Pasionet, ëndrrat dhe talentet e çdokujt prej nesh janë shtysa më e madhe, e cila na formëson dhe na çon përpara. Një histori e bukur suksesi është pikërisht ajo e Bleri Dervishit, i cili ka nisur rrugëtimin e tij me një synim të qartë: të bëhet një super chef i talentuar dhe të ndërthurë traditën dhe modernen për të dhuruar një shije të mahnitshme, krejtësisht të re dhe nostalgjike njëkohësisht. Elegance ka intervistuar Blerin, chefin e “Gzonës” për t’u njohur më shumë me zanafillën e pasionit të tij, arritjet profesionale dhe planet për të ardhme.

Si lindi pasioni për kulinarinë? Cila është shtysa më e madhe që të orientoi drejt kuzhinës?

Supports text, HTML tags, JS code and video embed code

Pasioni për kulinarinë lindi që prej fëmijërisë, kur së bashku me gjyshen time përgatisja vaktet e ndryshme për lopër, për të vijuar në Itali, në restorantin ku punonte ime më. Çdo pasdite kaloja për të parë, dëgjuar dhe mësuar nga shefi i kuzhinës, i cili për mua ishte një nga mësuesit më të rëndësishm, pasi më mësoi ABC-në e kuzhinës.
Duke qenë një tip shumë kurioz, i cili i adhuron sfidat, për mua kërkimi, krijimi, mahnitja dhe impakti që mund të kenë pjatat e mia te të tjerët, është pika kulmore e lumturisë.

Si nisi karriera jote? Mund të na tregosh “disfatat” dhe “triumfet” e një shefi të ri?
Karriera ime nisi duke ndihmuar mamanë time në larjen e enëve dhe kështu zgjodha të regjistrohem në institutin e “Chianciano Terme”, një shkollë së cilës i detyrohem kaq shumë, pasi më dha mundësi të vazhdoj në rrugën time dhe të ndërmarr këtë profesion me shumë seriozitet dhe të bëhem i suksesshëm në karrierën time.
Falë Zotit, deri tani nuk kam përjetuar disfata. Siç u them përherë atyre që më pyesin, triumfi nuk është të fitosh një trofe apo medalje, por të pëlqehesh për atë që bën dhe t’i mahnitësh klientët me pjatat e tua.

Një zgjedhje shumë e zgjuar nga ana jote ishte padyshim “turi” në të gjithë Italinë, duke mësuar shumë mirë kuzhinën e veçantë italiane. Ishte ky një vendim i rastësishëm apo i mirëmenduar?
Kjo ishte një zgjedhje, sepse unë mendoj se për të krijuar diçka, për të përgatitur pjatat, duhet të njihesh me traditën, kulturën, përbërësit; pra, është një studim dhe hulumtim i vazhdueshëm, pa të cilin nuk mund të kalosh në një tjetër nivel.
Sërish, edhe sot, përpiqem të udhëtoj sa më shumë të mundem, për të mësuar kaq shumë “sekrete të reja”, pasi është kultura ajo që të bën të ecësh përpara.

Cila ka qenë pjata jote e parë dhe cili ka qenë reagimi i klientëve?
Pjata ime e parë ishte byrek me domatë dhe qepë, e risjellë në mënyrë moderne dhe reagimi ishte spektakolar. E ke parasysh kur shijon diçka dhe papritas rikthehesh pas në kohë dhe mendon për gatimin e gjyshes tënde, por në të njëjtën kohë të serviret një pjatë e përgatitur në një mënyrë krejt të re? Nuk e di se çfarë të thuash dhe thjesht mahnitesh! Ishte i njëjti reagim.

Gjatë karrierës tënde ke vizituar shumë shtete dhe shumë kultura. Cilën do të veçoje për kuzhinën unike?
Kultura dhe kuzhina që më pëlqen dhe më frymëzon është ajo japoneze. Sigurisht, muza ime është edhe toka ime e dytë, Italia, e cila më ka mësuar gjithçka dhe më ka formuar profesionalisht dhe personalisht.

Pas të gjitha shteteve ku ke marrë eksperiencën ndër vite, pse zgjodhe pikërisht “të lëshosh rrënjë” në Shqipëri?
Zgjodha të rikthehem në Shqipëri, sepse më tërheq pafund, por edhe ndjeva se kishte ardhur koha për të bërë diçka për kombin tim, për të sjellë një koncept të ri i cili ka të bëjë me evolucionin e kuzhinës tradicionale shqiptare dhe për ta prezantuar kulinarinë tonë në të gjithë botën.

Gjithmonë përpiqesh të servirësh teknika inovative në kuzhinë. Si i ndërthur këto me traditën e “Gzonës”?
Siç thashë, qëllimi im është që të sjell progres në traditën shqiptare, duke shfrytëzuar teknikat bashkëkohore dhe duke shtuar elemente modern, pa e humbur konceptin dhe shijen e traditës.
Në radhë të parë, pjata duhet të shijojë, e më pas të jetë e bukur nga ana estetike.
Në “Gzona” analizojmë çdo përbërës përpara se ta bëjmë pjesë të menusë, sepse është shumë e rëndësishme të kuptohet struktura e tij, përbërja dhe mënyra si i shërben estetikës.
Tradita e kuzhinës shqiptare është nën “kërcënimin” e formave të reja dhe moderne të konsumimit. Gjyshja ime ka patur më shumë kohë për t’u marrë me gatimin, ndërsa sot kjo kohë është shumë më e kufizuar dhe përdoret edhe për aspekte të tjera të jetës. Por dëshira për traditën mbetet, qoftë si nostalgji për personat në moshë të pjekur, qoftë si kuriozitet për të rinjtë.
Gjithashtu, e kërkojnë edhe turistët e huaj që gjithmonë e më tepër vizitojnë Tiranën dhe Shqipërinë. Në këta tre muaj kemi ofruar në mënyrë inovative, midis të tjerash, edhe jufkat, specat me gjizë, byrekun me qepë e domate, flinë, përsheshin, koranin, bakllavanë, etj dhe klientët i kanë pëlqyer. Por kemi ende pa elaboruar pastërmanë, japrakun, qifqitë, etj.
Ndërkohë, çdo muaj, ne përdorim përbërës të veçantë, sipas stinës përkatëse. Kemi përdorur për shembull gështenjën e Tropojës apo putarkën e qefullit të Nartës. Midis këtyre do të përzgjedhim edhe ndonjë gatim që do të përfshihet në menunë e përhershme ose të paktën të stinës.

E ardhmja nuk mund të parashikohet, por ne mundohemi të bëjmë një planifikim të saj. Cilat janë planet e tua për të ardhmen?
Jemi ende në muajin e tretë të “Gzonës” te Kalaja e Tiranës që është edhe projekti i parë i “Albanian Food and Hospitality Lab”. Synimi kryesor më i afërt është konsolidimi i këtij projekti. Duam që brenda 2020, “Gzona” të jetë një nga zgjedhjet më kryesore të kujtdo shqiptari që do të zgjedhë një restorant të mirë në Tiranë si dhe të bëhet një “must” për çdo të huaj që viziton Tiranën.
Në 2021 e më tej, pse jo “Gzona” tek Pazari i Korçës, apo “Gzona” tek Lungomare e Vlorës, apo “Gzona” në Pedonalen e Shkodrës, apo “Gzona” kudo. Por edhe në Tiranë pse të mos të kemi edhe “Gzona Street Food”.

Leave A Comment

Your email address will not be published.

error: Content is protected !!