Një romancë dashurie nga shkrimtarja Daria Bignardi

Në librin e saj të katërt, Daria Bignardi na sjell një histori të fshehtë. Si mund të jetë dashuria, njëkohësisht forca më krijuese dhe ajo më shkatërrimtare? Çfarë jemi të gatshëm të humbim për dashurinë, çfarë jemi të gatshëm të rrezikojmë? A është e mundur që lumturia e plotë të shfaqet vetëm atëherë kur të pushton hidhërimi absolut? Jo më kot autorja vendos në fillim të romanit këto fjalë të Max Scheler-it: “Ekzistenca e një të keqeje gjithmonë lidhet me mungesën e dënueshme të dashurisë së të gjithëve për bartësin e së keqes. Prej këtej buron parimi i solidaritetit të të gjitha qenieve njerëzore.” Duket se shkrimtarja i ka fort për zemër historitë familjare, çka përbën edhe subjektin e romanit të mëparshëm, “Nuk do t’ju lë jetimë”, ku nëpërmjet leksikut familjar, atij kodi privat fjalësh dhe mënyrash shprehjeje që e bën të veçantë çdo familje, tregon se sa e pasur mund të jetë jeta, madje edhe atëherë kur në të lenë gjurmë ankthi dhe pasiguria. Ndonëse hulumtohet për një vdekje, në të vërtetë flitet për jetën. “I urrej fotografitë e çastit, sepse të gënjejnë. I kam grisur pothuajse të gjitha, por nga Krishtlindja jonë e fundit ruaj vetëm një fotografi. Fotografitë e familjes nuk tregojnë emocionet e vërteta: i këqyr dhe sheh një pemë të shndritshme, një bluzë të kuqe, një buzëqeshje që të kujton një atmosferë intime dhe gazmore dhe e ndien veten të dërrmuar nga malli. ‘Sa të lumtur ishim’, mendon. Ndërkohë, në shtëpinë tonë kishte hyrë e keqja”.  Pas këtij fragmenti nga libri, nis shtjellimi i një drame të madhe njerëzore. Histori të rinjsh që, pas shumë e shumë vitesh, shpjegimi dhe kuptimi i saj kthehet në një peng të vërtetë për të afërmit e tyre. Përmes rrëfimeve të Antonias dhe Almës zbulohen të fshehta tronditëse për histori droge, histori dashurish, të fshehta të tjera për prejardhjen familjare, çka nuk është e lehtë t’u shkosh në origjinë. Ndaj dhe Antonia gati vihet në rolin e një detektivi dhe arrin të ndriçojë pjesën më të madhe të një historie që dukej sikur nuk do të shpjegohej kurrë: zhdukjen e mistershme të dajës së saj, që ishte shpallur i zhdukur ose i vdekur. Dhe ajo që zbulon në një letër të tijën drejtuar së dashurës, është tronditëse: “Mos thuaj që jam gjallë. Do të mendonte përsëri se e kam tradhtuar dhe do të ndihej edhe më keq. E gjente përherë një shkak për të qenë keq dhe për t’u ndjerë në qendër të botës, ti e di. Gjithmonë, edhe atëherë kur ai që ndihej keq, isha unë. Besonte se gjithçka… varej nga ajo. Një gjë nuk e duronte dot: që të mos e donin. Po ta dinte që jam gjallë dhe nuk e kam kërkuar, do të mendonte se nuk e dua dhe ti e di që kjo nuk është e vërtetë: unë nuk mund të kthehem, ti që më do vërtet e di këtë. Marko Sorani ka vdekur…”. Thuajse të gjitha krijimet e saj letrare janë pjesë e një game emocionesh dhe përjetimesh që tisi i kohës nuk mund t’i fshijë. Si në rastin e këtij romani të fundit që vjen në duart e lexuesve nga shtëpia botuese “Dudaj”.