Fjodora Fjora, fenomenale!

Përpara se të lexoni këtë intervistë duhet ta dini se nuk është aspak një intervistë klishe, sepse në fokus është Fjodora Fjora dhe ajo nuk është kurrë një klishe. E pasur me art, dëshirë për të bukurën dhe një jetë tejet interesante, gazetarja tashmë kult në vendin tonë, na rrëfen jetën e saj e cila shpaloset në disa prizme.
Prej kohësh Fjodora vetëm rrezaton dhe kur i referohemi kohës, e dimë se ajo është e aftë të fshijë dhe të harrojë, por kjo nuk vlen aspak për Fjodorën. E paharrueshme, chic, fine dhe gjithmonë e kuruar, Fjodora vjen në një rrëfim shumë të sinqertë, ku sfidat e prindërimit me Teon e vogël, arti, kultura që e frymëzon, si dhe planet në biznes dhe karrierë zenë vend në faqet e Elegance, për t’ju prezantuar një Fjodorë krejt ndryshe.

Një “bestfreind” si Fjodora

Prej shumë vitesh të shohim në ekran, të kemi ndjekur në biseda e debate publike, ke qenë prezent në jetën kulturore të vendit dhe pa frikë mund të themi se je gazetarja “par excellence” e artit me programin tashmë kult “Chic”. Sa “chic” është Fjodora jashtë kuadratit të “Chic”?
Unë ju jam thellësisht mirënjohëse për komplimentin e mësipërm, kam bërë me shumë pasion që ditën e parë profesionin e gazetares dhe shpresoj ta kem merituar atë. Sa i përket “Chic” besoj se këtë emër ja kam vënë emisionit fiks ashtu si ndihem vetë. Më pëlqen aq shumë edhe për faktin se këtë titull më ka ndihmuar ta gjej një njeri që më njeh shumë mirë dhe që më do shumë. Sensi i elegancës dhe i detajeve fine në gjërat që bëj më ka karakterizuar përgjatë gjithë jetës, që fëmijë, dhe me vjen natyrshëm. E dua të bukurën, eleganten, artin, detajet. Ndaj dhe jam një peshore pasionante që e reflekton këtë në çdo gjë që bën. Për mua të qenurit Chic nuk është demonstrim i luksit dhe butaforisë. Për mua, meqë mbetemi tek e mrekullueshmja gjuhë franceze nga buron edhe fjala, nëse më thua “Tres Chic” më ke bërë komplimentin më të mirë të mundshëm.

Supports text, HTML tags, JS code and video embed code

Ta drejtojmë këtë pyetje sepse kur ndjek rrjetet e tua sociale duket se bën një jetë dedikuar së bukurës, por në takimin tonë njohëm një Fjodorë shumë të përkushtuar ndaj miqve, familjes, programit e biznesit. Si e ndan personin publik nga jeta private?
Po, qëndrojnë të dyja shumë mirë. Nuk e ndaj dot të bukurën tanimë si pjesë organike të qënies time. Por kjo nuk ka pse të më bëjë mua një njeri sipërfaqësor. Unë kam një imazh të cilin duhet ta përdor në respekt të publikut që më ndjek dhe më vlerëson si një personazh që vjen nga bota e televizionit. Sigurisht në fillimet e karrierës kam mësuar se në radhë të parë në punën time, është imazhi ai që ndiqet, dhe më pas përmbatja. Kështu është televizioni, magjia e tij dhe në të njëjtën formë funksionojnë edhe rrjetet sociale deri diku.
Por përtej imazhit, jeta ime është shumë intensive. Kam punuar shumë fort për të qënë këtu ku jam sot, në fushën e gazetarisë. Jam specializuar dhe në fushën e marrëdhënieve me publikun falë një bashkëpunimi të gjatë prej më shumë se 13 vitesh me Tirana Bank, apo dhe Coca-Cola aktualisht. Por edhe shumë projekte freelance dhe bashkëpunime me kompani të ndryshme. Duke qënë se familja ime prej më shumë se 22 vitesh jeton në Greqi, miqtë e mi kanë qënë familja ime e dytë ndaj ata kanë një vend të rëndësishëm në jetën time. Sigurisht me djalin ka një tjetër organizim, dita ime, jeta ime. Ndërsa për fat të mirë sa i përket biznesit atë e ndaj me një prej mikeshave të mija më të afërta, me të cilën ndajmë të njëjtin pasion dhe dëshirë për të bërë një gjë ekstra, veç profesionit tonë. Ajo vjen nga bota e financës dhe manaxhimit, unë pjesën e marketingut dhe PR, por shpesh na gjen edhe duke larë pjatat apo duke shërbyer në restorantin tonë “Nama Sushi” dhe s’e kemi aspak problem të jemi me këmbë në tokë dhe ta harrojmë shpesh edhe faktin e të qenurit person publik. Në fund të fundit kjo është Shqipëria, dhe kjo jam unë.

