Dorina Garuci – A star is born!

“Gjeniu i Vogël” është një prej programeve që ka mbetur gjatë në kujtesën e shqiptarëve. Ky program ka dhënë kontribut të madh në zbulimin dhe zhvillimin artistik me një ëndërr të përbashkët, muzikën. 15 vjet më vonë, Dorina Garuci është një prej këngëtareve më të kompletuara dhe i ka marrë zemrën publikut shqiptar që prej kur ishte një vogëlushe e ëmbël.

Jo vetëm Shqipëria e dashuron zërin e Dorinës. Tingujt e zërit të saj kanë depërtuar edhe në Vienën e artit, ku këngëtarja shkodrane falë talentit të saj ka marrë vlerësime të jashtëzakonshme. Mediat austriake e kanë vendosur në faqet kryesore dhe kritikat kanë qenë shumë pozitive. Talenti i Dorinës është i papërsëritshëm dhe ka arritur “të bëjë zhurmë” kudo ku ka performuar. Që prej pjesëmarrjeve nëpër kompeticione muzikore dhe çmimeve me të cilat është nderuar, muzika e saj ka evoluar dhe ndryshuar, konceptet artistike gjithashtu, eksperienca e jashtëzakonshme nëpër shfaqje teatrale emocionuese dhe me shumë peshë për publikun, por jo mirënjohja që këngëtarja ndjen për vlerësimet e marra në fëmijëri.

Supports text, HTML tags, JS code and video embed code

Të papërsëritshme, luftarake dhe shumë të dedikuar në punën e saj, Dorinën e kemi shkëputur paksa nga obligimet artistike për ta sjellë më pranë publikut, këtë herë me një intervistë.

Dorina Garuci “zhvishet” nga petku i këngëtares së madhe dhe na tregon për etapat e ndryshme të jetës së saj: dashuria për këngën, familjen, peripecitë që ka hasur, jetën private dhe planet në karrierë.

FËMIJËRIA

Dorina, si ka qenë fëmijëria jote?
Të kthehesh pas në vite gjithmonë ka nostalgji, e sidomos fëmijëria. Kujtoj një fëmijëri të hareshme, të lumtur dhe me sakrifica të prindërve për të ndjekur ëndrrat e mia.

Cilat janë kujtimet që ruan nga ajo periudhë? Ke nostalgji për qytetin e Shkodrës dhe çfarë kujton me më tepër mall?
Çdo gjë. Duke filluar nga lojrat e ndryshme deri në orët e vona me shokët dhe shoqet në rrugicën e lagjes, të kënduarit nëpër shtëpi dhe komshinjtë që gëzoheshin njëherësh me mua, grindjet e mëngjeseve me motrën që unë të haja mjaltin përpara ikjes në shkollë, e deri tek biçikleta e babait tim që më shoqëronte në ëndrrat e mia, bashkë me zemrën motivuese të mamit.

 Kur dëgjon emrin e qyteti tend, si reagon?
Bëhem fëmijë dhe zemra bërtet nga krenaria. Shkodra asht’ ajër, dashni’ e përjetshme! Ka luajtur një rol të fortë në personalitetin tim sot.

 Ke ende miq të vjetër nga fëmijëria, me të cilët ruan kontakte?
Po, ndonëse u bënë 8 vite që unë jam shkëputur nga Shqipëria, por falë teknologjisë jemi më afër.

Kur ka qenë kontakti yt i parë me skenën?
Në moshën 5-vjeçare, në daljen time të parë si soliste në festivalin mbarëkombëtar të fëmijëve në Shkodër, teatri “Migjeni”. Ndërkohë zbulimi u bë që në kopësht.

 ADOLESHENCA

Sa e vështirë është për një njeri që merret me art të ketë një adoleshencë si gjithë të tjerët?
Është e vështirë pasi përveç delirit që vetë adoleshenca të jep, isha dhe në periudhën e “etheve” (“Ethet e së premtes mbrëma”), ku fokusi ishte goxha i madh tek unë. Faleminderit prindërve që kanë ditur të menaxhojnë këtë pjesë, duke më ruajtur të qëndroj modeste me këmbë në tokë.

