Edicioni i katërt i Think Tech u zhvillua në një maratonë dy-ditore eventesh

Për të katërtin vit radhazi, në dy ditët e fundit të marsit, u organizuan “Hackathon” dhe “Think Tech”, evente që tashmë, janë kthyer në traditë, me qëllimin për të motivuar dhe sjellë mundësi fantastike për të rinjtë.

Forumi i Think Tech është themeluar nga z. Erion Isufi, CEO i “Landmark Communications & Technologies”, me mbështetjen e partnerëve: “Sisal”, “Moveo”, “Genomes”, “One Telecommunications”, “ProCredit Bank Albania”, “Beta Plan Coding Bootcamp” dhe Universiteti “Epoka”. Më 30 mars u organizua “Hackathon”, edicioni i dytë, i cili i parapriu konferencës teknologjike, “Think Tech”. Këtë vit, “Think Tech Hackathon” solli një temë mjaft interesante dhe inovative, si “Smart Solutions”, ku garonin 6 skuadra për çmimin e madh prej 1,000 eurosh.

Supports text, HTML tags, JS code and video embed code

Ideja e cila ia doli të fitonte simpatinë e jurisë, me një diferencë shumë të vogël pikësh, ishte “Mask Detection”, frymëzuar nga pandemia e Covid-19, si një risi, e cila mund të përdoret në qendra të mëdha tregtare apo aeroporte për personat të cilët mbajnë ose jo maskën.

Juria përbëhej nga z. Antonio Quattrocchi, Drejtor i ICT Lab për “Sisal Albania”, i cili ishte dhe kryetari i juries; znj. Juliana Lula, Drejtore e Teknologjisë për “Moveo Albania Technology”, dhe znj. Orieta Vashko, Menaxhere Projektesh për “Landmark Technologies”. Ndërsa më 31 mars, u mbajt konferenca e katërt teknologjike “Think Tech”, me dy panele të përbërë nga ekspertë të fushës së teknologjisë dhe jo vetëm, të cilët ndanë përvojat e tyre se si “Web 3” (tema e diskutimit për këtë vit), ndikon në përditshmërinë e tyre.

Nën moderimin e znj. Wendy Morava, “Think Tech” u kujdes që të shërbente sërish si një dritare informacioni për të rinjtë, duke prekur tema të ndryshme si: web 3, bitcoin, 5G, e-banking, gjenetikë, arkitekturë, etj.

Të gjithë folësit shpjeguan se si është integruar zhvillimi i web 3 në punët e tyre, duke nxjerrë në pah avantazhet dhe disavantazhet që zhvillimi i teknologjisë sjell për ta. Teknologjia ka ndryshuar rrënjësisht jetën tonë, mënyrën se si ne konceptojmë, qasjet tona ndaj sferave të ndryshme dhe mbi të gjitha është katalizatori më i rëndësishëm që ka avancuar njerëzimin. Me të çdo gjë është e mundur, çdo mendim i yni mund të bëhet realitet, pa u kufizuar, ndaj është koha që të ndikojmë pozitivisht në karrierën dhe jetën e të rinjve shqiptarë dhe kjo, përmes “Think Tech” dhe forumeve të tilla, të nevojshme dhe të dobishme për të gjithë.

Forumi u mbyll me premtimin e z. Erion Isufi, i cili vazhdon përpjekjet për përmirësimin e të ardhmes së të rinjve, se edicioni i ardhshëm i “Think Tech” do të mbahet në Kosovë.