Driant Zeneli: Artisti multidimensional

Mes lëmit të artit figurativ, e së fundmi botës së kinemasë me realizmin e një dokumentari fiction, artisti i njohur shkodran që prej vitesh jeton në Itali rrëfen përvojën e fundit profesionale në një tjetër zhanër artistik që duket se e ka bërë për vete, pa kushte…

E gjithë gama e punimeve të tij, është një kërkim i vazhdueshëm rreth zhanreve artistike duke lëvruar nga piktura, tek video instilacionet, e së fundmi një dokumentar fiction, i cili do të publikohet në arenën ndërkombëtare gjatë muajit Mars. Copëza të shkëputura nga realiteti artistik i protagonistit që e ka zhvendosur aktivitetin e tij në Itali, Evropë e gjetkë, dikur fitues i çmimit të parë të Onufrit, me veprën e cila flet për të tashmen duke parë të kaluarën për të kuptuar më mirë të ardhmen, vjen së fundmi para publikut dhe artdashësve të shumtë me një galeri tjetër realizimesh profesionale, përmes një kapërcimi të ndjeshëm nga artet figurative tek kinematografia. Driant Zeneli e quan çdo vepër tijin asgjë më shumë veçse përfundimin e një mendimi të gjatë, ku artisti përfundon një cikël ose nis një të ri. Ai jep më shumë detaje në intervistën e mëposhtme, rreth angazhime profesionale, sipërmarrjes së re në fushën e kinematografisë, ekspozitat e radhës, etj.

Supports text, HTML tags, JS code and video embed code

Driant e realizojmë këtë intervistë në një periudhë profesionale e artistike të ngjeshur për ty. Aktualisht, je i angazhuar me filmin e ri që po realizon në Antalia të Turqisë, një ekspozitë në Stamboll, ndërkohë që nisesh drejt Romës për prezantimin e një serie videosh në AlbumArte Romë…
Në këtë moment ndodhem në Skoci, ku po bëj një kërkim në Visual Research Space në Dundee mbi videoartin në Britaninë e Madhe rreth viteve 70-80’. Njëkohësisht po punoj me filmin e ri të sapo realizuar në Antalia në jug perëndim të Turqisë, vend ku shumë njerëz e njohin për turizmin veror. Në fakt në 10 vitet e fundit në këtë vend janë ndërtuar shumë hotele që imitojnë qytetet e ndryshme të botës perëndimore si Amsterdami, Moska apo Venecia, tashmë bregdeti i Antalias është  kthyer gati në një Lasvegas verore. Filmi im përqëndrohet tek Venecia, ajo që po realizoj është një mokumentar – dokumentar fiction, i gjithi video që përshkruan në imtësi trupin e arkitekturës me muzikë të kompozuar nga kompozitori  palestinez Said Murad. Muzika po kompozohet posaçërisht për filmin, i cili flet për diçka të vërtetë po që në realitet nuk është ajo që t’i sheh, pra një Venecia që nuk është ajo reale po në të njëjtën kohë trajtohet sikur të jetë realja. Filmi flet për influencën mes Oksidentit dhe Orientit dhe Venecia është shembulli më eklektik i raportit shekullor mes kulturave të ndryshme. Projekti është i financuar nga Fondacioni Italian Pistoletto Fondation dhe ai Turk IKSV Fondation. Filmi prezantohet në Stamboll më 4 mars në Tophane-i Amire Cultural Art Center në një ekspozitë kolektive, e cila titullohet “Ottomans and Europe”.

Një kapërcim i ndjeshëm ky për një artist të arteve pamore si ju. Cila është lidhja me kinematografinë, filmin?
Vi nga një formim akademik ku për shumë vite kam studiuar skulpturë. Nevoja për të kthyer peshën e formës së skulpturës në një diçka tjetër më të lehtë për t’u zhvendosur dhe për t’u përcjell, bën që të lind nevoja për të përdorur një medium, i cili udhëton dhe manipulohet shumë më thjesht ku do që ti të jesh. Kështu që mediumi i videos dhe i fotos bëhet hapësirë e re për të eksploruar forma të ndryshme, për të përshkruar atë që ti sheh. Edhe se nuk mund ta kufizoj veprimtarinë time vetëm në video o foto. Në veprat i mia ajo që merr pjesën më të madhe është përfshirja e publikut ose e imja në plan të parë duke performuar në mënyra të ndryshme.

E ndoqët kompeticionin e artit bashkëkohor “Onufri 2015”? Ju dikur kenë qenë fitues i këtij konkursi me veprën “Kur të rritem dua të bëhem artist”…
Pata  rastin të isha në Tiranë dhe të vizitoja Onufrin 2015 mbasi kisha vite pa rastisur në një Onufër. Ekspozita ishte në nivel shumë të mirë kuratorial, kishte vepra të artistëve shumë të njohur ndërkombëtar dhe kjo bëri që dhe interesi të rritet më shumë. Gjithashtu kishte dhe vepra të artistëve të ri shqiptar me nivel shumë të mirë. I uroj fituesit që çmimi të bëhet një shkak i mirë për të vazhduar ëndrrën e tij.

Së fundmi keni qenë pjesë e projektit “Atelier Albania”, ku qasja juaj artistike është prezantimi i Shqipërisë ndër vite, pa ngulmuar në reminishencat komuniste. Si arritët ta materializoni artistikisht mesazhin tuaj?
Çdo gjë nisi shumë thjesht…Vendosa të mos ekspozoj asnjë vepër të realizuar përpara, por ta transformoj hapësirën që kisha në dispozicion në një Atelier Arti dhe mendimi bashkëkohor. Vendosa të ftoj studentë nga Universiteti i Arteve dhe Liceu Artistik, falë kësaj dhe bashkëpunimit me profesorët e Liceut dhe Universitetit të Arteve.  Studentët ishin të ftuar të punonin bashkë duke u nisur nga mozaiku Shqipëria në ballinën e MHK-së. Në fillim bëmë një guidë nëpër muzeum që na tregoi se si është trajtuar imazhi i Shqipërisë ndër vite dhe pyetja që unë u bëra studentëve ishte: si e shihni e si mund ta prezantoni ju Shqipërinë sot? Cilët janë heronjtë dhe jo heronjtë e sotëm? Kështu që hapësira e MHK u kthye në një vend ku mendimi i lirë merr formë.