Për Elizën

Pasionante, kokëfortë, por besnike me miqtë! Ndoshta këto cilësi Eliza nuk do t’i kishte kuptuar kurrë kaq thellë nëse nuk do ta kishte njohur origjinën, kuptimin e vërtetë të mbiemrit Dushku, drurit prej nga rrjedh prejardhja, por edhe nga lind forca e krenaria, tipare që ajo ia dedikon gjakut shqiptar.Gjatë gjithë jetës prej shqiptaro-amerikane asaj i janë shfaqur shumë gjëra parasysh për Shqipërinë, por asnjëherë nuk ka mundur t’i prekë nga kaq afër. Kjo është hera e tretë e Elizës. Tani diva shqiptare e Hollywood-it do të udhëtonte jo me fantazi përmes rrëfimeve të ëmbla të të atit. Eliza shkeli në zemër të bjeshkëve mes tingujve të çiftelive e tupanëve, u krodh në brigjet e kristalta të rivierës si një shtojzavalle, rendi në sokakët e ngushta prej guri të Gjirokastrës e Korçës ku dëgjohen serenatat me kitara…!
Ky ishte momenti i së vërtetës. Eliza Dushku aty do të ndiente e kuptonte se gjaku që i pulsonte në tëmtha nuk ishte aq i zakonshëm, prandaj vendosi të pranonte ftesën si ambasadore e Tiranës në botë. Eliza e di se tani jeta e saj është e lidhur pazgjidhmërisht me Shqipërinë, duke premtuar se në rolin e ambasadores do të bëjë më të mirën, për ta nisur me një dokumentar dedikuar Shqipërisë! Ky është një rrëfim i sinqertë i Elizës për veten, familjen, origjinën, karrierën, miqtë dhe misionin si ambasadore e Tiranës në botë.

Ju keni tatuazh shqiponjën shqiptare në qafë. A ju kanë bërë shumë pyetje mbi kuptimin e këtij tatuazhi?

Supports text, HTML tags, JS code and video embed code

Më pëlqen shumë tatuazhi im me shqiponjën shqiptare. E bëra gjatë udhëtimit tim të parë në Shqipëri, me babin dhe vëllezërit e mi. Edhe ata bënë nga një tatuazh me shqiponjë, ndaj u kthye edhe në një simbol familjar që na lidhi më shumë. Ishte tatuazhi im i parë dhe ai me më shumë kuptim. Më pyesin shumë për të dhe unë u përgjigjem shumë shpejt dhe me krenari shikimeve kurioze. Për mua, është padyshim jo diçka për të frikësuar apo vënë në siklet në tjerët, e megjithatë shpesh njerëzit kanë frikë nga ajo që nuk dinë apo ajo që nuk kuptojnë, ndaj dhe përpiqem që t’ua shpjegoj me entuziazëm, pasion dhe pozitivitet kuptimin e tatuazhit tim me shqiponjën shqiptare.

Unë besoj se çdo lloj patriotizmi ekskluziv mund të jetë shumë krenar, mund ta bëjë atë të duket sikur ju jeni duke deklaruar se kombësia juaj është “e mirë” apo më mirë se e të tjerëve. Ky nuk është qëllimi im. Ashtu si artistja shqiptare e jashtëzakonshme Aurela Gace e përshkroi për mua, pas performancës së saj në Eurovision, ku ajo këndoi për të përfaqësuar Shqipërinë dhe shqiponjën: “Ne nuk jemi duke thënë se ne shqiptarët jemi më të mirët, ne jemi duke thënë se ne EKZISTOJMË.”

E dini prej nga rrjedhin rrënjët e prejardhjes tuaj?

Nga Korça. Im atë u largua nga Korça në moshën 11-vjeçare për në Boston, Massachusets, ku nisi të punonte. Më pas u kthye në Korçë në moshën 16-vjeçare për gruan e tij dhe gjyshen time, Villermini. Gjatë kësaj vizite ne patëm mundësi të vizitonim Korçën dhe mikpritja që morën atje më solli shumë ngrohtësi dhe lumturi. Im atë u emocionua shumë kur i tregonim histori nga Korça. Jam e sigurt që gjyshërit tanë do të ishin kuriozë dhe krenarë për mua dhe vëllezërit e mi.

Ju vini nga Bostoni, i cili ka një komunitet të vjetër shqiptarësh të vendosur aty në fillim të shekullit të 20-të, sa i njohur është ai në qytet?

Nuk kishte shumë vetëdije mbi Shqipërinë ku ne u rritëm, edhe pse të dy prindërit e mi flisnin për rrënjët tona shqiptare në mënyrë pozitive. Ka pasur shumë armenë në qytetin ku ne u rritëm dhe shpesh mësuesit tanë, shokët e klasës dhe të tjerët thoshin: “pra, ju jeni armenë” kur ne u thoshim që ishim shqiptarë. “Joooo”, u tregonim ne, “ne jemi shqiptarë”. Unë jam shumë e interesuar për të bërë një kërkim të thellë në komunitetin shqiptar të Bostonit, sidomos tani që kam filluar rolin tim të ri si Ambasadore e Shqipërisë.

