Filmat që kanë shkaktuar skandal në Festivalin e Kanës

Kur “morali” hyn në art, paragjykimi i vjen pas. Pikëpamjet sociale, politike, provokimet, paragjykimet, shkelje të moralit, apo edhe paraqitja e skenave të cilësuara si “vulgare” janë disa nga arsyet pse disa filma janë ndaluar të paraqiten në Festivalin e Kanës.

Elegance ju sjell 10 filma që kanë ngjallur polemika:

Supports text, HTML tags, JS code and video embed code

1957: Night and Fog nga Alain Resnais

32 minuta nga filmi ishin mëse të mjaftueshme që Festivali i Kanës ta ndalonte “Night and Fog”. Edhe pse më vonë u etiketua si “kryevepër”, sërish juria e Festivalit e quajti një provokim i pahijshëm për marrëdhëniet franko-gjermane.

1960: La Dolce Vita nga Federico Fellini

Përpara se të kthehej në një simbol ikonik për kinemanë, imazhi i Anita Ekberg që lahej në shatërvanin Trevi zemëroi të gjithë pjesëmarrësit në Fesivalin e Kanës. Filmi u konsiderua vulgar dhe dekadent, duke mos ngjallur asnjë interes intelektual. Por nuk vonoi shumë dhe Fellini u vlerësua me Palmën e Artë.

1973: La grande bouffe nga Marco Ferreri

Marcello Mastroianni, Philippe Noiret dhe, Michel Piçoli dhe Ugo Tognazzi duke ngrënë derisa plasin është një pamje që nuk bëri impaktin e duhur në Kanë. Ferreri nuk e fshehu aspak talljen ndaj absurditetit të borgjezisë, duke e skandalizuar të gjithë jurinë më plot pesëmbëdhjetë orë orgji të pastër all frënge.

1987: Under the Sun of Satan nga Maurice Pialat

I cilësuar si një film i mërzitshëm dhe pretencioz, “Under the Sun of Satan” do të rrëmbente Palmën e Artë në po të njëjtin vit. Historia e abatit të rrënuar nga dyshimet dhe vajza e re që vret të dashurin e saj, në një film të jashtëzakonshëm!

1996: Crash nga David Cronenberg

Ndërkohë që ekrani paraqiste filmin “Crash”, shumë spektatorë do të largoheshin nga salla, duke e cilësuar filmin si të dhunshëm dhe vulgar. Cronenberg luan deri në mizori me skena seksi dhe perversioni, duke lëkundur moralin e të pranishmëve. Gjithsesi, kjo nuk e ndaloi Francis Ford Coppola që t’i jepte çmimin e tij.

1997: Funny Games nga Michael Haneke

Me një demonstrim të dyfishtë të dhunës dhe torturës fizike dhe psikologjike, Haneke ringjall edhe njëherë çështjen e përdorimit të dhunës në botën e kinemasë.

2002: Irreversible nga Gaspar Noe

Kur juria u përball me skenën e përdhunimit, e etiketuan filmin e Noes një torturë në sekuenca. Edhe pse sot është një prej filmave më të famshëm të regjisorit, sërish qindra të pranishëm në Festivalin e Kanës protestuan duke u larguar. Gaspar Noe e mohoi prezencën e provokimit, duke u shprehur se e mahnit margjinaliteti dhe dëshira për t’u argëtuar me veprime të cilat të tjerët nuk guxojnë t’i shfaqin.

2003: Brown Bunny nga Vincent Gallo

Për skena “të turpshme” dhe të pahijshme, ky film u ndalua në Festivalin e Kanës. Gjithsesi, Gallo nuk dha asnjë deklaratë specifike. Në konferencën e mbajtur, ai luajti ping pong me pyetjet e gazetarëve, duke mos mbajtur një qëndrim.

2009: Antichrist nga Lars Von Tier

Pornografi, shumë dhunë dhe katastrofik! Kështu e përshkroi juria filmin e kontaversit Lars Von Tier, i cili si gjithnjë, ia doli të shkaktojë diskutime dhe polemika. Dy vite më vonë, Von Tier e vijoi provokimin e tij, duke u shprehur se e mirëkuptonte Adolf Hitlerin.

2021: Titanium nga Julia Ducournau

Një film ultra i dhunshëm, shqetësues dhe radikal, vjen nga regjisorja Julia Ducournau dhe konkurron në Festivalin e Kanës. I jashtëzakonshëm në zhanrin e tij, filmi rrëfen për historinë e një vrasëseje seriale, e cila ka në kafkën e saj një implant prej titani, pas një aksidenti që i ka ndodhur në fëmijëri. Rolin kryesor e luan Agathe Rousselle, e cila vjen për herë të parë në ekran dhe menjëherë ngjall diskurse. Regjisorja paraqet anën sensitive dhe monstruoze të personazhit, pa një ndarje specifike mes feminilitetit dhe maskilitetit.