Në mes qindra sipërmarrjeve handmade, të jesh unike dhe të sjellësh risi, përbën një vështirësi shpeshherë të pakapërcyeshme, por këtë problematikë nuk e ka hasur “100% handmade in Albania”, një sipërmarrje e cila na prezanton me punime fantastike dhe tejet të veçanta.
Si lindi ideja, si kryhet procesi i kriijmit të një vepre të re dhe cilat janë planet e së ardhmes, na i rrëfen Vitjola Stefani në një intervistë për Elegance.

Vitjola Stefani

Supports text, HTML tags, JS code and video embed code

Si nisi ideja e një sipërmarrjeje të tillë?
Piktura ka qenë gjithmonë bashkudhëtare me mua, por prej disa kohësh isha në kërkim të gjetjes së një identiteti që më përfaqësonte, diçka që të ishte më e prekshme edhe nga njerëzit që më rrethojnë. Punimet e para në porcelan ishin eksperimentime në një teknikë që nuk e kisha punuar më parë, gjithashtu u bënë edhe dhurata për miqtë e afërt. Reagimet pozitive më shtynë që të krijoja punime të reja.

Pse ke zgjedhur pikërisht të bashkosh dy kohë të tilla si të shkuarën dhe traditën me të tashmen?
Vetë teknika e pikturës në porcelan është e vjetër, kështu që është e paevitueshme ndërthurja e dy kohërave.

Çfarë të frymëzon për të krijuar?
Në përgjithësi, prirem të jem një shpirt i lirë dhe çdo gjë që bën diferencën nga e zakonshmja, më tërheq vëmendjen, pasi jam e joshur nga filozofia e së mirës në tërësi.
Më pëlqen një lule, një fëmijë, një xhest human; më pëlqen dashuria dhe janë pikërisht këto elemente që rrethojnë gjithë ambientin rreth meje.

Cilat janë hapat e krijimit të një vepre të re?
Një vepër e re është një emocion i ri, ndjenja që është zgjuar tek unë derdhet në telajo, ose në porcelan, nuk ka hapa strikte, pasi edhe bota ime është e mbushur nga dëshira për të zbuluar ndjesi të reja, të cilat pasqyrohen në punimet e mia.

Si funksionojnë krijimet, dizenjon e zgjedh klienti apo këtij të fundit i serviren opsione të ndryshme zgjedhjeje?
Krijimet vijnë si rrjedhojë e një bisede me personin që bën kërkesën dhe bashkëbisede të tilla sjellin punime shumë interesante.

Sa e vështirë është të kesh sukses me një sipërmarrje handmade në Shqipëri? A vlerësohet ajo sa duhet? Cilat kanë qenë problemet, por edhe lehtësitë me të cilat është hasur sipërmarrja?
Konkurrenca, si në të gjitha fushat e tjera, ashtu edhe në botën e artit, është e egër. Por unë jam përpjekur të gjej një linjë të ndërmjetme për të dalë mbi gjërat e njohura dhe për të sjellë risi. Nuk kam ndjerë konkurrencë, pasi kam krijuar klientelën time, të cilën e kam të përzgjedhur. Problemi i vetëm, nëse do ta quanim të tillë, është momenti kur vijnë kërkesa të shumta dhe duhen realizuar në një kohë të shkurtër dhe kjo situatë shtrënguese dhe krijon tension, por ia kam dalë mirë edhe në këto raste.

Në përgjithësi, cilat janë reagimet dhe opinionet e klientëve që nga porosia e parë dhe deri më sot?
Dua të theksoj se ndihem me fat për personat që kanë zgjedhur punimet e mia. Jemi rritur së bashku, të gjitha opinionet më kanë ndihmuar në përsosjen time artistike.

Cilat janë planet e së ardhmes përsa i përket “100% handmade Albania”?
Bashkë me grupin tim të punës po mendojmë që të gjitha produktet që në hapat e para t’i realizojmë vetë. Kjo do të kërkojë një kohë të caktuar, por shpresojmë se e ardhmja do të na buzëqëshë, siç ka bërë e shkuara dhe e tashmja. Gjithashtu, po shohim mundësitë e hapjes së pikave tona edhe në qytete të tjera, nga të cilat na vijnë më tepër porosi. Pra, po studiojmë kërkesat, me qëllim që t’u shkojmë më pranë atyre që shfaqin interes për punimet e mia.

error: Content is protected !!