Librat e muajit mars

Nëse po pyesni veten se ç’të lexoni gjatë muajit mars, Elegance ju vjen në ndihmë me plot 4 tituj.


Ngadalësia
Autori: Milan Kundera
Çmimi: 800 lekë
Subjekti: “Ngadalësia” është një ndër veprat më të bukura të Kunderës, i cili si gjithmonë rrok natyrën njerëzore, me të gjitha të vërtetat lakuriqe, edhe me ato të cilat e kemi të vështirë të përballemi. Te “Ngadalësia”, lexuesi, herë i magjepsur e herë i turbulluar, ndjek rrëfimin, i cili na sjell dy histori joshjeje, të cilat kanë një hendek kohor prej 2 shekujsh. Ato ndërthuren, lëkunden dhe përzihen duke sfiduar kohën e duke përqafuar sublimen dhe komiken. Në bazamentin e veprës gjejmë një reflektim të thellë mbi jetesën bashkëkohore.

Supports text, HTML tags, JS code and video embed code


Memento Mori
Autori: Tobias Xhaxhiu
Çmimi: 1,000 lekë
Subjekti: Autori i ri dhe shumë premtues, Tobias Xhaxhiu, rikthen mitin e besës dhe legjendën e Kostandinit dhe Doruntinës, por i vesh me një vel misteri dhe me ndërhyrjen e një force hyjnore. Kostandini, mes besimit, luftës në Kryqëzata dhe analogjisë me Krishtin, në anën tjetër, Doruntina, me bukurinë e saj, traumën e inçestit, pasionit dhe dashurisë së marrë të armikut të përbetuar. Të gjitha trajtohen me një mjeshtëri të jashtëzakonshme.


Dora tjetër

Autori: Chris Cleave
Çmimi: 1,000 lekë
Subjekti: Kjo vepër na sjell rrëfimin e dy zërave: të një refugjateje nigeriane dhe të një kryeredaktoreje në një revistë britanike. Bletëza, refugjatja nigeriane, e cila sapo ka dalë nga qendra e paraburgimit për imigrantët e paligjshëm, ku ka jetuar në kushte të vështira, mes vetmisë, pa asnjë mbështetje shpirtëore dhe monetare.
Nga ana tjetër, Sara, një nënë e re dhe moderne, kryeredaktore, e arritur dhe e suksesshme, ndërthur historinë e saj me Bletëzën.
Romani paraqet një dramë personale, njerëzore dhe shoqërore, e cila sjell historitë paradoksale të dy jetëve, me ndjesitë e mallit, migrimit, frikës dhe dëshirës për liri.


Pesha e Dëborës
Autori: Christian Guay Poliquin
Çmimi: 700 lekë
Subjekti: Në një rajon të largët, në një hapësirë të paanë, një fshat i rrethuar nga bora dhe i privuar nga elektriciteti dhe kontakti me pjesën tjetër të botës, na rrëfen historinë e dy burrave. Personazhet janë në mosha dhe etapa të ndryshme të jetës dhe të detyruar prej fatit, përballen me të ftohtin, urinë dhe monotoninë. Në rrjedhën e historisë së tyre, mund të ndodhë gjithçka dhe asgjë. “Pesha e Dëborës” është vlerësuar me çmimin e madh letrar Francë-Kebek, më 2017.