Artigiano hapi dyert në mars të 2013 në një nga kryqëzimet më të njohura në Tiranë, tek Libri Universitar. Shumë shpejt u bë një nga vendet më IN në kryeqytet. Pastat e freskëta të shtëpisë dhe sidomos raviolit e mbushura me ricotta e spinaq dhe salcë tartufi mbushin çdo ditë tavolinat e Artigiano, por për rubrikën tonë dedikuar kuzhinës festive, restoranti ka përgatitur një menu speciale.

RAVIOLI FESTIV
Artigiano njihet për pastat e freskëta dhe sidomos për raviolit të cilat përgatiten të freskëta çdo mëngjes. Për festa edhe raviolit vishen me ngjyra. Raviolit festiv janë në formë piramide me tre ngjyra dhe tre lloje mbushjesh të ndryshme. Brumi i raviolit të kuq bëhet me panxhar dhe mbushja është me domate të ëmbël. Brumi i raviolit jeshil bëhet me spinaq dhe mbushja është me mozzarella Burrata. Ravioli i verdhë ka mbushje me miks kërpudhash. Shërbehen me mouse djathi Parmigiano.

BEEF WELLINGTON
Beef Wellington është një pjatë festive me origjinë britanike. Historia thotë se ju gatua për herë të parë Dukës së Wellingtonit (Arthur Wellesley) për të festuar fitoren e tij në betejën e Waterloo kundër Bonapartit. Kjo recetë shumë e shijshme tani është përhapur në të gjithë botën dhe gatuhet me fanatizëm nga chefat më të mire. Tek Artigiano, Beef Wellington vjen me rastin e festive të fundvitit. Pjata përbëhet nga fileto viçi e veshur me krem kërpudha të ndryshme dhe me pas e mbështjellë me brumë. Shoqërohet me kërpudha Enoki (një nga kërpudhat më të veçanta), qepë të karamelizuara dhe salcë Demi Glace (që del nga reduksioni i lëngut të kockave të viçit me verë të kuqe)

BLACK FINANCIER
Financier është një ëmbëlsirë me origjinë franceze. E krijuar në 1890 nga chefi Lasner i cili e kishte pastiçerinë ngjitur me bursën e Parisit (Paris Stock Exchange). Klientela e tij ishin kryesisht brokers ose financierët që punonin në bursë, të cilët e pëlqenin shumë këtë kek të shijshëm të bërë me miell bajamesh (dhe jo miell të zakonshëm). Tek Artigiano kjo ëmbëlsirë quhet Black Financier jo sepse financier i tyre operon në tregun e zi, por sepse është e mbushur me reçel frutash pylli dhe sipër e dekoruar me mousse çokollate të bardhë. Shoqërohet me akullore vanilje e cila pwrgatitët në Artigiano.