Ju prezantojmë Joan Kamberaj: një artist i ri, plot pasione, të cilat ndërthuren së bashku për të servirur një rezultat mbresëlënës. Trinomi esencial që e bën jetën tonë interesante: iluzioni, frymëzimi dhe arti aplikohen në animimet e tij “stop motion”.

“Abeo”, “Dolphin Origami”, “Hogwarts” dhe qershia mbi tortë, “Hermes”, janë disa nga punimet që mund të gjejmë në websiten e Jonanit (www.joankamberaj.com). Karriera e artistit të ri është duke lulëzuar falë talentit që zotëron, ndaj nuk çuditemi për faktin që ka bashkëpunuar me gjigantin e modës, Hermes.

Supports text, HTML tags, JS code and video embed code

Për më tepër, Elegance ka shkëputur pak nga koha e Joanit, për të sjellë një intervistë rreth pasioneve të tij, animimit, krijimeve interesante, të cilat janë rezultat i imagjinatës dhe kreativitetit të tij, si dhe eksperiencën e pakrahasueshme me Hermes.

Si ka nisur rrugëtimi drejt animimit? Ke nisur prej pikturës, ilustrimit?
Animacioni ka nisur pasi zbulova se çfarë është një video. Në atë periudhë, kur isha në klasë të shtatë, kam parë për herë të parë dokumentarin “The Pixar Story”, një film i cili është i veçantë për mua. Më shtyu të kërkoja pafund mbi artin e VFX. Eksperimenti im i parë me animacionin ka qenë me teknikën “stop motion”, me anë të së cilës mund të shohësh shumë qartë mënyrën si ndërtohet iluzioni i një imazhi lëvizës. Kur shikon rezultatin e disa frames të cilat krijojnë një iluzion, është diçka magjike.

Edhe pse animimi është aplikimi i një ideje, normalisht ka nevojë për inspirim. Çfarë të inspiron? Si arrin ta transmetosh mendimin në animacion?
Gjithnjë kam kaluar kohën time duke punuar me materiale si: plastelina, druri, balta, bojrat dhe letrat. Është shumë argëtuese të luash me këto materiale. Ndryshe nga puna digjitale, me objektet organike, më lindin ide të reja gjatë gjithë procesit.
Zakonisht, elementet e natyrës janë inspirimi im më i madh në pjesën e realizimit. Si mund ta keni vënë re, shumë nga animacionet e mia janë me kohë të shkurtër. Më pëlqen të marr momente dhe detaje të vogla, të cilat i aplikoj në video. Ato mund të jenë situata nga jeta e përditshme ose interpretim i disa ideve.

Nisur nga krijimet e reklamuara në website, zë një vend edhe fotografia. Ka impakt në procesin tënd krijues, sa i përket animimit?   
Fotografia është diçka që ka nisur vite më parë, kur bleva celularin tim të parë me kamer. Zakonisht fotografoj në momente të rastësishme me shoqërinë, kur ndodh të kemi një ndriçim interesant ose një ide spontane. Gjithsesi, është primare në punën time në studio. Ndriçimi dhe fotografia kanë një rol shumë të rëndësishëm në stop motion. Këta dy faktorë janë ata që përcaktojnë ndjesinë e objekteve në imazh.

Hogwarts gjithashtu është një punim mjaft interesant dhe i renditur në websiten tënd. Duke marrë parasysh se në website publikohen punimet që një artist ka më shumë përzemër, cila është marrëdhënia jote me filmat, librat? Format e tjera të artit bashkëveprojnë me animimin? Mund të gjejmë copëza të tyre në veprat e tua?
Edhe 2-3 vitet e fundit nuk kam lexuar shumë, kam gjithnjë pranë librat e poetëve të preferuar të cilët i lexoj herë pas here. Deri në kolegj, kam parë filma pafund, por tani jam fokusuar më tepër tek puna.
Shumë qartë, tek filmi im “Abeo” mund të gjeni referenca nga “A Space Odyssey” (2001), një kryevepër, në çdo aspekt, e cila më mësoi shumë mbi filmat.
Gjithashtu, një prej piktorëve të cilët adhuroj është David Hockney, arti i të cilit ka influencuar shumë punën time.