Periudha e adoleshencës të bëri edhe më familjare me publikun me pjesëmarrjen në “Ethet e së Premtes Mbrëma”, çfarë mbresash ke nga ai spektakël? Po periudha e “Gjeniut të Vogël” pati impakt në karrierën tënde?
Janë disa elemente që mua si Dorinë do të më shoqërojnë për gjithë jetën artistike. “Ethet” dhe “Gjeniu i Vogël” kanë qenë të tilla e jam mirënjohese për këto ekperienca fantastike.

Si e kategorizoje veten, si një adoleshente rebele apo një vajzë e qetë?
Rebele për energjinë, e qete për maturinë. Quhet? (qesh)

JETA PRIVATE

Vitin e shkuar ti dhe bashkëshorti i dhatë fund beqarisë, ku me një postim në rrjetet sociale ndave një “premtim” shumë të ndjerë “Përgjithmonë Bashkë”. Çfarë ka ndryshuar në jetën tënde?
Ështe një rritje dhe ngritje përgjegjësish e mirëmenduar. Sot mendoj për dy, jo më vetëm për veten. Kam kuptuar që dashuria për punën është e madhe, por ajo e zemrës është e pazëvendesueshme!

Sa përkrahës është bashkëshorti yt dhe a e ndjek ai karrierën tënde artistike?
Nëse deri dje kam qenë rreptësisht individualiste, të marr përsipër gjithçka vetë dhe vetëm me veten, sot për shumë gjëra, më tepër siguri dhe besim kam tek ai sesa tek vetja ime. E di që për çdo gjë, (ndonëse egoja femërore na ngacmon ndonjëherë dhe do të dalë e imja), ai e ka zgjidhjen. Në profesionin tim, mbështetja ka qenë gjithmonë me shumë rëndësi, pasi më ka dhënë motivacionin për të besuar në vetvete e për ta zhvilluar ëndrrën time në skenë.
Ai është një realist i cili mundohet gjithmonë të më mbajë me këmbë në tokë e do të sigurohet që unë po marr mundin tim siç duhet. Është bërë një njohës/kritik shumë i mirë për çdo shfaqje/premierë që unë kam luajtur. Mbështetja e tij, jo vetëm në profesion, më ka dhënë e më jep krahë për të fluturuar botën.

Me familjen çfarë marrëdhënie ke sot?
Mos të ishte për dashurinë pa kushte, sakrificat e panumërta, mbështetjen e tyre, unë sot nuk do të isha këtu ku jam. Gjithçka që personifikoj si njeri me vlera, më pas si artiste, është pa diskutim falë Zotit dhe familjes sime. Uroj që Zoti të m’i falë edhe për 100 vite të tjera, për t’ua shpërblyer sadopak.
Marrëdhënia? Janë burimi nga ku unë furnizohem çdo ditë me diell.

A ka një trashëgimi arti në genet e tua?
Mbiemri i familjes sonë njihet si një familje tipike e vjetër shkodrane. Nga ana e artit babai im ka shkruar dhe punuar në “Radio Shkodra”. Kemi kushurinj të babit shkrimtarë, piktorë, aktorë, pedagogë gjuhë-letërsie Petrit Garucin, i cili ka kënduar në Operën e parë “Mrika”, nga ku mendohet që unë e kam vijuar më tej traditën.

KARRIERA

Ti u largove nga Shqipëria disa vite më parë për të studiuar në konservatorin e Vienës, specifikisht për gjininë “musical”. Si ishte ky kalim atje, periudha e parë?
Të rifillosh gjithçka nga A-ja nuk është e lehtë. Ishte totalisht një sfidë e re, si nga ana profesionale, pra tre zhanre njëkohësisht: këndim-aktrim-balet; po ashtu dhe si kulturë, gjuhë dhe jetesë e re. Pa diskutim sakrificë që do e bëja sërish.

