Arata Isozaki: Arkitekti post modernist

I njohur për “lojën” me format, ngjyrat e gjeometrinë, arkitekti japonez është i gatshëm për të transformuar hapësirat private dhe ato publike. I mëshon  filozofisë së post modernizmit, me një gamë projektesh mbresëlënëse në mbarë botën. Njihuni me godinat dhe projektet që mbajnë firmën e Arata Isozaki

Projektet  e tij kanë shumë elemente intrigues. Ai konsiderohet si një arkitekt që i takon postmodernizmit, dhe kjo duket se nuk ka qenë kurrë pengesë në rrugëtimin e tij të hartës së punimeve arkitekturore, të cilat kanë zaptuar hapësira  publike. Format gjeometrike, strukturat asimetrike, loja e bukur me detajet e jashtme të fasadave të xhamit, si një kontakt i drejtpërdrejtë me natyrën, bën që modelet e tij të qenësishme të jenë simbol i palëkundur i principeve që ai ndjek në stilin dhe mënyrën e të punuarit.  Ndërsa, godinat apo ndërtesat e realizuara prej tij, evoluojnë vit pas viti, pasi çdo themel i projektit të japonezit të talentuar ruan funksionalitetin, përtej afeksionit estetik.

Pallati i Sportit Sant Jordi, Barcelonë, Spanjë
Me hapësira të mëdha të dedikuara për të gjitha zhanret sportive, arkitektura e veçantë e kësaj godine, e rendit atë në një nga projektet më të mira të arkitektit japonez. Me struktura alumini dhe betoni, pjesa më grishëse e të gjithë projektit është kupola, e cila gërsheton element thellësisht teknik të stilit evropian, për t’u etiketuar si dëshmi absolute e arkitekturës moderne.

Nagi, Muzeu i Artit Bashkëkohor, Japoni
Multifunksionale, me auditor të shumtë dhe salla arti. Struktura e saj vjen si kombinim i trefishtë, i godinës me ngjyrë vishnje të errët, atë në nuancë gri dhe strukturën në formë cilindrike. E gjithë godina është e pozicionuar në një vend që ofron peizazh panoramik. Fleksibiliteti i dukshëm, përmes strukturave të betonit dhe aluminit ndan zona të ndryshme të këtij muzeu, duke siguruar komoditet në çdo kënd të saj.