Meqënëse jemi tek miqtë, duket se je nga ato vajza që ruan raporte afatgjata dhe solide me miqtë e mikeshat, e kjo është evidente edhe nga mënyra si u referohesh nëpër biseda. Çfarë lloj shoqeje e konsideron veten dhe sa shpesh je surprizuar apo edhe zhgënjyer nga miqësitë?
Jam një person shumë social, i hapur dhe i drejtpërdrejtë. Kam miq, por ata të vërtetët që më pranojnë dhe më duan, që kanë arritur të më njohin vërtetë numërohen me gishta. Pikërisht për këtë jam me shumë fat, sepse si unë, si ata jemi aty për njëri-tjetrin kur duhet. Mund të rri pa folur me miket e mia të ngushta apo të flasim pafund, jemi po aq mirë më njëra-tjetrën. Sigurisht, ka ulje e ngritje si në çdo marrëdhënie. Por kam kuptuar me moshën se njerëzit që na zhgënjejnë nuk mungojnë asnjëherë. Ka njerëz të kotë kjo shoqëri me tonelata. Njerëz bosh, sipërfaqësorë, xhelozë, nga ata që të ngjiten se duan nje copëz nga ty, apo duan të bëhen si ty, por nuk munden dhe pastaj ikin po ashtu si erdhën pa lënë gjurmë. Sapo arrij ta kuptoj se kam të bëj me një të tillë ndërpres çdo lloj komunikimi menjëherë. Nuk ka vend për energji negative në jetën time.
“Meqë jemi të rritur dhe kemi tanimë mundësinë të zgjedhim vetë, unë zgjedh njerëzit me shpirt të bukur”.

Një femër në të gjitha etapat e jetës përballet me meshkuj të ndryshëm, të cilët influencojnë në jetën e saj. I ke ndryshuar apo të kanë ndyshuar meshkujt e jetës tënde, e kemi fjalën jo vetëm ata të raporteve sentimentale, por edhe figura prezente në jetën tënde?
Kam dhënë dhe kam marrë. Në jetën sentimentale më shumë i kam ndryshuar, për këtë jam shumë e sigurtë. Jam natyrë imponuese me inteligjencë dhe dashuri dhe të gjithë ata që më rrethojnë e dinë se zakonisht jam e sinqertë në zgjedhjet që bëj, besoj tek ato, ndaj dhe më ndjekin apo i pranojnë sugjerimet e mia. I them gjërat që nuk më pëlqejnë, kërkoj, bëhem tolerante, pres, dëgjoj dhe dua me të vërtetë. Nëse personi përballë nuk ndryshon atëherë është thjesht çështje kohe që secili të shkojë në rrugën e tij. Por edhe unë jam e hapur për të ndryshuar, nëse kjo nënkupton një ndryshim për mirë. Kam patur meshkuj të cilët më kanë ndryshuar, qoftë në jetën time apo profesion. Më kanë dhënë mundësi, unë i kam vlerësuar. Më kanë mbështetur, ju kam qenë mirënjohëse. Më duan pa kushte, dhe unë jua kam kthyer 10 herë më shumë; këtu hyjnë dhe ata prezentët, meshkujt e përjetshëm të jetës time, djali, vëllai, im atë, “my golden boys”

Fjodora, super mami!

