Me dashuri, Nertila Koka

Atë kohë kur kishte fituar simpatinë e publikut dhe kishte prekur majat e suksesit, ajo udhëtoi drejt Azisë, më pas në Australi e së fundmi në Suedi ku bëri një pakt me veten për të harruar gjithçka për hir të një dashurie tjetër më të bukur: familjes.

Buzëqeshja e saj shkrihet në ajër, një lumturi e parrëfyer shpërhapet ngado teksa shkel lehtas në një nga rrugicat afër Liceut, aty ku portreti i Nertila Kokës ka munguar më shumë se kudo, madje padashur ajo rrëmben kërshërinë e të gjithëve kalimtarëve me praninë e saj. Ajo ndal hapin para kujtdo që e përshëndet në lagjen e vjetër, ndihet e lumtur mes rrugicave të ngushta dikur mbushur plot trëndafila, teksa ecte elegante me fustanin e stiluar nga e ëma për të shkuar në Festival. Mund të duket sikur ka ndryshuar, por realisht brenda Nertilës-grua, fshihet ende ai imazhi i ëmbël dhe ledhatar i vajzës së baladave të bukura të dashurisë që këndonte nëpër koncerte. Artistja e madhe, princesha e këngës, pranon të rrëfejë për Elegance jetën dhe karrierën e saj, pa asnjë brengë apo peng, e bindur se zemra e saj ka aq dashuri sa të ndihet e lumtur përjetësisht. Në pulsin e dorës së majtë, një byzylyk në dukje i zakontë mban të renditura disa objekte të vogla, në dukje fatsjellëse, por që realisht reflektojnë dashurinë e njerëzve që e duan dhe i do: bashkëshorti Sokoli, dy vajzat Sara dhe Ani, motra, e ëma e gjithë miqtë e tjerë, të cilët kanë zgjedhur që të pasurojnë byzylykun e saj me simbole dashurie. Ajo është një pasuri e rrallë, një thesar që Nertila Koka e ka zbuluar brenda vetes, të dashurve dhe miqve, duke mbajtur në duar gjithë dashurinë e botës. “Jeta është sa e bukur, por dhe e vështirë, por nëse ka diçka që unë dua t’i lë vajzave të mia, qoftë si person publik, apo si mamaja e tyre, është dashuria…”! – nis rrëfimin princesha e muzikës shqiptare…!

Duket se ja keni marrë dorën jetës në Tiranë, a jeni ambientuar me jetën në Shqipëri?
Tirana më ka pëlqyer dhe vazhdon të më pëlqejë: Është qyteti ku kam lindur dhe jam rritur, ku kam kujtimet më të bukura, është vendi që nuk e zëvendësoj me asgjë tjetër. Këtu gjej veten, mbushem me energji, fle e qetë, një lloj qetësie shpirtërore që e gjej veç në Tiranë. Gjithmonë i bëj pyetjen vetes: si është e mundur që jam e lidhur kaq shumë me këtë vend, pse ndihem kaq mirë në Tiranë, pasi gjithmonë dua të kthehem këtu…!

Si i përshkruani çastet e kthimit, po ato të largimit nga Tirana?
Tani që vij më shpesh duket e natyrshme: sikur kam qenë me pushime dhe vij sërish, ndërsa më parë isha shumë e përmalluar. Kujtoj sa herë vija qaja, më dukej sikur kisha një jetë që jetoja jashtë. Kur zbres nga avioni ndihem akoma më rehat, e ndjej që jam në shtëpi, ndërsa ku largohem, ikja bëhet shumë e vështirë për mua.

Ende nuk jeni mësuar me largimet?
Me ikjet nuk do mësohem kurrë. Sa herë largohem them “Kur do të kthehem”. Jeta gjithmonë tregon se s’duhet të mendoj kthimin. Kur vija në Shqipëri kisha mall dhe gjatë qëndrimit qaja. Një ditë Sara, vajza ime më pyeti “Mami pse qan?” I thashë qaj sepse do të ikim, por ajo edhe pse e vogël më tha: “E di si do të bësh? Jetojë këtë muaj në Shqipëri sa më bukur të jetë e mundur dhe ditën që do ikësh, mund të mërzitesh e qash”. Këtë e dija, por më goditi logjika e një fëmije, prandaj sa herë vij në Tiranë shijoj momentin edhe pse duhet të mërzitem për pak kur të iki.

