Mira Tuci: Familja, rrënja ime

Ku ndodheni tani dhe me çfarë po merreni?

Në Tiranë, sapo jam kthyer nga baleti “Arrëthyesi” e mveshur me ndjesi shumë të bukura shkaktuar prej shkëlqimit të artistëve shqiptarë.

Cili është vendimi më i mirë që keni marrë ndonjëherë?
Të “luftoj” fort që të isha pjesë e grupit të gazetarëve që shoqëruan Papa Françeskun gjatë rrugëtimit të tij Romë-Tiranë-Romë.

Kur e ndjeni veten më të lumtur?
Kur shoh mbesën time dy vjeçare në Viber që më thotë: “Zia Mia dua shumë”…

Kur e ndjeni veten të trishtuar?
Trishtimi mund të jetë dhe poetik, ose të të bëjë të kuptosh se çfarë vlen më shumë në jetën tënde.
 
Çfarë nuk do kishit hedhur kurrë poshtë?
Familjen, rrënjët e mia, gjuhën time.
 
Kë doni më shumë?
Nuk i ndaj dot të dashurit e mi, dua ndryshe mbesën Evën dhe motrën time Blertën.

Cila është ajo gjë për të cilën do të thoshit: nuk do ta bëj kurrë?

Kurrë për mua ka vlerë vetëm tek nocioni i drejtësisë, nuk do t’i bëja kurrë një padrejtësi dikujt!

Cili është mëkati më i madh për ju?

Të shkelësh mbi bukurinë e të brendshmes tënde, ta përdhosësh atë!

 Cila është blerja juaj e fundit?

Një biletë për të udhëtuar drejt një destinacioni që ende nuk e kam shkelur, në Algjeri.

Cili është qëllimi i jetës?

Të ruaj dhe përmirësoj çdo ditë esencën time, atë që më bën mua një qenie unike në Univers.