Padyshim një nga meshkujt më të rëndësishëm të jetës sate është Alteo, vogëlushi shumë i talentuar e i shkathët, i cili ka pasion pianon, ndjek seancat e notit dhe e ka ndryshuar jetën tënde në shumë drejtime. Le të flasim pak për marrëdhënien tënde me Teon e vogël. Si është raporti yt me dëshirat, pasionet dhe kapriçot e një 6-vjeçari shumë energjik?
Pothuajse 6-shtë, në shtator do e fikim këtë qiri. Me shpresën se do vijë dhe pak qetësi bashkë me të! Është një sfidë që nuk mbaron kurrë, që më përball çdo ditë me një të re që nuk e kisha hasur më parë. Dhe unë deri më tani nuk e dija cilat janë limitet e një prindi. Di vetëm që dashuria kapërcen çdo gjë dhe kufij kur bëhet fjalë për Alteon. Bëj çdo ditë një kompromis të vogël me të, duke u përpjekur të rritet me tolerancë dhe të jetë social me të tjerët. Sigurisht është një fëmijë i vetëm, dhe të gjithë ata prindër që kanë vetëm një fëmijë e dinë se është e vështirë shpesh për ta që të ndajnë gjërat me të tjerët. Është shumë inteligjent, përpjekjet e mia për ta futur në kursin e pianos apo në not kanë qënë shumë efikase, sepse kanë patur rezultate shumë të mira. Kapriçiove të tij refuzoj t’u përgjigjem, por nëse ndjej se janë kërkesa që kanë një bazë bëj çmos t’ja plotësoj ato. Si prind i vetëm, më duhet shpesh të bëj edhe “policin e mire” dhe atë “të keq”.
Por në fund, kur ai më thotë “mami unë të kam univers” çdo sakrificë merr kuptim. Unë jam e lumtur”.

Rritja e një fëmije të lumtur është një prej sfidave më të rëndësishme, njëkohësisht edhe më përmbushëse që një prind ndërmerr në jetë. Cilat janë sfidat e tua, të cilat mendon se duhet t’i kalosh patjetër?
Unë dua dhe do përpiqem me shpirt, dhe sfida ime më e madhe është të rris një fëmijë të lumtur. Nëse ja arrij kësaj, mendoj se kam hedhur një themel të fortë në të ardhmen e tij. Pastaj një tjetër sfidë është të ndikosh dhe të ndërtosh karakterin e një fëmije, sepse falë tij do arrijë të ndërtojë marrëdhëniet me të tjerët. Jam një njeri që besoj tek inteligjenca e lindur e cila forcohet duke e kultivuar dhe duke mësuar. Shkollimi i tij, mbështetja në zgjedhjet që do t’i duhet të bëjë në jetë, mendoj këto do të jenë sfidat e së ardhmes.

Cila është ajo gjë për të cilën ti nuk bën kurrë kompromis në lidhje me rritjen e Alteos?
Programi që ai ndjek në ditën e tij. Kam mësuar nga një mikeshë e imja shumë e mirë, mama e katër fëmijëve, se rutina është çelësi i artë për të rritur fëmijët. Alteo është një karakter shumë i gjallë, dhe mua më duhet të gjej mënyrën e duhur për të patur vëmendjen e tij. Një program i përditshëm na ka ndihmuar të dyve ta gjejmë ekuilibrin tonë në familje.

Nëse do të pyesnim Alteo nëse je e rreptë apo liberale, si do të përgjigjej?
Tolerante më së shumti, derisa kuptoj që duhet ndonjë reagim i rreptë dhe i prerë në lidhje me sjelljet e patolerueshme. Fëmijët duhet t’i kemi shokë, por me masë sepse është përgjegjësia jonë për modelin që ata do të ndjekin në jetë. Një prind duhet të jetë mbështetës, por duhet të ketë limite dhe të jetë i përgjegjshëm.

Telajot e Fjodora Fjorës

Duke marrë parasysh faktin që ti prej më shumë se një dekade drejton një program i cili i dedikohet plotësisht artit, normalisht arti ka ndërvepruar me ty, ndaj le të ndalemi pak te raporti yt personal me artin dhe gjinitë e tij. Sa vend zë arti në jetën tënde jashtë ekranit dhe larg programit?
Shumë, jam një njeri i apasionuar pas teatrit, artit figurativ, muzikës dhe thuajse çdo forme tjetër të artit skenik apo të performuar. Sigurisht në më të shumtën e rasteve më është dashur të ndjek shfaqjet dhe artistët nisur nga puna ime si gazetare e terrenit të kulturës, por kjo më ka ndihmuar të kultivohem, dhe të krijoj opinionin tim për të. Ndaj jashtë ekranit, ai mbetet forma më e mirë dhe cilësore për të mbushur jetën time. “Arti nuk është një gjë- është një mënyrë”, siç thotë dhe Elbert Hubbard.