Ju jetoni në lagjen tuaj të vjetër, çfarë ka mbetur njësoj apo ç’ka ndryshuar?
Vendi ku jam rritur është i shenjtë për mua: aty kam kujtimet më të bukura të jetës sime, jo vetëm fëmijërinë, por një pjesë të çmuar të jetës. Njerëzit që njoh aty janë miqtë e mi, me ta kam kaluar shumë kohë dhe janë ende të njëjtët. Por atë vend nuk e lidh dot me faktin sa ndryshon, krahasuar me sa vlera ka shpirtërisht. Mjafton të shoh njerëzit që ende përshëndesin Nertilën që kanë njohur atëherë kur nuk ishte e njohur.

Ju keni qenë e njohur në lagjen ku jetoni, a ju shohin ende si të famshme?
Nuk e di, edhe sot është e çuditshme që mendoj se si ata më shihnin mua: si Nertilën këngëtare apo aktore, pasi mendoja që kam qenë gjithmonë aty dhe për ta isha njësoj, por e njohur u bëra në shtëpinë e vjetër…!

Ku ka qenë saktësisht shtëpia juaj e vjetër?
Lagjja e vjetër ku jam rritur ishte tek “21 dhjetori”, aty ka qenë shtëpia ku kalova fëmijërinë, madje e kam pasur problem momentin e largimit. Më kujtohet që shkoja shpesh tek shkallët ku kam luajtur dhe kënduar kur isha ende fëmijë…

Ky është imazhi më i bukur që keni fotografuar nga fëmijëria juaj?
…ky është imazhi për të cilin më merr malli më shumë për fëmijërinë time…(Përlotet). Gjithmonë kur më kujtohet fëmijëria prekem, është një nga momentet më të bukura të jetës sime. Kjo lagje ishte e rëndësishme, pasi aty përjetova momentet e para kur u bëra e njohur: njerëzit trokitën në derë e shtëpisë në orën 6 të mëngjesit për të më përshëndetur për çmimin e parë. Ishin momente të bukura dhe uroj të gjithë të kenë momente të tilla. Besoj se isha me shumë, shumë fat.

Cilët janë miqtë që takoni gjatë qëndrimit në Tiranë?
Kam shumë miq, por miq të veçantë e kam pak të vështirë të bëj. Por kur bëj miq të vërtetë, nuk i lëshoj kurrë. Gjithmonë më ka karakterizuar kjo gjë. Edhe kur isha fëmijë: kisha shumë shoqe, por nuk i kisha afër zemrës. Jeta më tregoi më vonë se unë isha kjo, që duhet t’i zgjidhja miqtë për shumë kohë. Tani jeta tregon se si duhet t’i zgjedhësh miqtë, që të zhgënjehesh sa më pak.

Miqtë e tu janë të përzgjedhur, janë të famshëm apo jo?
Jo, janë komplet njerëz të thjeshtë. Kam miken time të fëmijërisë, Rajka e cila është dentiste dhe nuk ka lidhje me artin. U njohëm kur ishim të vogla, edhe pse kishim interesa të ndryshme në jetë na bashkoi shoqëria, ajo kimia që bashkon këdo me shoqen e parë. Kam shumë mikesha, por mikesha ime më e mirë është motra. Është një fat i madh të kesh një motër që ka vlera të mëdha dhe unë si person kam vlera, sepse kam marrë shumë nga ajo.

Hera e dytë që jeni në Tiranë për “Gjeniun”, çfarë ju motivoi të qëndroni?
Qëndrimi në Tiranë është moment luksi për mua, sepse nuk vijnë shpesh këto mundësi. Është një privilegj dhe respekt që më bëhet, pasi tregon se populli dhe njerëzit që më ftojnë më duan. Nuk ka gjë më të bukur të bëj një punë që e dua shumë, të jem në skenë para publikut. Për familjen është emocion i bukur të jem afër, por edhe për vajzën që të mësojë gjuhën shqipe. Ka veç avantazhe qëndrimi në Tiranë, e mbi të gjitha kur vjen tek Gjeniu është privilegj të jesh në një spektakël kaq të bukur dhe origjinal. U jam mirënjohëse që më kthyen (jo s’kisha mundësi), Pandi e Bledi Laço dhe Adi Hilën, e vlerësoj shumë punën dhe nuk i them dot jo propozimit të tyre.

Sa i lehtë ishte ky vendim për pjesën tjetër të familjes dhe punën në Suedi?
Nëse do të mendohesha dy herë është pikërisht kjo, se si do t’i rregulloj punët me familjen. Puna ime e ka pritur me pozitivitet, madje shefja më tha: “Nuk dua të na ikësh, të duam këtu, por e di shumë mirë që ke lënë diçka të rëndësishme atje…!”