A mund të thoni disa tipare karakteristike që ke trashëguar nga origjina shqiptare?

Kur mora vesh që mbiemri im në shqip do të thotë pemë kokëfortë dushku, është e panevojshme të them që kjo shpjegoi shumë gjëra. Unë mund të jem shumë kokëfortë, shpesh edhe pa të drejtë, por gjithashtu edhe pasionante, e kuptueshme, besnike, e gjallë (shpesh edhe e egër), e ndjeshme, e zgjuar, shpesh e gjindur për të tjerët dhe shpesh e kam jo shumë të lehtë të besoj nga frika e të qenurit e lënduar apo e tradhtuar…, po mësoj se të gjitha këto tipare mund t’i dedikohen gjakut tim shqiptar.

Çfarë mendon për muzikën shqiptare (Korça është e famshme për serenatat e saj)?

Muzika korçare më duket shumë e bukur, e fuqishme, plot emocione. Shpesh me bën të përlotem.

Po pjata shqiptare që ju pëlqen më shumë?

Jemi rritur duke ngrënë byrek me spinaq, të cilin e gatuante mamaja ime nga receta e gjyshes sime Villermini, e më pas na e mësoi edhe ne fëmijëve si ta gatuanim. Gjatë festës së Vitit të Ri, fusnim një monedhë në tepsinë me byrek për fat. Mbaj mend që mund të haja një tepsi të tërë duke shpresuar që monedha do të më binte mua.

Kompania juaj quhet Boston Diva Production. A mund të na tregoni çfarë fshihet pas këtij emri?

Epo, jam nga Bostoni, diçka tjetër që më jep krenari dhe pasion. Unë e dua shumë qytetin e Bostonit. Kam shëtitur në shume vende të botës, por më pëlqen mënyra se si Bostoni ndërthur një qytet të vjetër të mahnitshëm e një klasë punëtore me një botë akademike. I dua njerëzit, ekipet sportive për të cilat kam bërë tifozllëk me babain tim që kur isha një fëmijë i vogël, besnikërinë, jetën atje. Diva, unë mendoj se erdhi nga të qenurit më e vogla dhe vajza e vetme mes tre vëllezërve në familjen time. Unë kam qenë gjithmonë pak dramatike, mbase pak princeshë, por gjithmonë me një shpërthim prej djali, që, teksa isha në të njëzetat e mia dhe po i vija emrin kompanisë sime të prodhimit, m’u duk se prezantohej më së miri me Boston Diva. Tani kur mendoj për kompaninë time të prodhimit dhe projektet që ne synojmë për të prodhuar, më pëlqen tingulli dhe ajo që përfaqëson emrin; më bën të buzëqesh, edhe nën hundë.

Jeni shfaqur në dy videoklipe Simple Plan and Nickleback’s. A ju pëlqen muzika rock dhe cili është grupi që ju pëlqen më shumë?

Me tre vëllezër që kishin shije të ndryshme muzikore dhe që më influencuan, sot unë pëlqej shumë grupe muzikore dhe e kam të vështirë të zgjedh një të preferuar. The Eagles janë të parët që më vijnë në mendje. Më pëlqen rege, hip-hop, R&B, pop, rrok, madje edhe kauntri, muzikë house dhe elektronike. Muzika klasike është e këndshme për t’u qetësuar dhe menduar për jetën tënde. Gjatë udhëtimit u njohëm me artistin kosovar Capital T, shumë i ri dhe shumë i talentuar. Folëm së bashku dhe mbase në të ardhmen bashkëpunojmë ose bëjmë një video së bashku.

Cili është restoranti juaj i preferuar?

Kam pasur disa restorante në SH.B.A, por pas udhëtimit tim të fundit në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni, janë disa vende në Shqipëri që kryesojnë listën time.

Po stilisti që ju pëlqen më shumë?

Më pëlqen klasikja e Donna Karan dhe koleksioni i saj i kashmirit kur udhëtoj. Për couture unë përziej stilin tim me veshje stilistësh dhe aksesorë. Gucci, Louis Vuitton, Stella McCartney, Marc Jacobs, Gorgio Armani.

Cili është vendi i preferuar për të kaluar pushimet?

I dashuri im është nga Bahamas dhe shumë nga familjarët e tij jetojnë atje, ndaj ne i shijojmë shumë pushimet në Nassau. Gjithashtu kur kam kohë të lirë shkoj në Boston të takoj familjen time. Parisi është i mrekullueshëm dhe ka një vend të veçantë në zemrën time. Gjithashtu jemi duke kërkuar një shtëpi në jug të Shqipërisë; ka shumë vende të jashtëzakonshme dhe të virgjëra si Dhërmiu.