Kemi zbuluar pasionin tënd mbi koleksionimin e veprave të artit dhe prezencën e 13 portreteve  në shtëpinë tënde, portrete që artistë të ndryshëm t’i kanë dhuruar gjatë viteve. Cilat janë gjinitë artistike që zgjojnë interesin tënd dhe ky zgjim është rezultati i një ndjesie fillestare gjatë kontaktit të parë me një vepër arti, apo është pasojë e një “studimi” të gjatë të veprës?
Është e vërtetë, kam qenë një muzë frymëzimi për shumë artistë të njohur të arteve pamore. Kam piktura dhe skulptura të ndryshme portrete të miat. Kjo ndoshta prej pasionit të madh që kam për to. Kam portrete nga Ali Oseku, Adrian Paci, Arben Bajo e shumë të tjerë. Me vitet kam mësuar edhe të koleksionoj dhe të riseleksionoj, kur shijet dhe njohuritë e mia janë përfeksionuar më pas. Nuk jam më njeriu që impresionohet nga shikimi i parë i një vepre arti, sidomos tek artet pamore. Më pëlqen të kuptoj punën, hulumtimin e brendshëm dhe rrugëtimin që e ka çuar artistin deri në realizimin e saj. Sot jemi në një kohë kur ngatërrohen banalitetet me artin modern, ndaj zbërthimi i një pune në bazë të procesit të ndjekur nga artisti na njeh me vlerat e vërteta.

Duke ndjekur programin tënd kemi zbuluar edhe dashurinë që ke për teatrin, pasi i kushton shumë vëmendje. Cila është përshtypja jote mbi këtë gjini artistike dhe si trajtohet në vendin tonë? Cili është qëndrimi yt mbi shembjen e ndërtesës historike të teatrit?
Unë jam diplomuar për regji skenike dhe teatri është baza ime. Në teatër më pëlqen shumë një brez i tërë aktorësh, nuk do mund të ndalesha në një emër. Them se në role të ndryshme, kam patur ndjesi të ndryshme. Ne punojmë shumë në teatër, sigurisht përpjekjet janë shumë shumë të mira. Kemi shfaqje që kanë një nivel artistik shumë të lartë, artistë të rinj premtues, regjisorë shqiptarë e të huaj që punojnë shumë. Siç edhe kemi dhe mjaft shfaqje komedi, apo më limonadë që gjithsesi kanë përmbushur një mision pozitiv, rikthimin e publikut në teatër.
Sa i përket shembjes personalisht jam kundër saj, jo në kuptimin politik, apo për të luftuar aty për ndonjë bindje të pakthyeshme, por për memorjen historike dhe kulturore. Do të doja që ajo të gjente një mënyrë të ekzistonte, por dhe shumë skena të reja moderne të hapen për t’ju dhënë mundësi artistëve. Çdo vend i botës që ka histori në kulturë ka ruajtuar dhe rikostruktuar objektet historike.

Do të ishte e tepërt të na rrëfeje artistin tënd të preferuar? Dhe do ishte akoma më e tepërt të na rrëfeje se si një artist mund të bëhet pjesë e programit “Chic”, çfarë të veçante duhet të ketë që “t’i bjerë në sy” një programi me të tilla përmasa dhe shikueshmëri?
Një e kam, që pata fatin ta takoja dhe jo ta intervistoja. Antonio Banderas, aktori im i preferuar, që e takova në Francë pak muaj më parë gjatë prezantimit të filmit autobiografik të Pedro Almodovar, rol të cilin ky regjisor me famë botërore nuk kish si të mos ja besonte atij, njëkohësisht edhe miku më i ngushtë. E takova, bisedova shkurt me të, i thashë që jam gazetare dhe bëmë së bashku dhe një fotografi që e mbaj ndër kujtimet e mia më të bukura.
Nuk besoj se emisioni im është një ndër ata që mund ta joshin, por pse jo ndoshta një ditë mund të ndodhë. Të njëjtën mbrëmje që unë e takova, ai ishte i ftuar në televizionin francez ku mbi 300 vetë duartrokisnin dhe ndër diskutimet për karrierën, ai u pyet edhe për situatën politike, krizën e emigrantëve e mjaft të tjera. Pra një person i cili të imponon adhurim dhe respekt.

Ti je diplomuar për regji teatri, a ke ambicie të realizosh një shfaqje tënden dhe nëse po, cila do të ishte tema apo subjekti të cilin do të trajtoje? 
Jo, e kam parë gjithmonë shkollën që kam ndjekur si rrugën e vetme për të më ndihmuar në marrëdhënien time me ekranin e televizionit. Por asnjëherë nuk kam patur joshjen për të performuar apo vënë diçka në skenë. Unë jam produkt i televizionit, gazetaria televizive mbetet pasioni im më i madh.

Business alla Fjodora!

