Landmark Technologies mes 50 më të mirëve për Evropën Qëndrore

Deloitte Technology Fast 50, për Evropën Qëndrore është një program që njeh dhe profilizon kompanitë teknologjike me rritje të shpejtë në rajon. Programi, i cili tashmë është në vitin e tij të 22-të, ka publikuar renditjen e 50 kompanive të teknologjisë publike ose private me rritjen më të shpejtë.

Landmark Technologies është vendosur në listën e 50 më të mirave duke përfaqësuar kështu Shqipërinë për herë të parë në këtë klasifikim të rëndësishëm për zhvillimin teknologjik në Evropë.

Supports text, HTML tags, JS code and video embed code

Në një intervistë të shkurtër për ne, CEO i Landmark Technologies & Communication, Z. Erion Isufi, tregon më shumë rreth investimit të bërë gjatë viteve të fundit dhe vizionit për të ardhmen.

E kishit menduar se për një kohë të shkurtër do ishit në listën e promotorëve të teknologjisë në rajon?
Për ne, njoftimi për rankimi që na kishte bërë Deloitte Technology si një ndër kompanitë me rritjen më të shpejtë në zhvillimin e teknologjisë, ishte një surprizë e bukur që erdhi si dhuratë fundviti. Sigurisht që është e rëndësishme, sidomos për ekipin që punon çdo ditë që t’u njihet dhe vlerësohet puna e bërë.

Për t’ju kthyer pyetjes suaj, qëllimi ynë fillestar ishte ndërtimi i një hapësire ku të rinjtë e talentuar të fushave të zhvillimit teknologjik të mund të shpalosnin vlerat e tyre, ku ata të ndihen mirë dhe ku zëri i tyre të dëgjohet. Patjetër që fillimet kanë qenë të vështira, por unë mendoj se fakti që për një kohë të shkurtër ne jemi pjesë e kësaj liste është absolutisht meritë e familjes sonë të madhe Landmark, si dhe investimit të zgjuar që kemi bërë për të identifikuar bashkëpunëtorët tanë, të cilët na besuan dhe për të cilët kemi realizuar punë të shkëlqyera që kanë pasur impakt ndëkombëtar.

Kur u njohëm me listen, një tjetër pikë shumë interesante ishte se emrin “Albania” përfaqësohej në të, si ishte për ju ky moment?
Jemi tejet të lumtur që kemi mundur ta rendisim vendin tonë për herë të parë duke e sjellë mes më të shpejtëve dhe më të mirëve në Evropë. Sigurisht, kjo motivon edhe më shumë për ta çuar përpara misionin tonë dhe dëshirën e madhe për ta bërë vendin një “Digital hub”, apo më mirë akoma, një pikë reference për të gjithë rajonin. Qëllimi ynë ka qenë dhe është shumë i thjeshtë, të mundohemi të krijojmë ekosistemin më të mirë jo vetëm në Shqipëri, por edhe me gjerë në rajon. Misioni ynë është të kontribuojmë sa më shumë në mënyrë që të kthejmë Tiranën në një qendër digjitale rajonale dhe shpresojmë që ky përfaqësim të ndikojë sa më shumë drejt këtij aspekti.

Cilat janë objektivat për të ardhmen që i keni vendosur vetes?
Për ne pika më e rëndësishme është të rrisim gjithmonë e më shumë familjen e madhe të zhvilluesve dhe ekspertëve të teknologjisë. Dëshira jonë është të vijojmë të mbështesim skuadrën tonë edhe përmes edukimit dhe trajnimit. Jemi shumë të lumtur që çdo ditë bashkëpunëtorët tanë na besojnë projekte të cilat kanë ndikim në të tashmen dhe do të kenë impakt edhe në të ardhmen e teknologjisë. Jemi të bindur se ekipi dhe projektet tona shumë shpejt do t’i tejkalojnë kufijtë e Europës, për të kapërcyer oqeanin dhe për të cekur të tjera kontinente.

Për të arritur këtë, ne kemi hapur dhe po hapim zyra në Prishtinë, Prizren dhe së shpejti në Shkup. Gjithashtu, në planet tona janë edhe degë në Durrës dhe Shkodër, ku shohim një prani dhe interest të lartë të brezit të ri të prirur drejt novacionit dhe teknologjisë. Jemi gjithmonë në zhvillim e sipër, sepse e tillë është edhe industria të cilën kemi zgjedhur.

Si mendoni se mund të ndikoje ky çmim dhe kjo renditje për Landmark dhe për ju?
Të them të drejtën, shpresoj shumë që instancat përkatëse t’i kushtojnë më shumë vëmendje këtij biznesi dhe kësaj industrie. Ky çmim dhe kjo renditje kaq e bukur dhe plotësisht e merituar për ne. Më lejoni t’ju them se është bërë e mundur totalisht në sajë të përkushtimit dhe punës së stafit tonë dhe partnerëve tanë. Nuk kemi pasur asnjë ndihmë, subvencion apo çfarëdolloj mbështetje, dhe besoj se nuk flas vetëm për kompaninë tonë, por edhe për dhjetra kompani të tjera teknologjike në vendin tonë.

Vendet përreth kanë incentiva konkrete të shumta, sidomos në fushën e teknologjisë dhe novacionit. Këtu te ne, ky zhvillim i këtij sektori është bërë falë punës së palodhur të sipërmarrësve të rinj shqiptarë të cilët në një kohë të shkurtër po e kthejnë Tiranën në një qendër të kësaj fushe.