Admir Pervathi është një piktor mjaft i njohur, i cili që prej nisjes së karrierës së tij, është dashuruar me ngjyrat dhe i ka bërë pjesë të pandarë të artit dhe procesit të tij krijues. Në një univers plot me ngjyra shpërthyese, piktori i talentuar rend mes natyrës dhe ndjesive për të krijuar kryevepra që shprehen në telajo mbresëlënëse.
I frymëzuar muzika, poezia dhe gjithçka që i zgjon ndjesinë e së bukurës, Admiri nuk heziton të rrëmbejë penelin dhe të zhytet në botën e ngjyrave.

Supports text, HTML tags, JS code and video embed code

Si lindi pasioni juaj për penelat dhe telajot?
Jam rritur mes ngjyrave që në moshë të vogël dhe kisha kureshtje për mënyrën si hidheshin ngjyrat në tablo nga im atë. Nisa të vizatoj shumë herët dhe figurat e mia më të dashura ishin ato mitologjike, apo nga luftrat e Skënderbeut. I vizatoja në mënyrën time naive, si një fëmijë 6-7 vjeçar.
Im atë ishte tepër i kujdesshëm dhe më ka stimuluar, duke i dërguar vizatimet e mia në revistën “Fatosi”, e cila u dedikohej fëmijëve. Atje janë botuar edhe disa prej krijimeve të mia. Pastaj, ma ka lënë mua në dorë zgjedhjen, e cila ka filluar vrullshëm në klasën e tetë.
Unë kam jetuar në kohën më të vështirë, atë të fillimeve të tranzicionit dhe ëndërroja që të bëhesha piktor, pasi atëherë nuk ishte as në modë dhe as e mundur. Por, ëndrra e fëmijërisë mbeti gjithnjë e ndezur brenda meje dhe u finalizua me studimet në Liceun Artistik. Aty mund të them se ëndrra ime mori një tjetër shteg dhe katër vite më vonë, me diplomimin tim u finalizuan përpjekjet e mia.

Pikturat tuaja karakterizohen nga një “kaos” i mrekullueshëm me shpërthime ngjyrash dhe abstraksion. Ju jeni shprehur se: “Pikturat tuaja janë në fakt shprehi e ndjesive, të cilat marrin jetë në ngjyra”. Nisur nga kjo, si është brendia juaj, një kaos apo një univers shumëngjyrësh?
Pikturat e mia i përkasin rrymës së ekspresionizmit abstrakt. Emocionet lindin nga ngjarje, histori, filma, poezi, këngë, udhëtime, gjithçka që përjetoj dhe shprehen në tablo plot ngjyra. Për mua, piktura është gjithmonë ajo pjesa e përballjes me krijimin. Momenti kur shikon një vepër është një kërkesë që i bën vetes për t’u shprehur bukur, të jesh piktorik dhe të përcjellësh tek artdashësit përjetimet e tua emocionet e ngjyrave dhe kombinimeve. Është si ai momenti që të bën të ndihesh i dashuruar dhe e përjeton atë marrëdhënie.
Por jo në të gjitha pikturat kjo ndjesi shprehet me ngjyra të gëzueshme. Momente të ndryshme të ndjesive që ke përbrënda, përcillen në forma të ndryshme të ngjyrës. Në pikturë mundohem të krijoj raporte të bukura mes të ftohtës dhe të ngrohtës, si dhe trajtimin e patosit në momente të ndryshme. Velaturat janë pjesë e pikturës sime dhe magjia që krijohet, më bën të humbas në imagjinatë.

 

Çfarë ka shërbyer për ju si muzë frymëzimi gjatë kësaj periudhe të vështirë?
Situata që kaluam krijoi tek unë një ndjesi të çuditshme. Fakti që duhet të izoloheshim dhe të zbatonim disa rregulla, për mua mbeti si rutinë e përditshme. Mbyllesha në studio dhe punoja, ushqeja veten pozitivisht, duke sjellë në disa tablo ngjyra të gëzueshme. Ndoshta, kjo ishte ajo që e mbushte pjesën e brendisë sime. Vetë situata nuk ishte e bukur, por duke fantazuar për udhëtimet dhe momentet e lumtura që kemi përjetuar, apo për eksperiencat e bukura që na presin, interpretoja tablo plot ngjyra e jetë.
“Mëngjesi i bardhë”, “Vera është duke ardhur”, “Vajza e maleve”, “Mali i artë”, “Ishulli i Pashkës” (ishte periudha e Pashkëve), “Gjethet e vjeshtës”, apo “Pranvera” ishin disa nga titujt e pikturave që realizova gjatë kësaj periudhe.

