Fenomeni më i ri muzikor në Britaninë e Madhe, por edhe kudo në Evropë, quhet Dua Lipa! Artistja e parë e Top Listave muzikore, po shijon suksesin absolut, edhe pse është e vetdijshme se rruga drejt famës është ende e gjatë. Këngëtarja me origjinë kosovare, vjen për herë të parë në këtë intervistë ekskluzive për revistën Elegance, duke na rrëfyer shumëçka nga sfera e saj artistike, familja, projektet e reja, dhe një surprizë për të gjithë fansat e saj…Zbulojeni dhe ju!

Këngët e saj dëgjohen në çdo vend…makinë, klubet e natës, në shtëpi, kudo! E ka konfirmuar më së miri, gjenezën e saj artistike, duke provuar se edhe ajo mund të jetë një yll i muzikës botërore. Dua Lipa, këngëtarja me origjinë kosovare, që ka lindur në Londër, po prek nga afër shijen e suksesit, pas hiteve të fundit, si “Be the One” apo “Last Dance”. Ka fituar ‘kurorën’ e vendeve të para në klasifikimet muzikore në Britaninë e Madhe, por edhe në Evropë. Por, përpos të gjithave, ajo di të jetë me këmbë në tokë! Thotë se është ende në fillimet e suksesit, që sipas saj duket se është një rrugëtim ende i gjatë. Dua tregon përveç spektrit artistik, bashkëpunimeve muzikore të pritshme, dhe projektet e reja në muzikë, ajo rrëfen se si është dita e një artisteje të re, angazhimet që i marrin pjesën më të madhe të kohës, copëza kujtimesh nga tri vitet e jetuara në Kosovë, dhe vendimin për të vizituar së afërmi Shqipërinë, dhe vendin e origjinës së saj. Flet edhe për familjen, raportin e veçantë me të atin, Dukagjin Lipa, një nga muzikantëve më të njohur të rrymës rrok në Kosovë, etj. Shumë element për të mos u humbur, në këtë intervistë që thotë shumëçka për yllin e ri të muzikës POP, Dua Lipa!

Supports text, HTML tags, JS code and video embed code

Sapo keni publikuar hitin më të fundit, “Be the One”. Një debutim frymëzues dhe një vokal mbresëlënës, çka ju renditi në top listën e hit parade muzikor britanik. Si ndiheni?
Është kënaqësi e veçantë të jem në top listat botërore në këtë kohë. Deri tek publikimi i këngëve është një rrugë shumë e gjatë dhe e rëndë, por tepër e kënaqshme. Shpesh herë më duket si një ëndërr(qesh). Edhe pse gjërat po ecin me një shpejtësi marramendëse, mendoj që ende jam në hapat e parë të shpalosjes së këngëve të reja që të flasim për një arritje të suksesit. Shumë shpejt vijmë me lajme dhe aktivitete të reja dhe koha për të shikuar mbrapa sa po vjen e po zvogëlohet e njëkohësisht edhe pjesa e reflektimit se ku kemi qenë para disa muajsh. Rruga e suksesit është e gjatë dhe unë jam në fillim të saj.

Kjo këngë, është cilësuar gati si himn i rrymës Pop. Çfarë mendoni se ju bën një artiste të kompletuar, ku vetëm vokali nuk mjafton…
Dedikimi, pasioni dhe dashuria ndaj muzikës besoj se janë elementët përbërës të çdo artisti. “Be the One” është një ndër këngët më të pëlqyera të tremujorit të parë të vitit 2016, gjë që më bën shumë të gëzuar.

Reagime pozitive ka pasur edhe hiti tjetër juaji, New Love. Cila është dashuria e re e Dua-s?
New Love ka qenë kënga debutuese në fakt edhe është një ndër këngët e mia të para që e kam shkruar për albumin tim të parë, i cili do të publikohet nga muaji shtator apo tetor i këtij viti. Jam totalisht e dashuruar në punën time dhe më duket se çdo ditë e më tepër thellohem në atë dashuri…

Përpos muzikës, ju jeni kantautore e shumë prej këngëve tua. Çfarë ndikon në muzën tuaj të frymëzimit?
Frymëzimi më vjen prej shumë sferave të jetës, nga përditshmëria, dhe njerëzit që më rrethojnë, situatat e ndryshme etj. Tentoj që të shkruaj sa më tepër në kohën e frymëzimit.

Një tjetër hit juaji, që është publikuar këto ditë, nën titullin “Last Dance”. Diçka më shumë rreth historisë së realizimit të kësaj kënge?
Last Dance është kënga e fundit e publikuar deri më tani. Është publikuar në mënyrë zyrtare vetëm në Britani të Madhe, derisa në Europë vazhdojmë me promovimin e “Be the One”. Është shkruar dhe kompozuar nga unë dhe Talay Riley, producent që punon mes Londrës dhe Los Angeles-it me të cilin kemi një bashkëpunim shumë të mirë.

BBC Sound Music, iu ka renditur në listën e artisteve të talentuara për 2016-ën. Ndiheni e shpërblyer për artin dhe zhanrin artistik që përfaqësoni?
Ky është një prej lajmeve më të mira që kemi pranuar këtë vit. “BBC Sound of 2016” është një ndër listat më prestigjioze botërore ku t’i identifikohesh si artiste, e cila ka potencial të jetë njëra ndër “tingujt” që do ta definojnë vitin 2016. Për mua është privilegj i veçantë të jem në mesin e shumë e shumë artistëve botërorë që kanë qenë të nominuar në vitet e kaluara si Adele, Amy Winehouse, Sam Smith, Coldplay, Years and Years e shumë të tjerë.