Abeo House

Shumë interesante gjithashtu është edhe përmbledhja “Abeo”, një punim shumë tërheqës ku ti je shprehur se “Është një arratisje në një iluzion”. Personazhi është një djalë, në një shtëpi të vogël edhe shfaqen disa pjesë nga lagjja ku ai banon, duke dhënë idenë e raportit me mjedisin përreth. Cili është mesazhi pas këtij punimi? A është “Abeo” një krijim që të simbolizon?
Para dy vitesh, një kolegu im nga Gjermania më ka thenë: “Mos fol vetëm për veten, jo për jetën tënde”. Një këshilë të cilën do e mbaj mend përgjithmonë, edhe pse nuk jam krejtësisht dakord me këtë ide. “Abeo” është krijuar në periudhën e gjimnazit, një fazë kur unë dhe bashkëmoshatarët e mi, donim të shpreheshim me çdo kusht. Në atë moshë nuk kishim shumë edukim mbi artin.
Ky film në tërësi simbolizon veten time dhe jo vetëm, në atë periudhë. Mesazhi ndoshta është shumë i thjeshtë për interpretim, por do të doja mos të flisja për atë.
Punët e mia i krijoj gjithmonë me buxhetin tim. Është një kusht i rreptë, të cilin ia kam vendosur vetes për të patur lirinë artistike, mos të kem asnjë detyrim ndaj palëve të treta. Si shumë artistë të tjerë të cilët punojnë në tregun fitimprures, kam shumë nevojë për lirinë kreative dhe atë të shprehjes.

Një pjesë që më bëri shumë përshtypje në krijimet e tua është edhe miniatura. Minimizimi është një prej fobive më të mëdha njerëzore. Çfarë të tërheq te miniatura?
Nuk e kisha menduar kurrë si fobi, këndvështrim interesant. Duke u nisur nga fëmijëria, më ka pëlqyer të ndërtoja në shkallë të vogël lokacione dhe objekte, të cilat nuk mund t’i arrija. Ka qenë mënyra si unë humbisja në një botë imagjinare.
Duke ndërtuar një objekt miniature, ose edhe një lokacion të plotë, ke kontroll mbi gjithçka. Kam ndjerë shumë kënaqësi kur ndërtova skenën e filmit “Abeo”, pasi aty mund të kontrolloja plotësisht ndriçimin

Hermes është epoka më e ndritur në krijimtarinë tënde deri më tani. Si u mundësua kontakti me gjigantin e modës? Çfarë u bëri përshtypje dhe si mund ta përshkruash si eksperiencë? 
Hermes më kontaktoi me një e-mail, për të cilin fillimisht mendova se ishte një spam. Një nga drejtueset e projekteve më shprehu se punët e mia ishin shumë të përshtatshme me stilin dhe materialet e tyre.
Pas një oferte për bashkpunim me mbi 15 video, vazhduam për akoma më shumë. Në këtë moment, në treg po ndodh një trend ku kompanitë e mëdha bashkëpunojnë jo vetëm me studio prodhuese, por edhe me shumë artistë të pavarur.
Më bëri shumë përshtypje fakti që konceptet ishin në dorën time,  mund të krijoja çfarë kisha dëshirë. Gjithashtu, isha shumë i lumtur për faktin që videot u aprovuan menjëherë, pothuajse pa asnjë kërkesë për ndryshime, diçka që nuk e prisja kurrë dhe që më bëri të ndihem akoma më i vlerësuar.

Cilat janë pritshmëritë e tua mbi bashkëpunimin me Hermes? Duke marrë parasysh se është një brand me shumë prestigj, “publiciteti” si ka ndikuar në karrierën tënde dhe në bashkëpunime e projekte të tjera?
Bashkëpunimi me Hermes më ka ndikuar shumë në këtë periudhë. Kam patur shumë kerkesa nga klientë të rinj, të cilët i përkasin industrive të ndryshme, por është shumë e rëndësishme të mbash një balancë me klientët aktual dhe ata të rinj. Një bashkëpunim i tillë të ndihmon të arrish në një nivel më të lartë. Mbi të gjitha, ajo që ka më shumë vlerë për mua është procesi i krijimit të një pune.

Një prej elementeve më interesante që krijimet e tuaj gëzojnë është autenciteti. Ka motive shumë të veçanta, të cilat janë popullore (“Fustanella Festival”), gjeometrike dhe moderne. Cili është motivi i preferuar, ai që të krijon më shumë liri në krijimet e tua dhe të frymëzon më tepër?
“Fustanella Festival” është një projekt me të cilin jam përfshirë për 2 edicione. Motivet kanë qenë gjithnjë pjesë e festivalit, çka më inspiroi për krijimin e animacionit. Format dhe objektet gjeometrike janë një dashuri e vjetër dhe i kam përdorur shumë në ilustrimet e mia fillestare. Gjeometria mund të jetë shumë komplekse në tërësi, por në të njëjtën kohë mund të përdoret për imazhe tepër minimaliste.

Leave A Comment

Your email address will not be published.

error: Content is protected !!