Librat e korrikut

Dallgë, det, një libër i mirë. Dy të parat i ofron vera, 3 sugjerime fantastike jua sjellim ne.

 

Supports text, HTML tags, JS code and video embed code

Titulli: Dalje për ajër

Autori: George Orwell

Çmimi: 900 lekë

Sipas kritikëve, ky është ndoshta libri më i mirë i Orwell, pasi servir një analizë të shoqërisë, përmes humorit dhe kthjelltësisë së shkrimtarit, i cili përjetoi jo pak përvoja të vështira në Luftën Civile në Spanjë.

Personazhi Xhorxh Bouling përballet me një krizë të shumëfishtë: atë të një mesoburri që e ka lënë veten pas dore, duke u shëndoshur dhe që i kanë rënë dhëmbët; jetës mesatare dhe punës së mërzitshme; si dhe frikërave që ndien. Frika përkap bombat, shkopat e gomës, radhët e pafundme për ushqime.

Orwell e shkroi këtë vepër në kohën kur gjendej me pushime në Marok, pas një sëmundjeje që e mundonte. Një prej romaneve më të dashur për lexues, i cili definon edhe një herë talentin e penës së shkrimtarit fenomenal.

 

Titulli: Testamentet

Autorja: Margaret Atwood

Çmimi: 1,500 lekë

“Testamentet” është vijimësia e shumëpritur e romanit “Rrëfenja e shërbëtores”, ku autorja i është përgjigjur pyetjen që ka shtruar lexuesi: “Çfarë ndodhi me Efreditin?”. 15 vite më vonë, regjimi teokratik i Republikës së Galaadit ruan ende pushtetin absolut, por disa shenja po tregojnë se po kalbet nga brenda. Pikërisht në këtë çast, tri gra ndërthurin jetën e tyre në një furi shpërthyese.

Në “Testamentet”, Atwood ka arritur majat e krijimtarisë, me bujarinë, intuitën dhe kontrollin që vepra mbart. Proza e shkathët, e drejtpërdrejtë dhe përmbysja e jashtëzakonshme e ngjarjeve e kanë bërë këtë libër një bestseller absolut.

 

Titulli: Pakoja

Autori: Sebastian Fitzek

Ccmimi: 1090 lekë

E reja Emma Stein nuk ka dalë nga shtëpia që prej një përdhunimi të kobshëm, në një dhomë hoteli. Ajo ishte viktima e tretë e një psikopati, i quajtur “flokëtor” nga media, për arsyen se u qeth flokët grave të abuzuara, përpara se t’u marrë jetën.

Emma qe e vetmja që i shpëtoi, por ende jeton me frikën se “flokëtori” mund ta ndjekë, për të përfunduar veprën e tij të tmerrshme. Ndonëse nuk e ka parë kurrë përdhunuesin, ajo mendon se mund ta identifikojë atë menjëherë. I vetmi vend ku ndihet e sigurt është shtëpia e saj e vogël në periferinë e Berlinit, derisa një ditë, postieri i kërkon të pranojë një pako në llogari të fqinjit të saj. Deri këtu asgjë e çuditshme, përpos faktit që Emma nuk e ka parë kurrë këtë fqinj, ndonëse banon prej vitesh në të njëjtën rrugë.