Si e more këtë vendim për të shkuar në Vienë dhe çfarë ndryshimesh solli kjo në jetën tënde profesionale?
Duke qenë se familja ime dhe unë kemi investuar gjatë gjithë kohës, përmend këtu 12 vite shkollë muzike për violinë, kompeticionet që në fëmijëri etj. Eksperiencat mbi supe bëjnë që të dëshirosh të marrësh edhe më tepër përgjegjësi mbi vete, për hapa edhe më të mëdhenj. Shkollimi në një ndër konservatorët më të mirë në Vienë, në një degë që në Shqipëri për fat të keq nuk ekziston, atë të Musicalit, nuk ka qenë rastësi, por një ëndërr e madhe, e cila u bë realitet falë mundit dhe sakrificës. Më ka falur kaq shumë profesionalisht kjo eksperiencë! Me modesti them që më ka plotësuar në mënyrë të jashtëzakonshme të qenurit artiste në të gjitha dimensionet e saj dhe me bindje them se ka qenë investimi më i mirë i karrierës sime!

Si të ka pritur Austria dhe teatro atje, si ka qenë rritja jote artistike?
Viena është mrekulli! Është vendi që më ka hapur dyert e shumë teatrove në gjithë Austrinë dhe në Gjermani, e për këtë i jam vërtet mirënjohëse, për arsimimin që kam marrë, si dhe kontratave të produksioneve teatrale që kam fituar këtu.

Cilin veçoni si momentin më të rëndësishëm deri tani të karrierës?
Karriera mban shumë momente të rëndësishme dhe sa më shumë përmirësohesh, akoma dhe më tepër kërkon të synosh. Unë do veçoja me krenari dy nga momentet që më kanë dhënë vetëbesim dhe më kanë bërë që të punoj edhe më fort; fitoren e kontratës së parë për të luajtur rolin kryesor femëror, atë të Stephany Mangano të musical-it “Saturday Night Fever”, ndonëse isha akoma me studime, si dhe përfundimin e studimeve 4-vjeçare për Musical me “Auszeichnung”, rezultatet më të larta në Konservatorin e Vienës (MUK).

A ka ndonjë rol, apo personazh të veprave të interpetuar apo që dëshiron të interpretosh që e ke më përzemër dhe pse?
Bukuria e Musical-it qëndron padiskutim te veprat dhe rolet e ndryshme që ky zhaner të ofron. Nga rolet që unë kam luajtur, do të veçoja atë të Lucy Harris në musical-in “Jekyll&Hyde” për intensitetin, vuajtjen, sensualitetin e forcën që ky rol ka. Do të dëshiroja ta luaja sërish. Ndërkohë një rol të cilin do dëshiroja ta performoja njëherë është ai i princeshë Elisabeth (Sissi), të musical-it “Elisabeth”, për shkak ndoshta se i përket dhe Austrisë, Vienës :).

Nëse klikon në “YouTube”, këngën “Mawlaya”, e sheh që ka marrë mijra klikime, si erdhi produksioni i kësaj kënge?
Kënga “Mawlaya” erdhi si një ftesë nga Medreseja “Haxhi Sheh Shamia” në Shkodër, me rastin e ditëlindjes së profetit Muhamed A.S në teatrin “Migjeni”. Unë besoj shumë dhe ka qenë ndër performancat më të veçanta që kam përjetuar, duke iu drejtuar Zotit të Gjithësisë. Nuk kam për ta harruar asnjëherë atë emocion dhe si duket ky emocion ka përfshirë edhe shumë njerëz që kanë parë videon në YouTube, e nga të cilët edhe sot pas kaq vitesh, vazhdoj të marr sms nga e gjithë bota. Shpreh falenderim!