Përpos programit që kërkon shumë dedikim, ti manaxhon edhe një restorant i cili servir ushqim aziatik. Çfarë do të serviret këtë vit në tryezat e klientëve, cilat do të jenë risitë dhe çfarë nuk duhet të provojmë patjetër në “Nama Sushi”?
Menuja e re sapo është prezantuar! Me stinën e verës shtohet larmia, sidomos e kombinimeve me peshk dhe perime. Por sushi është një lloj gatimi që nuk ndryshon shumë ndër vite, madje sekreti qëndron pikërisht tek qëndrimi rigoroz në mënyrën e përgatitjes dhe peshku i freskët.
Unë e adhuroj kuzhinën aziatike, aq sa një ndër pengjet më të mëdha që kam është që nuk kam shkuar ende në Japoni apo Kinë. Por kam qënë në Malajzi dhe Singapore dhe atje kam provuar forma të ndryshme të gatimit aziatik. Janë një botë krejt tjetër, shije tepër të forta dhe të rralla. Ne jemi më të europianizuar, sushi dhe gatimi i tij tanimë në Europë është më fusion. Megjithatë në bazë ka orizin dhe peshkun e gjallë, gjithçka pa gluten. Dhe nuk është e vërtetë se në Shqipëri ka pak restorante aziatike, madje numërohen në Tiranë mbi 15 të tilla në rast se nuk e dini, vetëm jo të gjitha kanë fituar besimin e klientëve.

“Nama Sushi” ka edhe një linjë simotër edhe në Kosovë. Do të kemi së shpejti një zgjerim të tij, cilat janë planet e tua për të ardhmen, lidhur me biznesin?
Po, jemi prej më shumë se një viti në Prishtinë dhe sapo kemi hapur edhe një të tretë në Golem në një prej resorteve më të mira për sezonin veror! “Cross fingers” dhe të urojmë që të ketë sukses, ne po bëjmë maksimumin tonë.

Një biznes është padisuktim një sipërmarrje shumë e rëndësishme, e cila kërkon shumë impenjim, por njëkohësisht të përmbush në arritjet personale. A i ka përmbushur “Nama Sushi” pritshmëritë e tua?
Po, padyshim. Sigurisht është një sipërmarrje e vogël, por e ndërtuar me dashuri dhe përkushtim të vazhdueshëm nga unë dhe ortakja ime, që siç e thashë është një nga shoqet e mia më të mira. Por, nuk duhet ta përkufizoj me fjalë të mëdha. Arritjet e mia personale janë në disa plane dhe ky është një aspekt ku mund të them me kënaqësi: “Po, ja dola!”.

Lifestyle i Fjodora Fjorës!

Ti i jep një rëndësi shumë të madhe ushqimit të shëndetshëm dhe vlerave që ne përfitojmë prej ushqimit të shëndetshëm, duke e alternuar edhe me sportin dhe aktivitetin fizik, duke u angazhuar me “CrossFit”. Përpos një fiziku për t’u patur zili, cilat janë benefitet që sporti të ofron?
Faleminderit, je shumë e mire, por unë them se për t’u patur zili është Jenifer Lopez për shembull, por ajo është pasuri botërore dhe ka disa trajnerë që punojnë për të. Unë kam Andi Fejzollin, për vete dhe për të gjithë ata që nuk reshtin së sfiduari veten tek “Tirana CrossFit”, ku çdo ditë kërkon maksimumin e vet. Unë do të doja të isha edhe pak më e dobët, por jam e kënaqur dhe kështu si jam. Fundja, e di mirë se ushqimi më pëlqen, dhe për mua definicioni i të ushqyerit shëndetshëm nuk është me gjethe, por me proteina, karbohidrate dhe gjithçka në masën e duhur. Dhe sporti të jep mundësinë të ushqehesh me ato që të pëlqejnë pa shumë keqardhje më pas. Por, vera e kuqe është tradhëtarja ime e ëmbël, që s’më lë të heq dy kile të shkreta. ?

