Fryma impresioniste e Violeta Kongos

Mes disa mesazheve qartësisht të lexueshme, dhe të tjerave që dalin përmes dimensioneve të fshehura në krijimet artistike, ajo i mëshon funksionit parësor të artit, me copëza kujtimesh të cilat seleksionohen mjeshtërisht nga vet piktorja. Në veprat e Kongos, krijohet lidhshmëria ndërmjet spektrit vetjak dhe realitetit, ndjenjave me motive nga jeta e përditshme si edhe një seri simbolesh që ajo i përcjell në telajo, krejt artistikisht. Në çdo prezantim të ri të krijimeve, ajo sjell aspektin estetik sa më frymëzues, plot perspektiv dhe me detaje të përfunduara në gjuhë sa më të përsosur. E tërhequr gjithnjë nga figura njerëzore, kjo e fundit është fokus absolut në thuajse gjithë punimet e saj. Ato të kujtojnë gjithçka, nga sakrificat tek dashuria, dhe çdo gjë tjetër të prekshme si pjesë e realitetit dhe përditshmërisë sonë. Dëshira për të mos i ikur realitetit dhe për të krijuar një tjetër të brendshëm, atë të vetvetes, e shtyn Violeta Kongon, në krijimin e një ekspozite me plot krijime të veçanta, ku portreti femëror nuk është vetëm çështje frymëzimi, por stereotip ideal i brishtësisë, elegancës dhe amësisë.