Kush janë këngëtarët që ju frymëzojnë më së shumti?
Jam rritur me tingujt e Beatles, Bob Dylan, David Bowie-t, Stereophonics, U2, më vonë “zbulova”, Nelly Furtado, Pink të cilat më frymëzuan për të ndjekur këtë rrugë. Por, jam shumë e lidhur me hip-hop dhe muzikën rap, prandaj edhe këngët e mia kanë një ngjashmëri pjesërisht kah ky zhanër.

Keni lindur në Londër, por origjina juaj është kosovare. Keni jetuar pak vite në Kosovë, por cilat janë kujtimet tuaja për këtë periudhë?
Po, kam lindur në Londër, por lidhja mes Prishtinës, Kosovës dhe Shqipërisë ka qenë gjithmonë shumë e fortë në familjen tonë. Kam jetuar në Prishtinë për tre vjet, dhe mezi pres të kthehem së shpejti të takoj miqtë e mi atje, për të cilët më merr malli dhe i kujtoj shumë shpesh ditët që kam kaluar me ta.

Babai juaj, Dukagjini është gjithashtu një emër i njohur i muzikës, si pjesë e grupit Oda, një prej grupeve më të famshme të rrokut në Kosovë. Sa ndikim ka pasur ai në zgjedhjet që ke bërë në jetë?
Muzika dhe performanca muzikore është një pjesë integrale e familjes sonë. Nuk mbaj mend që ndonjëherë në shtëpi nuk ka pasur të paktën një diskutim për ndonjë aktivitet muzikor, përcjellja e koncerteve të ndryshme, pastaj shkuarjet në studio, inçizimet, xhirime të ndryshme, organizime të koncerteve, etj. Por, më të rëndësisshmet kanë qenë momentet kur prej së afërmi kam përjetuar krijimin e këngëve të Odës e përfundimisht ka qenë kënaqësi të qenurit pjesë e inçizimeve (back-vocal) së bashku me Rona Nishliun në këngën Era. Isha vetëm 16 vjeçe. Mendoj që babi im (Dukagjin Lipa – Dugi) ka qenë dhe është një influencë shumë e madhe dhe pozitive në krijimin e dashurisë dhe pasionit tim për muzikën dhe gjithmonë më ka mbështetur në drejtimin që gjithmonë e kam dëshiruar edhe ëndërruar. Unë ende këshillohem me të për të gjitha aktivitetet e mia. Këngët e Odës janë këngë shumë të dashura për mua edhe jam shumë krenare që ato këngë edhe sot dëgjohen me kënaqësi prej gjeneratave të reja. Këngët si Beso në Diell, Buzë Lumit, Rrugë e mbarë, Dikah Larg, Rrugët dhe Era janë këngë që kanë lënë gjurmë në historikun e muzikës rrok kosovare dhe ngadalë po kalojnë në këngë që nuk vdesin.

Keni menduar të bëni ndonjë këngë së bashku?
Ende nuk kemi menduar për një gjë të tillë, por nëse do të ndodh atëherë me dëshirë kisha për të kënduar me Dugin këngën, Beso në Diell(qesh).

Dua, muzika zë pjesën e qenësishme të jetës dhe angazhimeve të tua, por përveç saj, cila është përditshmëria juaj?
Momentalisht jeta ime sillet mes studios, udhëtimeve, koncerteve dhe takimeve. Jam me fat se banoj shumë afër me familjen time dhe shfrytëzoj çdo rast që të shihem me Anesën, Dugin, Rinën dhe Gjinin, edhe pse Anesa edhe Dugi janë shumë të angazhuar rreth pjesës së takimeve, seteve fotografike, etj. Anesa(nëna ime) është gjithashtu shumë e përfshirë me ekipin e stilistëve.

Përveç këngës, ju keni një stil shumë të kuruar. E ndiqni ju modën, apo moda juve?
Nuk e di (qesh)! Kam dëshirë të vishem ashtu si ma do mendja mua, por tani së fundmi definitivisht kam ndihmë dhe propozime prej stilistëve të ndryshëm.

Casual chic, sport casual, çfarë stili veshje preferon më shumë?
Nëse i kemi vetëm këto zgjedhje, atëherë do të shkoja me Casual Chic(qesh).

Trendi i momentit sa i takon veshjeve, ngjyrave, prerje, cili stil dominon koleksionet e fundit të modës?
Kombinimet retro & contemporary, brand & innovative, mendoj se janë momentalisht në trend. Por, sipas shpejtësisë që bota e modës po kalon besoj që deri sa të shtypet ky edicion, edhe ky trend do t’ndryshojë…)

A mendoni të vizitoni ndonjëherë Shqipërinë?
Shumë shpejt do të jemi edhe në Kosovë edhe në Shqipëri dhe me plot sinqeritet ju them , se e pres me padurim ditën kur do të jem aty. Siç e thashë edhe më pare, lidhja ime me botën shqiptare është shumë e fortë dhe e pakushtëzueshme. Unë mburrem me prejardhjen time, mburrem me familjen time dhe dua t’i them të gjithë shqiptarëve kudo që janë (pa ndarje Kosovë-Shqipëri), një Faleminderit shumë të madhe për mbështetjen. Ju DUA…

Leave A Comment

Your email address will not be published.

error: Content is protected !!