Në vitin 2018 ti interpretove rolin e Bonni-t në muzikalin e famshëm të ambientuar gjatë depresionit të madh në Amerikë. Çfarë lloj Bonni ishe ti?
Bonnie Parker, një tjetër rol me të cilin jam dashuruar. Ne kemi patur Premierën Austriake në korrik të 2018-tës. Realiteti me të cilin ky personazh përballet gjatë veprës, bën që të nxjerrë disa anë të karakterit; njëherë brishtësinë, me ëndrrat brenda e me pas frikën, të cilën e mposht me forcën e dashurisë së saj. Jam munduar ta lidh pak me Dorinën ëndërrimtare e kjo më ka ndihmuar që t’i afrohem dhe më tepër këtij roli.

Kjo vepër të dha mundësinë të takoheshe në New York (Shtëpia e Musicals), ku ke punuar krah kompozitorit Frank Wildhorn, si ishte kjo ekperiencë?  
Kam patur kënaqësinë që në New York të takoj dhe të punoj me Frank Wildhorn, kompozitorin e kësaj vepre Broadway. Ishte një mundësi fantastike të këndoja dhe performoja para tij e të merrja këshilla për realizimin e personazhit. Ndërkohë disa muaj më vonë, sërish në New York pata mundësinë të takoj edhe Broadway Bonnie-n, Laura Osnes e kështu patëm një takim alla Broadway Bonnie- Austrian Bonnie. Pa diskutim emocione të forta e motivuese.

PRODUKSIONET E FUNDIT

Në bisedën tonë më tregove se aktualisht je në një turne në Gjermani me veprën “Wahnsinn” (Çmenduria), një musikal jo si gjithë të tjerët, çfarë e bën të ndryshme këtë vepër?
Musical-i “Wahnsinn” është një produksion ku publiku nuk është ai klasiku që të duartroket në fund me ëndje, por nga energjia që merr sapo fillon shfaqja, çohet edhe në këmbë e këndon me ty. Këtu vlen të theksohet që kemi të bëjmë me të gjithë këngët e “Wolfgang Petry” , një artist shumë i njohur në vendet gjermanisht-folëse i viteve ’80-’90, këngët e të cilit kanë frymëzuar një histori e duke e kthyer këtë në musical, premierën botërore, që e kemi patur në shkurt të vitit 2018. Për shkak të suksesit të madh, këtë vit ne kemi turne në shumë vende të Gjermanisë.

Autorët Martin Lingnau dhe Heiko Wohlgemuth, kanë bërë bashkë 4 çifte që përjetojnë një ditë ndryshe ku tejkalohen të gjitha etapat e dashurisë dhe marrëzisë, ju interperoni rolin e (Gianna), një vajzë që veç karakterit të veçantë ruan edhe një sekret. Si e ke gjetur veten te ky personazh dhe cili është sekreti i saj?
Gianna, është një vajzë italiane me shumë temperament që zotëron një biznes privat të prindërve të saj dhe njihet me një muzikant (Tobi) dhe kanë një histori dashurie. Ajo ka një vajzë dhe mendon që duke e ruajtur këtë sekret, nuk do humbasë Tobin. Mirëpo ai mendon se Gianna e tradhëton e kështu historia zgjerohet, por fundi i veprës është me happy end (fund të lumtur). Duke qenë se ne si shqiptarë kemi goxha temperament dhe energji, më ka ndihmuar shumë ta përvetësoj si rol.

Me rolin e Gianna-s kritika të ka vlerësuar si një këngëtare me shumë temperament. “Në mënyrë bombastike luan Dorina Garuci rolin e Giannes” (Bombastisch spielt Dorina Garuci als Gianna. Der Westen,NRW) si dhe “Këtë emër duhet t’a fiksoni me patjetër, Dorina Garuci në rolin e Lucyt në musical-in “Jekyll&Hyde“ (Den Namen sollte Mann sich unbedingt merken; Dorina Garuci in der Rolle der Lucy in “Jekyll&Hyde”, Krone Zeitung, Vienna)” kanë qenë disa prej vlerësimeve që të janë referuar. Çfarë ndjen një artist kur merr vlerësime të tilla?
Jam ndjerë e bekuar. Është shpërblimi më i bukur që mund të marrësh. E sidomos, kur kjo vjen nga një vend që nuk është vendlindja jote, ndihesh dyfish mirënjohës dhe të bën që të vazhdosh dhe të ëndërrosh e të punosh fort, sepse mundi/talenti po që shpërblehet.

