Qamil Grezda: “Grabitqari” i bukurisë!

Përmes punimeve artistike, dhe një linjë retrospektive, gama e krijimeve unike të piktorit të njohur shqiptar, rivjen në sytë e publikut më e plotë. Nga kontakti me natyrën, tek portretet e grave, gjithçka ka cekur jetën e artistit vjen në këtë ekspozitë

Më e plotë dhe e pasur në shumë aspekte të jetës së artistit ku nëpërmjet një retrospektive çdokush ka mundësinë për të parë vepra të pa ekspozuara më parë dhe shijojë të gjithë rrugëtimin e këtij piktori shumë të ngjyrtë dhe ndjesor. Përpos veprave të realizuara me teknikën e bojërave të vajit mbi kanavacë, lapsit të plumbit, sepias dhe karbonit mbi letër, pjesë e kësaj ekspozite, si një vlerë e shtuar dhe gjithashtu e pa ekspozuar asnjëherë më parë, janë copëza origjinale të vetë artistit dhe të jetuara prej tij, si: xhaketa dhe kapelet me të cilat ai dilte për të pikturuar në natyrë, këmbaleci, dy tavalocat, valixhja me penelat dhe bojërat që ai përdorte për të pikturuar subjektet e pëlqyera, fotografi të Qamilit gjatë periudhës së studimeve dhe diploma e Akademisë së Arteve të Bukura në Romë, letërkëmbimet dhe kartolinat mes tij dhe artistit të madh Ibrahim Kodra, video e vizitës së Ibrahim Kodrës në shtëpinë e Qamil Grezdës pas vdekjes së këtij të fundit, blloku i vizatimeve dhe skicave, qysteku në ar dhe diamante, të cilin e mbante me vete kudo ku shkonte, ditari vetjak dhe ajo që e përplotëson në tërësi të gjithë këtë ekspozitë, është maska në allçi e piktorit fill pas vdekjes së tij. Pra, të gjitha këto vlera artistike në formën e një corpus-i bën që personaliteti i piktorit Qamil Grezda të njihet në disa aspekte, qofshin artistike në krijimtarinë e tij, por edhe në atë jetësore nëpërmjet kësaj retrospektive në Galerinë Kombëtare të Arteve.

Supports text, HTML tags, JS code and video embed code