shumë dashuri.

Cila është ajo gjë për të cilën do të thoshit: nuk do ta bëj kurrë?
Nuk do të mashtroja asnjëherë.

Cili është mëkati më i madh për ju?
Të zgjedhësh të jetosh një jetë duke bërë mëkate, e konsideroj të jetë mëkati më i madh me të cilin do ta dënosh fillimisht veten, e pastaj të tjerët dhe ambientin ku jeton.

Cila është blerja juaj e fundit?
Një dhuratë datëlindjeje.

Cili është qëllimi i jetës?
Të sjell gëzim te sa më shumë njerëz.