5 ditë me stilin e Andja Trasja, Psikologe dhe ndërmjetësuese punësimi në OJF

E hënë
Tonaliteti i të zezës dominuese, në veshjen e fillim javës për Andjan, thyhet nga detajet e spilave me ngjyra dhe fluturës të realizuar me rruaza në mënyrë artizanale. Duket se aksesorët janë pikë e fortë në stilin e preferuar të saj, duke iu referuar unazës, orës, syzeve, dhe shallit të mëndafshit që e shton elegancën në tërësi.

E martë
Palltoja në ngjyrë limoni, është gjetja e duhur në veshjen e ditës së martë. Ndërsa, golfi dhe pantallonat e zeza, të kombinuara me këpucët me takë elegante, shtojnë dozat e një stili modern dhe chic. Çanta me motive leopardi, në ngjyrë bardh e zi, është kontrasti dhe gjetja më IN në gjithë veshjen e saj.

Supports text, HTML tags, JS code and video embed code

E mërkurë
Kombinimi bardh e zi duket se është ndër të preferuarit e saj! Pjesa fundore prej lëkure e pantallonave të Andjas, është një stil tejet modern, ndërsa këmisha e bardhë, ka veçantinë në pjesën e jakës, e cila ka një model tejet të veçantë me prerje asimetrike. Pardesyja pa mëngë, dhe aksesorët unik e plotësojnë të gjithë stilin e veshjes.

E enjte
Frudat në pjesën fundore të fustanit, në ngjyrë blu elektrike janë detaj sensual, që e bëjnë këtë veshje të stilit chic-modern, një zgjedhje unike për ditën e enjte. Ndërkohë, çizmet me gjatësi sipër gjurit, në ngjyrë të zezë dhe material kadife, janë “qershia” mbi tortë në këtë veshje.

E premte
Sport chic, zgjedhja e së premtes për Andjan! Në prag të fundjavës, ajo ka preferuar një stil veshje më praktik, por me shumë gusto. Fustani me prerje asimetrike, i realizuar me dy copa të ndryshme, ku ngjyra blu është dominuese, elementi i spilës krijon një detaj mjaft të spikatur që bie menjëherë në sy. Ndërkohë, çanta e lëkurës dhe atletet, janë kombinuar duke krijuar një look mjaft interesant.