Super stacioni i ALBtelecom kthen për herë të parë bregdetin e Fierit në një skenë të vërtetë argëtimi.

Plazhi i Darëzezës është kthyer në një atraksion të vërtetë turistik mbrëmjen e së hënës, pas investimeve në infrastrukturë nga ana e Bashkisë së Fierit. Jo vetëm plazh, por edhe muzikë e shumë argëtim e bënë këtë mbrëmje vere tepër të veçantë për qytetarët e Fierit e zonave përreth. Një natë e menduar ndryshe nga organizatorët, dedikuar jo vetëm pushuesve por edhe disa prej bizneseve të zonës që patën mundësi të promovonin shërbimet e tyre në formën e një panairi. ALBtelecom mbështeti promovimin e këtij destinacioni turistik që i shtohet si një zonë mjaft tërheqëse, dhe lehtësisht e aksesueshme për qytetarët e Fierit dhe zonave përreth. Tradita e promovimit të turizmit dhe ofrimi i argëtimit për qytetarët  u spostua këtë herë nga qendra e qytetit drejt plazhit më të frekuentuar të bregdetit të Fierit.

Një ndërthurje e muzikës dhe argëtimit ku u ofrua muzika më e mirë shqiptare, me Super Stacionin dhe të ftuar specialë grupin West Side Family dhe Era Rusin dhe shumë elementë të tjerë argëtues e bënë këtë natë ndër mbrëmjet më argëtuese të këtij sezoni.

Investimi në infrastrukturën e rrugës Fier- Darëzezë në veçanti dhe për zonën turistike të plazhit Darëzezë nga ana e Bashkisë Fier e ka kthyer këtë të fundit në një destinacion shumë interesant dhe të vizuar nga pushuesit.