Femra në karrierë, Elona Hametaj

Një femër në karrierë, mbetet gjithëherët në tentativë të vazhdueshme të ruajtjes së atyre ekuilibrave të brishtë që ndajnë familjen nga puna. Dhe për ta pasur të pa cenuar këtë kufij, është çështje fokusi e vet protagonistëve, që vendosin prioritetet, të cilat kësisoj projektojnë edhe një stil të caktuar jetese varësisht angazhimeve, objektivave dhe pritshmërive. Për Elona Hametajn, fokusi ka qenë dhe mbetet gjithmonë familja. “Ndihem e bekuar që familja është rritur tashmë me fëmijët, bashkëshortin, përveç prindërve e motrave…Jam rrethuar gjithmonë nga dashuria dhe vëmendja e tyre. Është prezenca e tyre në jetën time që më bëjnë të lumtur, që më japin forcë dhe energji për të realizuar ëndrrat e mia. Sigurisht e dyta vjen puna, karriera, sfidat profesionale. Sa më të vështira të jenë e sa më mosbesues të jenë të tjerët për realizimin e tyre, kjo për mua është adrenalinë dhe më shtyn edhe më shumë për të punuar dhe për t’ia dal mbanë”, thekson ajo. Por, duket se faktori moshë, ose të themi vitet që pasojnë njëra-tjetrën thjesht lënë gjurmën e tyre të rastit, por në thelb nuk ndryshojnë shumëçka në jetën e Elonës. “Në thelb nuk ka ndryshuar shumë…Sigurisht tani kam gjithmonë e më pak kohë të lirë. Të jesh një prind që punon është një sfidë. Darkat dhe fundjavat më gjejnë në shtëpi e dedikuar plotësisht atyre, kam filluar të gatuaj gjë që nuk më ka pëlqyer më parë asnjëherë. Me miqtë dal më rrallë, por ama e shijoj më shumë kohën që kaloj me ta”, vijon Elona Hametaj, CEO i Almark  që menaxhon rrjetin Spar në Shqipëri.