Geverina Muzhaqi në 10 pyetje nga Elegance

Ku ndodheni tani dhe me çfarë po merreni?
Pas një periudhe njëmbëdhjetvjeçare të kaluar në Romë, ku u diplomova dhe punova tre vite si mësuese, aktualisht jap mësim në universitetin e Elbasanit, përkthej nga italishtja tekste letrare dhe shkruaj poezi, prozë, tregime e, së fundmi, edhe një libër për fëmijë.

Cili është vendimi më i mirë që keni marrë ndonjëherë?
Zakonisht mendohem mirë përpara se të vendos për diçka, që të mos e kthej kokën pas e të pendohem për zgjedhjet që bëj. Ndaj mund të them se vendimet e mia kanë natyrë afatgjate dhe largpamëse.
Personalisht, vendimi më i mirë ishte t’i bashkohesha partnerit kur ai jetonte jashtë vendit, ndërsa profesionalisht, që ndoqa pasionin tim më të madh: të shkruaj.

Supports text, HTML tags, JS code and video embed code

Kur e ndjeni veten më të lumtur?
Gjatë kohës kur kam në krah familjarët e mi. Për mua, familja gëzon prioritetin maksimal.

Kur e ndjeni veten më të trishtuar?
Më trishton shumë injoranca e shprehur haptas dhe hipokrizia. Më trishtojnë njerëzit që ankohen pa lëvizur as gishtin më të vogël për ta përmirësuar jetën e tyre. Në fund të fundit, jemi ata që kemi vendosur të jemi në jetë.

Çfarë nuk do të kishit hedhur kurrë poshtë?
Njerëzit e mi më të dashur, vlerat morale, besimin në vetvete, qëllimet jetësore, mirënjohjen që kam për të gjithë ata që besojnë tek unë, e mbi të gjitha dashurinë për jetën.

Kë doni më shumë?
Padyshim tim shoq dhe dy fëmijët e mi: Isabel dhe Enian. Ndërsa të shkruarit e kompleton përsosmërisht këtë tablo të gjallë ndjenjash.

Cila është ajo gjë për të cilën do të thoshit: “Nuk do ta bëj kurrë!”?
Të bija në kompromise që mund të ma denigrojnë figurën e të më bëjnë t’i druhem vetes sime kur e shoh në pasqyrë. Më pëlqen ta dua veten dhe të kem respekt për të.

Cili është mëkati më i madh për ju?
Mëkati më i madh është t’i qëndrosh pasiv jetës, t’i shmangesh ndryshimit dhe të shpresosh se ajo do të ndryshojë vetvetiu. Jeta nuk është një telenovelë në një ekran të vogël dhe ne nuk jemi telespektatorë, por aktorët kryesorë të saj. Na është dhënë një dhuratë tepër e bukur për ta mbajtur të mbyllur në sirtar.

Cila është blerja juaj e fundit?
Blej vazhdimisht libra. Ndonëse kohët e fundit nuk kam shumë kohë për lexim, më pëlqen të mendoj se librat janë miq të mirë që më rrethojnë dhe me durim presin të më këshillojnë.

Cili është qëllimi i jetës?
Vetë jeta është qëllim në vetvete. Dashuria, ajo universalja, për njerëzit, për virtytet, për artin, për krijimtarinë. Gjithçka e bukur, e njëkohësisht e çmuar mund të shndërrohet në një qëllim jetësor.