Në Renamour, dashuria kalon vërtet nga stomaku

Ami është një vajzë e cila dashuron ushqimin dhe familjen e saj. Me shumë dashuri dhe pasion, së bashku me Renisin, përgatisin pjata super të shijshme, të shëndetshme dhe të këndshme. Ami dhe Renisi besojnë se “dashuria kalon nga stomaku” dhe këtë teori e kanë projektuar edhe në biznes.

Si lindi ideja e një sipërmarrjeje të tillë?
Ideja lindi disa kohë më parë, në vitin 2017, kur vendosa përfundimisht të hap një faqe në Instagram, pasi kisha shumë kohë që e mendoja dhe kisha dyshimet e mia nëse do të kishte sukses apo jo. Në atë kohë blogge-t në web ishin shumë të përhapura, por vendosa të jem vetëm në Instagram pasi mendoja dhe vazhdoj ta mendoj edhe tani, se imazhi është më i fortë sa i përket gatimeve.
Jemi bërë konsumatorë imazhi ndaj njerëzit e kanë më të lehtë të shohin sesa të lexojnë një recetë, sepse koha është e artë dhe jeta është e vrullshme. Në fakt blogge-t në të gjithë botën kanë rënie, ndërsa Instagram vazhdon të jetë i suksesshëm. Mendoj se kam bërë mirë, tani që shoh se faqja ime po shkon drejt 24mijë ndjekësve realë.

Supports text, HTML tags, JS code and video embed code

Pse është zgjedhur emri “Renamour”? Çfarë simbolizon ky emër?
“Renamour” është bashkimi i emrave tanë: Renis dhe Ami dhe është stilizuar në frengjisht meqënëse ne jetojmë në Francë.

Cila është kuzhina e preferuar, të cilën e sugjeroni me shumë dëshirë?
Ne eksperimentojmë shumë në stilin Fusion, që do të thotë ndërthurje e kulturave dhe stileve të ndryshme së bashku. Na pëlqen shumë kultura aziatike, italiane, franceze pa diskutim, e të tjera. Për aq kohë sa kanë vlerë dhe larmishmëri ne i sugjerojmë me dëshirë.

Mesa dimë, pjatat që serviren në fakt përgatiten edhe nga bashkëshorti yt Renisi dhe e suporton edhe më shumë mendimin se pas një pjate të mirë nuk fshihet vetëm një grua. Si është të gatuash së bashku me bashkëshortin?
Kur gatuajmë së bashku kemi shumë kënaqësi, por edhe zihemi se bëjmë të dy si Chefa (qesh).

Cili nga ju të dy është më kreativ në dekorimin e pjatave?
Renisi është më kreativ në kombinime ingredientësh, ndërsa në dekorim jam unë.

Cilat janë planet që keni rezervuar për “Renamour”? 
Një libër padiskutim, është thjesht çështje kohe, por edhe me një restorant në të ardhmen. Gjithsesi, do të jemi gjithmonë në mediat sociale, ndaj çdo gjë do të kuptohet me kalimin e kohës.

Kohët e fundit mbajtët një event shumë të këndshëm dhe të suksesshëm. Cili ishte qëllimi dhe çfarë arritët të transmetonit?
Renamour “Meet & Greet” ishte një takim i shpejtë me shumë prej miqve të faqes të cilët prej kohësh kishin shprehur dëshirën për t’u takuar me ne nga afër. Demostrova disa receta të shpejta dhe të pranishmit patën mundësi të shijonin nga afër dhe të diskutonim së bashku mbi teknika dhe ushqimin e mirë. Ishte një organizim në kohë rekord, i cili shkoi shumë mirë dhe për ata qe nuk patën mundësi të vinin, i themi të mos mërziten pasi do të ketë sërish plot raste.