Gazmend Leka: Ju rrëfej 34 mëkatet e mia

Mes miqsh në një lokal të vogël përbri Galerisë Kombëtare, Gazmend Leka gjerb lëngun e etiopasve mes shtëllungave të holla tymi të cigares. Përngjan me ato figurat biblike që nuk rreshtin së predikuari, por në fakt misioni modern i këtij apostulli të pikturës është që mes ngjyrash t’u tregojë njerëzve realitetin, jo vetëm për atë që shohim me sy, por edhe ato sekretet që fshehim thellë në ndërgjegjet tona. Profesor Gazi (siç e thërrasin) vjen në një rrëfim, duke pohuar me zë të lartë, në sy të gjithë botës “mëkatet” e tij të fundit” që janë plot 34. Nuk e fsheh se “detyra” e tij si dëshmimtar shumë i vëmendshëm i realitetit që nga rinia e hershme, ishte të përcillte gjithçka që lidhet me Shqipërinë. Por ndryshe nga shumë të tjerë, ai zgjedh të dëshmojë heshtur, por me zë të lartë përmes ngjyrave…!

Në fillim ekspozita “Black Box”, më pas Onufri, keni pasur vërtetë shumë gjëra për të thënë që shpejtuat për një ekzpozitë tjetër?
Vetmia ështe shumë e rëndësishme për një krijues, sepse në shurdhërinë e saj ai kryen thellësisht një rit të përditshëm rrëfimi. E shëtit veten në skutat më të fshehta të qenies. Por rrëfim pas rrëfimi e kupton që kjo kthehet në një makth dhe tenton t’u rrëfehet të tjerëve. Prifti nuk i mjafton, psikologu po ashtu dhe gjen një tjetër dëgjues, publikun. Ky nuk është nxitim. Është një gjest normal dhe i domosdoshëm. Kam pasur shumë rrëfime për të kryer dhe besoj se kam qenë një rrëfimtar i vërtetë. Kam rrëfyer një pas një 34 mëkatet e mia.

Supports text, HTML tags, JS code and video embed code

Zakonisht ekspozitat vetjake, janë punë të një periudhe apo të arkivuara në kohë për t’i sjellë të gjitha së bashku, po me ju si ndodhi të riktheheni sërish?
Rri çdo ditë dhe gjithë ditën në studion time. I shoh pikturat që kryej njëra pas tjetrës si miop. I shoh shumë afër dhe veç e veç, pasi studioja nuk më mjafton. Po kështu ua tregoj vizitorëve që më vijnë, miqve, galeristëve, koleksionistëve dhe studentëve të mi. Një ekspozitë, e për më tepër në sallat e G.K.A., më jep mundësinë që t’i shoh bashkë dhe të reflektoj për rrugën që kam përshkuar. Shoh qartë, jo më gur pas guri, por të gjithë mozaikun e kryer në një periudhë të shkurtër apo ndër vite.

“Parajsa e humbur” u vlerësua me çmimin Onufri 2010, a mendoni se e keni gjetur parajsën tuaj pas këtij vlerësimi në aspektin artistik apo atë personal?
Më pyet nëse kam gjetur Parajsën, apo Parajsën e humbur? Kur ta gjej të parën do ta kuptosh menjëherë nëse më mban në vëzhgim, pasi unë nuk do të kem më arsye të pikturoj.

Në 34 tablotë e ekspozuara në Galerinë Kombëtare, vihet re një raport i ngushtë mes jush e ambientit që ju rrethon (cikli “Dëshmitari”), si lind dhe evoluon kjo marrëdhënie?
Unë kurdoherë kam qenë një dëshmitar i mirë i realitetit shqiptar. Që në rininë time kam parë përtej Shqipërisë konkrete një tjetër Shqipëri, atë sekrete. Përveç djersës së trupit, kam nuhatur dhe parfumin e shpirtit të saj “perandorak” që e gjen më dukshëm në gjuhë, në flamur e në heronj. Nuk kam gabuar. Unë dëshmoj kurdoherë me ngjyrë dhe fjalë esence shqiptarie dhe nuk rresht së demostruari atë në sallat e ekspozitave, në mediat e shkruara dhe televizive, e për më tepër në auditoret e Akademisë së Arteve.

Çfarë e shqetëson më shumë një artist, i cili “ngjiz” në vaj e kanavacë realitetin tonë, për ju nuk mjafton qenia për t’u revoltuar apo duhet të shohim përtej këtij komunikimi?
Qenia mjafton, kur ajo është komplementare me realitetin që jeton. Kur unë shoh në thellësi të qenies sime, njoh shenjat e vendit tim ku dhe u formova. Realiteti është vetëm një pickim që e bën qenien të ulërasë.

Vihet re në disa tablo një përqëndrim i beftë i së kuqes, pastaj zhvendoseni dhe e shihni botën me tone të errëta, pse ndodh kjo?
Instinktivisht peneli rrëmben të kuqen. Është tokë, gjendje e egër e fshehur që ulëret, gjak menstrual, gjak sakrifice, kafshë e therur për kurban… Ështe spala që dëgjohet shumë qartë në sfondin murmuritës të një orkestre që luan me tone të rënda e plot gravitet. Është KUQ e ZI. Ka pamjen e koshiencës së plagosur që shkulet nga errësira e inkoshientit.

“Ringjallja” është një motiv i vjetër, (ngritja e Krishtit nga varri), duket si një largim i paevitueshëm i njeriut nga vdekja, po ju në ç’këndvështrim e sillni atë në pikturë?
Atë pikturë e kam quajtur “Ringjallje”, sepse gjendesh përballë një varri bosh. Janë tre Marie që vajtojnë, por në një vështrim tjetër, ja kam kushtuar shqiptarëve pa varr… Të humburve të Otrantos, të humburve në kalim të gurëve të kufirit dhe të humburve të Shqipërisë së Epërme që i masakroi serbi. Janë tanët që nuk kanë një varr dhe që vajtohen pranë varrit të zbrazur. Shpirti do të jetë në Ringjallje.

Më duket paksa kokëfortë ideja e pranisë suaj në tablo, a nuk mjafton dora, syri dhe mendja e  krijuesit?
Mjafton, por kisha dëshirë të isha aty kur ndodhte ngjarja. Nuk besoj se kam profanuar!?