Përpos pikturës, cila gjini tjetër e artit ju pëlqen?
Përpos pikturës ushqej edhe pasione të tjera, të cilat më kanë shoqëruar që në fëmijëri. Koleksionoj monedha dhe filatelia, kuptohet në mënyrë amatore, por kam qenë gjithmonë pasionant ndaj tyre. Pastaj si gjini e artit, më pëlqen muzika klasike, si dhe muzika e ditëve të sotme, veçanërisht baladat nga grupe të ndryshme muzikore. Mendoj se grupet që dëgjonim në fëmijëri do të mbesin me ne gjithmonë, grupe si Chris De Burgh Doors, etj. Në fakt, kam edhe krijime me impresione nga këngë të ndryshme si: “Boat on the river”, “Riders on the storm”, etj.

Pikturat tuaja lindin nga natyra dhe harmonizohen në ngjyra fantastike dhe vibruese, ndaj natyrshëm na lind pyetja: Sa e ngushtë është lidhja juaj me natyrën?
Për shumë arsye, lidhja ime me natyrën është e ngushtë. Si një motiv kryesor do të veçoja faktin që fillesa ime vjen pikërisht nga panelatat e tim ati në natyrë. Sot, në pikturat e mia gjenden shumë tablo që lidhen me pikturën: “Vjeshtë”, “Nëntor i ëmbël”, “Dëborë në mal”, “Pylli i kuq”, “Lulet e kumbullës”, etj dhe transmetojnë disa momente të bukura që kam përjetuar nga e dashura natyrë.

Nëse lexojmë mbi kritikat për artin tuaj, mund të themi se janë shumë pozitive dhe kritikët nuk janë kursyer aspak me vlerësimet. Si ndihet një artist për këtë?
Kritika është shumë e rëndësishme në artet figurative, e sidomos për secilin krijues. Në të shumtën e herës, shërben si një busull. Jam i ndërgjegjshëm që shpeshherë, kur shkruhet për ne, bëhet ndonjë lëshim i vogël, pasi ne kemi nevojë për fjalë të mira dhe motivim, por duhet t’i peshojmë mirë ato që të mos përfshihemi nga delirantizmi. Ky i fundit është një sëmundje që të “prangos” dhe nuk të lejon të ecësh përpara, ndaj mund të them se jam i kujdesshëm në këtë drejtim.

Ju keni marrë pjesë në shumë ekspozita, ku mund të përmendim: Bienalen e Romës, Muzeumin “Pamphilj”, pjesëmarrjen në Stamboll, Greqi, Ljubjanë, Budapest e në shumë vend të tjera. Cilat janë planet e së ardhmes dhe ku do t’i shohim të ekspozuara pikturat tuaja?
Kam marrë pjesë në shumë ekspozita personale dhe kolektive, ku dua të veçoj atë në Gleisdorf Bocholt Graz Budapest.
Pjesëmarrës jam qenë edhe në “Art Fair” Vankuver, “Art Fair” Selanik, gjithashtu në Lujbjanë dhe Maribor, pjesë e “Kalo Art Gallery”. Jam prezantuar në bienalen e Romës, në muzeun “Pamphilj”, etj.
Ekspozita e fundit personale ishte në Rezidencën e Ambasadorit Europian, Luiggi Soreka, e pagëzuar me emrin “Embracing Colors”, e cila u çel vitin e kaluar, në Ditën e Verës.
Do të përmendja gjithashtu edhe pjesëmarrjen në galerinë spanjolle “Gaudi” në dhjetor të vitit 2019, në “Art Fair” Luksemburg. Me një kontratë afatgjatë, jam pjesë e dy galerive në SHBA: “Coda Gallery” dhe “Casanova Art Gallery”, saktësisht në Kaliforni dhe në Florida.
Dëshira është që të vij me një ekspozitë personale, por nuk mungojnë edhe ftesa të ndryshme nga jashtë vendit, ndaj më mirë t’ia lëmë kohës.

Leave A Comment

Your email address will not be published.

error: Content is protected !!