Sa përgjegjësi ndjen një artist kur kritika, ndryshe nga sa ndodh në vendin tonë, funksionon?
Ke përgjegjësi më të madhe. Janë njohës fanatikë të veprave. Ata janë gati edhe për presjen tënde, apo ngjyrën e parukes nëse nuk të shkon. Të gëzon diçka e tillë, pasi kështu na imponojnë të japim gjithmonë 100% në skenë e për 3 orë shfaqje të jetojmë lëkurën e asaj vepre.

Meqenëse jemi tek rolet, le të ndalemi pak tek një tjetër muzikal “West Side Story”, ku ti interpreton rolin e Anitës në Shtëpinë e Muzikalëve të Dortmundit, përpara 2000 spektatorëve, si vjen ky rol tek ti?
“West Side Story”, një musical klasik me një muzikë dhe histori të jashtëzakonshme. Anita ka qenë një rol, të cilin që gjatë studimeve më thoshin që duhej ta luaja. Është një rol që çdo aktore Musicali dëshiron ta luajë njëherë. Një portorikane e cila dëshiron të integrohet në Manhattan (New York) dhe pasi ndodhet në skena të dhunshme psikologjike dhe fizike, ruan prapë krenarinë e dinjitetin e saj, duke u munduar t’i shpëtojë jetën Marias, shoqes së saj. Rol me një peshë të madhe psikologjike, por kjo është e bukura e sfidave.

Anita është pjesë e trinomit të këtij muzikali që konsiderohet si “Romeo dhe Zhulieta” e kohëve tona. Çfarë e ka bërë special këtë muzikal që në të gjitha datat e tij kishte interes shumë të madh dhe të gjitha biletat ishin shitur, duke detyruar teatrin të shtojë edhe 2 data të tjera ekskluzive gjatë muajit Prill?
Pasi mesazhi i kësaj vepre ekziston edhe sot, në kohërat që jetojmë. Vazhdon të ketë vende që nuk duan ta pranojnë njëri-tjetrin. Nuk ka solidaritet për të ardhurit, të cilët duan të ndërtojnë një jetë më të mirë. Vlen të përmendet regjia e mrekullueshme e Gil Mehmert, e cila prek çdo spektator në sallë, nga fillimi në fund, orkestra gjigande e teatrit “Opernhaus”, Dortmund, si dhe cast-in briliant me të cilin ndajmë skenën. Publiku i Dortmund-it është shumë i veçantë dhe duartrokitjet e gjata nuk kanë munguar në asnjë shfaqje deri më tani.

 

Cilat janë projektet që pritet të kesh gjatë vitit 2019?
Momentalisht kam paralel Anitë-n dhe Giannë-n, deri në verën e këtij viti e më pas do jem në Munich me musical-in “Priscilla, Queen of the Dessert” në rolin e Divës. Gjithashtu për vitin 2020 kam firmosur një tjetër kontratë e cila shpejt do jetë edhe publike.

Ku e sheh Dorina karrierën e saj pas 10 vitesh?
Pas 10 vitesh, uroj ta shoh veten aty ku jam, duke shijuar duartrokitjet e furishme të publikut tim e duke u kthyer në shtëpinë e mbushur me dashuri dhe bekimin e Zotit.

Në fund një mesazh për lexuesit tanë?
Duke ju falenderuar për ndjesinë e mirë dhe kohën e kësaj interviste, uroj më të mirat për çdo shqiptar, e sidomos për ato që ëndërrojnë. Punoni fort, Ai lart ju shpërblen!