Kikiliciouss i 1001 shijeve!

Në çdo botim të rubrikës sonë të kuzhinës, kemi në fokus restorantet më të mira, shefat e kuzhinës më eksentrikë dhe mbi të gjitha, recetat më të shijshme që mund të gjeni në kryeqytet.

Këtë muaj, kemi dashur të sjellim një këndvështrim ndryshe të kuzhinës, recetave dhe pasionit për ushqimin e gatuar vetë. Propozimet i kemi marrë nga “Kikiliciouss”, një website dedikuar pasionit të Kristi Jankut dhe motrave të saj, të cilat prej shumë vitesh kanë sjellë në Shqipëri një koncept krejt unik të të ashtuquajtur “food design”, apo thënë ndryshe ushqimi sjellë jo vetëm si një recetë, por dhe konceptuar nga ana estetike.

Supports text, HTML tags, JS code and video embed code

“Kikiliciouss” është tashmë një brand i njohur jo vetëm për ndjekësit e saj, por edhe për atë që ajo ofron. Në website nuk gjen vetëm receta, por flitet edhe për stilin e jetës, udhëtimet e shumë aspekte të tjera që lidhin jetën me ushqimin.

“Kikiliciouss” sjell dhe shërbime për tregun shqiptar, duke nisur nga porosia e ëmbëlsirave që ajo ofron, porosia e dhuratave të dizenjuara posaçërisht për lexuesit e saj në festa kyce si Viti i Ri, Shën Valentini, 8 Marsi, etj, shërbime fotografike e stilim ushqimi.

Kristi Janku

Siç edhe Kristi e përshkruan historinë e saj, gjithçka ka nisur në vitin 2010 kur ajo ndau për herë të parë pasionin e saj për gatimin me pjesën tjetër të publikut. Madje, gjithsecili mund ta shohë progresin që ajo ka bërë nga viti 2010 (në blogun e saj të vjetër Kiki’s Book of Dreams) e deri më tani me brandin e saj “Kikiliciouss”.

Sigurisht, që këto receta dhe artikuj kaq të kuruar nuk do të ishin kaq joshës nëse pas tyre nuk do të qëndronte një kuruese kontenti si Julia Janku dhe një fotografe si Eranda Janku, që padyshim të rritin dëshirën për të kaluar më shumë kohë në kuzhinë.

“Bashkimi bën fuqinë”, e duket se fuqia është akoma më e fortë kur bashkimi vjen brenda familjes.

Recetat

Akullore Artizanale me Mjedër
“Akullorja artizanale me mjedër duhet të jetë një nga recetat e kësaj vere që nuk duhet lënë kurrsesi pa provuar. Kjo për dy arsye shumë të rëndësishme. E para sepse të provuarit dhe të gatuarit e një akulloreje artizanale në shtëpi, do t’ju bëjë që të mos kini ndrojë në të ardhmen për të eksperimentuar në shijet e pafundme. Së dyti sepse një shije kaq e mrekullueshme nuk duhet humbur përgjatë këtyre ditëve të nxehta.”

– Shkruan Kristi në blogun e saj ku shpjegon më tej edhe procedurën e thjeshtë për të realizuar një akullore që do të jetë shpëtimtarja e ditëve të nxehta dhe mbi të gjitha do të mahnisë të gjithë miqtë që do të vijnë për darkë të premten në mbrëmje J .

Biskotat pa Pjekje
Të gjithë e dimë mirë se të gatuash në verë është e vështirë. Vapa e madhe dhe dëshira për të ngrënë lehtë janë arsyet kryesore, ndaj “Kikiliciouss” na sugjeron një recetë pa pjekje dhe që ju merr shumë pak kohë. Biskotat pa pjekje dhe me përbërës me vlera ushqimore do të jenë një pjatë shumë e mirë për mëngjeset e kësaj vere.

Procedurën e përgatitjes na e servir Kristi:

  • Në një tenxhere vendosni sheqerin kaf dhe sitni kakaon.
  • Përzieni pak sheqerin me kakaon pasi ta keni situr dhe shtoni gjalpin e qumështin.
  • Në zjarr mesatar lejoni që këto përbërës të treten dhe të kalojnë në vlim të lehtë.
  • Sapo të kenë kaluar në vlim të lehtë shtoni gjalpin e kikirikut dhe treteni.
  • Fikni zjarrin, shtoni tërshërën dhe përzieni të gjithë përbërësit së bashku.
  • Duke përdorur një lugë akulloreje shpërndani brumin sa më parë në një letër furre.
  • Lërini këto biskota në temperaturë dhome për 15-20 minuta ose në frigorifer për një mpiksje më të shpejtë.

Smoothie (Pije e shëndetshme)
 Për energjinë e nevojshme dhe freskinë e një pijeje, gjithçka të duhet për të nisur ditët apo për të shuar etjen e pasdites, “Kikiliciouss” na propozon një smoothie shumë të shëndetshëm.

Përbërësit:
qumësht bajamesh (120 ml)
boronicë (85 gram)
mjedër (85 gram)
luleshtrydhe (128 gram)
banane (gjysma ose një e plotë)
Ajo që ju duhet, është thjesht t’i bëni miks në një blender dhe ju bëftë mirë!

Për më shumë receta të shijshme, shëndetshme e të thjeshta klikoni faqen e saj: www.kikiliciouss.com