Sokol Cikalleshi: “Misioni Im”

Ndjesitë pozitive post kualifikimit historik të Kombëtares Shqiptare për në Francë 2016-të dhe sfidat e radhës. Një rrëfim për futbollin, familjen, jetën private. Raporti me shokët e skuadrës, humbjet dhe fitoret. Sokol Cikalleshi, i cili cilësohet si bomberi më  i mirë i momentit në Kombëtaren Shqiptare të Futbollit, vjen në një intervistë ndryshe… 

Thotë se është i “pa fat”, mirëpo konsiderohet një nga “arkitektët”e fitoreve dhe rezultateve pozitive të skuadrës Kombëtare Shqiptare në fushën e blertë. Taktika, shpejtësia dhe koordinimi i duhur me shokët e skuadrës, e rendit sot Sokol Cikalleshin në sulmuesin e parë protagonist në lojën e futbollit. Kur ende duket sikur nuk kanë kaluar emocionet e fitores historike që e dërgon skuadrën tonë kombëtare drejt e në ndeshjet e kampionatit Evropian “Francë 2016-të”, ai vjen në një rrëfim ndryshe. Fillesat dhe idhujt e fëmijërisë në futboll, kapërcimi nga skuadra e Splitit të Kroacisë tek Instambul Basaksehir e Turqisë. Gjithçka mbi sfidat, fitoret dhe humbjet, marrëdhënia me shokët e skuadrës, miqtë më të mirë, ata më të besuarit, por jo vetëm. Njerëzit më të dashur që rrethojnë jetën e tij, familja, e fejuara, dhe planet për të ardhmen në aspektin profesional. Motivimi për të tjera fitore të radhës në verën e ardhshme në ndeshjet e evropianit, si edhe pritshmëritë personale të bomberit absolut të momentit në skuadrën kombëtare të futbollit.

Supports text, HTML tags, JS code and video embed code

Përshëndetje Sokol! Vazhdon akoma gëzimi i kualifikimit në Evropian, apo jeni qetësuar e mendoni vetëm për të punuar më fort?
Gëzimi i kualifikimit sigurisht që vazhdon, e me sa duket do të vijojë gjatë sepse është hera e parë që skuadra kombëtare shqiptare kualifikohet në një kompeticion sportiv kaq të rëndësishëm siç është Evropiani “Francë 2016”. Po ashtu jam shumë i lumtur që isha pjesë e këtij brezi futbollistësh që bën ëndrrën e gjithë shqiptarëve dhe tifozëve kuq e zi realitet. Ia dolëm mbanë me shumë mundime me sakrifica dhe çdo gjë u vendos në ndeshjen e fundit ndaj Armenisë, dhe të jem i sinqertë asnjë fitore nuk është e lehtë. Por, jam i lumtur që ne do të jemi pjesë e “Francë 2016” dhe do të shkojmë atje të bëjmë më të mirën tonë. Po përgatitemi fort, për të qenë të gatshëm për verën e ardhshme në ndeshjet e evropianit. Do të shkojmë atje për të bërë surprizën, pse jo! Ne jemi një kombëtare mjaft e fortë me lojtarë shumë të mirë.

Kualifikimi u quajt një mrekulli nga të huajt, kështu mendoni edhe ju?
Në çdo kompeticion ku ka marrë pjesë kombëtarja jonë, ka qenë sukses nëse ne do të klasifikoheshim në mesin e grupit dhe nëse ne do të merrnim vendin e tretë e të shkonim në play of, kjo do të konsiderohej diçka historike sepse edhe play off-in nuk e kemi arritur më parë. Por, të kualifikoheshim direkt, kjo doemos që shihet si mrekulli nga të gjithë. Kemi arritur të krijojmë një kombëtare kualitative dhe me sa duket fitoret i kemi korrur një nga një për të arritur në rezultatin ku jemi. Kemi menduar vetëm për lojën kundër Armenisë, duke  vendosur përveç taktikës dhe lojës së futbollit edhe shpirtin në fushë. Duke dhënë më të mirën tonë si ne lojtarët , ashtu edhe tifozët në tribuna, duke dëshmuar se jemi shumë të fortë edhe ndaj ekipeve më elitë të futbollit evropian. Po, kjo është një mrekulli, gati një ëndërr që ne e bëmë realitet, duke shkuar të sigurt në fitore drejt ndeshjeve të ardhshme të evropianit “Francë 2016”.

Humbja me Serbinë i mërziti jo pak shqiptarët…Kishte nga ata që kërkonin fitoren ndaj tyre më mirë se sa kualifikimin në Francë. Jeni dakord?
U zhgënjyem shumë, nga rezultati, por edhe nga mënyra se si i pësuam golat në minutat shtesë. I kuptoj shumë mirë shqiptarët që u ndjenë të mërzitur, por iu siguroj që po njësoj ishin edhe ndjesitë tona si futbollistë. Nëse do të arrinim të fitonim atë ndeshje, do arrinim të kualifikoheshim dhe gëzimi do të ishte i shumëfishtë, ndoshta edhe më me vlerë…Kjo ka të bëj me mënyrën si funksionon futbolli dhe besoj se duke lënë mënjanë pjesën tjetër të ndjesive, apo mënyrës si rrodhën ngjarjet në atë fushë…Megjithatë, arritja e kualifikimit nuk mund të baraspeshohet vetëm me një fitore ndaj Serbisë sepse kualifikimi është historik. Është diçka e paarritur më parë, edhe pse kombëtarja jonë gjithnjë ka luftuar me mish e me shpirt në fushë duke dhënë maksimumin, por ja që nuk ia doli dot. Ishim ne, ky brez futbollistësh që e arritëm dhe kjo na jep vetëm krenari.