Inva Mula: “Fondacioni Kultor Shqiptar Hi Classic, një sipërmarrje familjare”

Si ka ardhur te ju ideja e krijimit të një Fondacioni kulture, apo shtysa a zanafilla e tij? Dhe çfarë nënkupton një ide e tillë?
Po e nis nga fundi: si ide, do ta përmblidhja me dy fjalë: me nevojën për përkrahje, me një dorë a një krah që ofrohet në çaste vështirësie, sidomos në nisje të një karriere, e cila domosdo është në fushën e kulturës. Dhe pikërisht nevoja për të patur një dorë të shtrirë që të ndihmon në një moment të tillë, ka ngjizur edhe mendimin për të krijuar një Fondacion kulture.

Lidhet kjo me eksperiencën tuaj jetësore? Me momentet e nisjes së karrierës suaj artistike, karrierë e cila ka arritur tashmë majat e saj?
Pa dyshim që lidhet me eksperiencën e karrierës sime artistike, e cila ka qenë vërtet shumë e ndërlikuar dhe me vështirësi të shumëllojta në nisje të saj; bëhet fjalë për vite të shkuara, kur jetonim nën një rregjim të egër dhe në një izolim të plotë. E pra, të dilje asokohe nga Shqipëria dhe të përpiqeshe të barabiteshe me talente muzikore dhe mbi të gjitha, të arrije të bëje një karrierë të mirëfilltë në perëndim, qe vërtet shumë e vështirë. Ka qenë një udhë e përpjetë me shumë të panjohura, ku kam ndjerë nevojën e madhe të një ndihme, por që për fat të keq nuk e kam patur. Nga kjo përballje e fortë me vështirësitë, por edhe nga tërë njohja që kam në këtë fushë, kam krijuar bindjen, se kombit tonë nuk i mungojnë talentet në kulturë, por i mungon ndihma për të ecur në udhën e vështirë të artit. Dhe që këtej, lindi dëshira dhe ëndrra ime e madhe për t’u bërë kjo dorë që ndihmon krijuesit shqiptarë. Që është edhe një lloj sfide për mua, domosdo.

Supports text, HTML tags, JS code and video embed code

Por pse pikërisht tani e krijuat Fondacionin Kulturor Hi Classic? Përse u bë kaq vonë realitet kjo ëndrra juaj?
Nuk do t’ia kisha dalë dot ta realizoja këtë ëndërr dhe sfidë bashkë, nëse nuk do të kisha patur fatin e madh të takoja një nga njerëzit më të suksesshëm të biznesit të botës shqiptare, humanistin dhe filantropin z. Hetem Ramadani, i cili kishte të njëjtën ëndërr si edhe unë. Dhe mbi të gjitha, kishte shumë eksperiencë në mbështetjen e nismave kulturore, apo të atyre që lidheshin me ndihmesën humane dhe filantropike në tërë botën shqiptare.

Z. Ramadani është i njohur edhe në Shqipëri për ndihmën e rëndësishme që u ka dhënë të lënduarve nga tragjedia e Gërdecit, për mbështetjen e artistëve shqiptarë, apo të fëmijëve jetim dhe, së fundi, të fëmijëve me të meta. Cili do të jetë qëllimi apo misioni i Fondacionit tuaj?
Së bashku me z. Ramadani kemi vendosur që nëpërmjet institucionit që kemi ngritur, Fondacionit Kulturor HI Classic, të ndihmojmë në zhvillimet e kulturës së kombit tonë: do të krijojmë projekte kulturore që do të formojnë traditë në fusha të ndryshme të kulturës dhe artit, do të mbështesim projekte kulturore me vlera kombëtare dhe do të përkrahim dhe promovojmë talente shqiptare në kulturë.

Sa domethënës është emri që keni pagëzuar Fondacionin tuaj? A e ka nisur Hi Classic veprimtarinë e vet dhe cili mendoni që do të jetë aktiviteti i tij më i rëndësishëm, apo më i spikaturi?
Siç e shihni edhe grafikisht, emri i Fondacionit ngërthen shenjën e artit të muzikës, njëlloj si shpirti im; dy gërmat e tij të para, janë fillimemrat e dy themeluesve të tij, por edhe një nivel i lartë në gjithçka (nëse kemi parasysh artikulimin e njëjtë të fjalës anglisht High) dhe pjesa e dytë simbolizon gjithçka me vlera të konsoliduara në art dhe kulturë. Po, në eventin e përurimit të tij, Hi Classic erdhi me një sërë aktivitetesh të kryera në dobi të kulturës kombëtare: pa u përsëritur me sa më sipër, mjafton të përmend blerjen e 250 kompleteve të veprës së plotë 20 vëllimshe të të madhit të letrave shqipe, Kadaresë, për pajisjen e bibliotekave mbarëshqiptare, në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Mal i Zi, Preshevë; kemi mbështetur revistën letrare prestigjioze Mehr Licht, festivalin mbarëkombëtar të poezisë Poeteka, etj. Mendoj se një nga aktivitetet që do të tregojë për veçantinë e Hi Classic dhe misionit të tij do të jetë projekti i krijimit të një Qendre Meditimi, në fillim në Tiranë, e më tej edhe në treva të tjera shqiptare.

 A mund të na tregoni se ç’është Meditimi dhe si ju ka lindur kjo ide e këtij projekti që tingëllon vërtet ekzotik?
Meditimi është një filozofi shumë e lashtë, aspak ose shumë pak e njohur në vendin tonë, e cila nënkupton një praktikë mendore apo shpirtërore, e që qëndron në thelb të shumë praktikave të Lindjes dhe Perëdimit, siç janë Budizmi, Hinduizmi, Yoga, Islami, Krishtërimi etj. Do të theksoja që është në zemër edhe të praktikave mjekësore. Ajo që tentohet të arrihet nëpërmjet meditimit është paqja e brendshme, një lloj “zbrazje” e shpirtit, një gjendje me “kokë pa mendime”, e cila nuk është gjë tjetër veçse një qetësim progresif i mendjes, një shmangie e agresivitetit dhe një rilaksim i përgjithshëm i trupit dhe shpirtit, çka sjell një jetë shumë më të shëndetshme dhe më produktive në përgjithësi.
Z.Ramadani, i cili është edhe frymëzuesi, por edhe krijuesi dhe drejtuesi i këtij Projekti, është një praktikant i regjur tashmë prej shumë vjetësh në Meditim; tërë filozofia e punës dhe jetës së tij, por edhe praktika e përditshme e tij kanë vulën e meditimit. Ai vetë thotë se meditimi është edhe çelësi i suksesit të tërë sipërmarrjes së tij.

Mos po kërkoni të thoni se me anë të meditimit mund të bëhen para?
Sado e çuditshme të duket, është pikërisht kështu; madje edhe shumë sëmundje shërohen nëpërmjet meditimit. Z. Ramadani është një autoritet botëror në këtë fushë.