Të kemi parë elegante dhe me shumë stil në çdo event, rrjetet e tua sociale janë të mbushura me foto ku shfaqesh tejet e kuruar, kombinime veshjesh fine dhe ke shërbyer si një influencë e rëndësishme e modës. Cili është mendimi yt mbi stilin, mundohesh të ndjekësh tendencat dhe trendet, apo të veshurit me stil është thjesht një “aftësi” të cilën e zotëron më së miri?
Unë vesh atë që më shkon, ndonjëherë edhe në minutën e fundit. Jam klasike dhe nuk rrezikoj shumë. Edhe kur blej tendencat e fundit, sigurohem të jenë të tilla që të zgjasin në kohë. Ka fustane në garderobën time që i jam rikthyer edhe pas 10 vitesh, e të duken po aq këndshëm. Falë Zotit fiziku është po ai dhe mjafton një aksesor ndryshe për të bërë diferencën. Më pëlqen të vesh gjëra të dizenjuara për mua. Së fundmi atelie “Tier” më ka krijuar mundësinë për të bërë diferencën me talentin dhe cilësinë e veshjeve. Pastaj ajo që unë e kam pikë të fortë janë aksesorët. Çanta, syzet, këpucët! “Aty, – thotë mamaja ime, – i ke lënë lekët”.

Ti je një nënë e përkushtuar, je një businesswoman, një mikeshë shumë e mirë dhe adhuruese e artit dhe një sërë aktivitetesh që e përmbushin ditën tënde. Gjykuar nga angazhimet e shumta, axhenda jote është tepër e ngjeshur, ndaj natyrshëm lind pyetja: Si e manaxhon kohën dhe si ia del të bësh gjithçka për 24 orë?
Mos më pyet, do të gënjeja nëse do të thosha që jam një natyrë e rregullt. Por një gjë e di mirë, funksionoj shumë mirë në organizimin tim të çorganizuar dhe duke qënë në shumicën e kohës pa orare fikse në punët e shumta që bëj, më del koha shumë mirë dhe për veten. Nëse do të thoja që jam me këtë apo atë rutinë ditore, do më vinte për të qeshur. Unë performoj shumë më mirë dhe me produktivitet nën presion, por një gjë është e sigurtë, më rreh çekan në vesh shprehja “punën e sotme mos e lër për nesër” and kështu vazhdon!

Femrat po punojnë çdo ditë e më fortë për të depërtuar thellë në shoqëri dhe për të lënë gjurmët e tyre në rrjedhën e historisë, duke operuar në prizme të ndryshme dhe duke bërë gjithnjë e më shumë progres në vendosjen e standardeve të reja, vendin që duhet të gëzojnë dhe kontibutin që ofrojnë në shoqëri, E konsideron Fjodora veten një feministe?
Jam, sidomos në një shoqëri si kjo e jona ku të drejtat e femrave dhe barazia mes gjinive konsiderohet shpesh një tabu. Mjaft më me injorancën që na ka mbajtur me kokën ulur në shoqëri, me dhunën e pamëshirshme në familje, me abuzimet seksuale! Femra shqiptare ka arritur të ketë vendin e saj në shoqëri dhë në familje, dhe ne duhet të qëndrojmë pranë njëra- tjetrës e të mbrojmë fort të drejtat tona. Nëse sheh një studim të thjeshtë do kuptosh se sa shumë është rritur numri i femrave të diplomuara dhe me poste të larta drejtuese në biznese shumë të fuqishme. Sa shumë është shtuar numri i divorceve të kërkuara nga femrat, me motivacion mospërputhje intelektuale. Vajzat shqiptare po e hapin me mund, ndonjëherë dhe me shumë dhunë, fatkeqësisht dhe me jetë të humbura, rrugën e tyre drejt barazisë. Unë vetë, ditën kur vendosa të kem një fëmijë e vetme, mora përsipër të thyej pikërisht një nga këto tabu që njerëzit dikur as i kalonin nëpër mend.

Çfarë të lumturon?
Im bir Alteo, dhe si e kam thënë gjithmonë gjëra të vogla, gjeste, fjalë, kur janë të bukura dhe të sinqerta.

Çfarë të frymëzon?
Jeta, është kaq e bukur dhe e shkurtër! Duhet ta jetojmë çdo moment. Deti, natyra…

Çfarë të trishton? 
Mosha e tretë, kushtet mjerane për ta në Shqipëri. Pamundësia për të krijuar kushte, strehëza sociale përkujdesjeje për ta.

Nëse do të kishe mundësi të ndryshoje diçka në jetën tënde, cila do të ishte ajo?
Do kisha pranuar atë propozimin për martesë që më erdhi kur isha 18 vjeç, kushedi ku do të isha tani. Bëj shaka, asgjë! Do të hiqja një mal me gjëra negative që kanë ndodhur në jetën time, po ku do të ishte e bukura nëse nuk e kuptojmë dot kurrë sa forcë kemi të luftojmë?

Fotografia: Armand Habazaj, Rosita Habazaj