Cilat janë impresionet që merrni nga fëmijët, a jemi komb që kemi “vesh muzikor”?
E kam thënë te “Gjeniu i Vogël”, se si është e mundur që një vend kaq i vogël ka kaq shumë talente. Duke pasur kaq talente kjo e ka bërë punën time më të vështirë, sepse nuk di kë të pranosh dhe kë jo, pasi të gjithë janë shumë të mirë.

Ju jepni vlerësime, por a është e lehtë si artiste e nënë, të jepni një gjykim të saktë?
Po është shumë e vështirë, sepse i njeh fëmijët jo vetëm si artistë, por edhe si nënë, mbi të gjitha edhe si pedagoge. T’i thuash që nuk këndove bukur dhe ke këtë apo atë të metë është shumë e vështirë për një fëmijë që të pranohet, e aq më tepër të pranohet publikisht. Pra, duhet të zgjedhësh vlerësimin me një notë e cila është e pranueshme edhe për publikun i cili të gjykon, pasi duhet të jesh zemërgjerë, por edhe realiste, një pedagoge dhe muzikante e mirë.

Besoni se nga këto audicione mund të dalin vërtet talente në muzikë?
Ka shumë mundësi, por nuk ka asnjëherë garanci pasi ka shumë komponentë të përfshirë brenda: nuk mund të thuash që do të bëhet 100%. Unë shoh shumë potencial tek fëmijët dhe mund të bëhen artistë nëse nuk ndikohen nga faktorët e tjerë, shoh që kanë “artistllëk të lindur”, por çdo gjë lidhet me personin dhe dëshirën që ata kanë. Talenti nuk mjafton asnjëherë…!

Çdo e shtunë është e veçantë, por a ka pasur momente që jeni ndjerë e emocionuar?
Çfarë sjell një e shtunë, nuk sjell një tjetër, jo vetëm ajo ç’ka sjellin fëmijët në interpretim, por sepse arti është ndjenjë dhe performanca nuk mund të jetë e prerë me thikë. Aty ku ka emocion, një gjë nuk mund të sillet dy herë njësoj, për këtë arsye çdo moment është ndryshe.

Si ndjeheni kur dëgjoni këngët tuaja të këndohen nga fëmijët?
Ndjehem shumë bukur, pasi edhe pse këngët janë të kënduara nga unë, ato janë të kompozitorëve. Unë kam lënë gjurmë dhe kënga është bërë popullore me mua, por gëzohem për kompozitorët që u rikthehet sërish kënga në skenë, pra ata janë vlera e vërtetë e një kënge, thjesht këngëtari i shton apo i ul vlerat duke e kënduar.

Pas largimit nga Shqipëria ju hoqët dorë nga muzika për hir të familjes dhe mirërritjes së vajzave të tua, ja ka vlejtur?
E nisa shumë e re karrierën dhe provova shumë shpejt majat, megjithatë në jetë kam ditur të projektoj atë që duhet. Për një kohë të shkurtër bëra shumë dhe e shijova çdo gjë. Dhe më pas jeta ime preku një moment tjetër: po shihja diçka shumë të bukur dhe që kishte shumë vlerë për mua, siç ishte familja. Shumë shpejt u bëra nënë dhe ishte gjëja më e bukur, nuk mund të krahasohej me karrierën. Mamaja është shembulli më i bukur dhe mendoj se i kam sjellë vajzave të mia shumë më tepër në atë moment, ishte më me vlerë t’i shihja se si rriteshin, ndërsa karrierën po ua tregoj tani. E lashë karrierën në një moment që ndoshta nuk do ta kishin bërë të tjerët, por unë përjetova diçka tjetër që kishte më shumë vlera se sa karriera. Nuk mund të zgjedh karrierën para familjes. Kam ende kohë dhe shpresoj ende të kem kohë që vajzat e mia të rriten dhe unë të vazhdoj karrierën, jo vetëm muzikën, por edhe diçka tjetër, një karrierë si mësuese, diçka krejt modeste, por me shumë vlera, sepse ata fëmijë që dalin nga duart e mia janë e ardhmja e një vendi. Është e lodhshme, por kur sheh rezultat ndihesh bukur…!

Jeni penduar për zgjedhjen që bëtë duke ju kushtuar familjes?
Jo, asnjëherë nuk jam penduar. Kjo vjen ngaqë unë gjithçka e përjetova në një moshë të re. Arti të jep shumë kënaqësi dhe më jep akoma. Ka kënaqësi që vetëm një artist i kupton, por nuk e krahason kurrë me familjen.