Nicholas Grimshaw – Minimalizmi absolut

Forma të pastra gjeometrike dhe shumë dritë natyrale! Kjo është gjithçka i duhej Nicholas Grimshaw për të mishëruar stilin minimalist absolut të arkitekturës moderne që ai përfaqëson

 Filozofia e tij është e thjeshtë: të krijosh një histori në ndërtim, sepse tradita dhe e ardhmja janë të lidhura fort pas njëra-tjetrës. Ky dimension e bën Nicholas Grimshaw të duket sikur vjen nga përtej kohës. Arkitektura e tij vjen me një mbidozë elementesh tradicionale që të ndalin vështrimin dhe të bëjnë të kalosh disa ccaste meditimi para tyre. Kjo është arsyeja që Grimshaw dallohet qartazi nga arkitektët që vijnë nga Europa, sepse nuk ngul këmbë vetëm te delikatesa e format e përkora, por preferon edhe materialet unike, sepse ai e shpreh haptazi që nuk dashurohet vetëm pas formave klasike.

Supports text, HTML tags, JS code and video embed code

Nicholas Grimshaw

Mjeshtër i dizajnit grafik dhe arkitekturës, ai beson se asnjëra nuk mund të jetojë ndarazi, sepse kështu ka qenë që në krye të herës. Kjo është edhe arsyeja që kur sheh ndërtesat e projektuara prej arkitektit britanik e kupton se në fakt ato kanë dimensione të pazakonta nga ato që keni parë deri më tani, sepse ana grafike në to është aq e pranishme sa të bën të ndalesh dhe të shohësh se si janë ndërtuar.

E, kur flitet për materialet, ai beson se materialet e gurta janë baza, nuk ka rëndësi forma si se ato vijnë, por mënyra se si arrin ta vendosësh atë në një ngrehinë, e cila ka si qëllim të jetë sipas tij funksionale, estetike dhe mbi të gjitha duke tentuar jetëgjatësinë.

Arkitektura e tij është në gjendje të sintetizojë debatin midis të qenit lokal apo global. Ai ka dëshmuar se këto terma nuk janë reciprokisht ekskluzive. Arkitektura e Grimshaw ankorohet në kontekstin kulturor, ekonomik, mjedisor e estetik, duke prodhuar një punë me shtrirje universale. Talenti i tij bazohet te moderniteti dhe klasikja, linjat të joshin me qartësinë dhe funksionalitetin e tyre, pa harruar çështjet ekologjike.

Grimshaw nisi të lërë shenjë në imazhin e hapësirave të disa qyteteve. Gjurmë e dukshme ishin strukturat me masive xhami që shndërrisin prej që largu, ndërsa konstruksione prej çeliku të zi i bënin ndërtesat të ngjanin madhështore. Imagjinata e tij shprehet me forma arkitektonike si: aeroporte, stacione hekurudhore, hotele luksoze, etj.

Pjesa më e madhe e godinave që mbajnë firmën e arkitektit britanik janë të hartuara me idenë e strukturave metalike, kulme të theksuara dhe ndarje drastike të formacioneve të ndërtesave, të cilat kanë një spektër të dallueshëm sa i takon fasadave dhe dukjes së jashtme. Ndriçimi natyral është pikëpamja kryesore e krijimeve të tyre, duke mos i lënë shteg të lirë iluzionit. Ndaj strukturat transparente janë ato që nxisin më së shumti drejt përsosmërisë së stilit. Një nga projektet më të famshme të Grimshaw, është edhe aeroporti i quajturPulkovo” në Shën Petersburg. Stili i brendshëm i arkitekturës së aeroportit përcjell përmes dizajnit dhe detajeve kulturën e Shën Petersburgut. Terminali i ri, me më shumë skulptura artistike dhe piktura i jep një tjetër sens dhe dimension kulturës ruse. Kryesisht, materialet bazë me të cilat punon arkitekti britanik janë xhami dhe çeliku, ndërsa fasadat kanë kryesisht nuanca të përmbajtura. Përpos gjithçkaje, të shumta në numër janë projektet arkitekturore të Nicholas Grimshaw, të cilat vijnë në bashkëpunim të ngushtë me standardet botërore të arkitekturës, me qasje të bazuara në vlera reale, çka janë edhe çelësi i zhvillimit të profilit të vet arkitektit.

Stili arkitekturor
Fryma e arkitekturës së tij është tërësisht moderniste. Njihet për kombinimin e elementeve
tradicionale arkitektonike me dizajne progresive të cilat bazohen në modele të thjeshta gjeometrike. Ai sjell format klasike me metodat bashkëkohore. Një elegancë e dukshme shfaqet në linjat të cilat të joshin që me takimin e parë. Edhe pse arkitekti Grimshaw rendit një numër të madh veprash, secila prej tyre ka stilin dhe individualitetin e saj. Një detaj i fortë në stilin e tij është drita, e cila depërton në formë natyrale ngado.

Universiteti i New South Wales, Australi
Grimshaw ka projektuar një strukturë të re të godinës së këtij universiteti, i dedikuar ndaj profilit të kërkimeve shkencore dhe laboratorike. Një fasadë me performancë të lartë arkitekturore dhe dizajni, që konfiguron qëllimin bashkëkohor të projektit. Me kolona alumini, e pasur me hapësira të gjelbëruara dhe me ndarje të ambienteve të brendshme nga auditoret, te sallat studimore dhe laboratorët, kjo godinë është një nga projektet më të vlerësuara të arkitektit britanik.

Bijlmer, stacion hekurudhor, Hollandë
I mbrojtur me çati dinamike, ky stacion hekurudhor që pret afro 60 mijë pasagjerë çdo ditë, me strukturë që thekson drejtimin diagonal të bulevardit, është cilësuar si një prej projekteve më modernë të Grimshaw. Panelet e gjata dhe të hapura në kupolën e stacionit, lejojnë depërtimin e dritës natyrale, ndërsa njëherësh boshllëqet ofrojnë një lidhje vizuale direkte midis platformës dhe terrenit.

The Biomes, Britani e Madhe
Projektimi i biomave është një nga sfidë më vete nga ana e arkitektëve të studios Grimshaw, si në hapësirë, ashtu edhe në materiale. Strukturalisht, çdo kupolë mbështetet në dy shtesa. Efikasiteti i kornizës mbështetet në komponentët e formave gjeometrike: tuba çeliku, nyje të lehta dhe lehtësisht të transportueshme. Ky projekt është një nga atraksionet absolute në Britaninë e Madhe, gati destinacioni i dytë më i vizituar jashtë Londrës.

Qendra kombëtare e hapësirës, Britani e Madhe
Kjo qendër shërben më shumë si një muze dhe burim edukimi për të apasionuarit pas shkencës hapësinore dhe astronomisë. E vendosur në anën veriore të qytetit Leicester të Anglisë, pranë lumit Soar, kjo godinë me shtrirje vertikale mbështetet në shtresa minimale çeliku dhe në një tjetër shtresë transparente që ndërton një nga godinat më të njohura në të gjithë zonën.

Ura e detarëve, Melburn, Australi
Kuvertura e urës kalon si një strukturë metalike dhe është imagjinuar si një krah, i cili harkohet lehtë mes brigjeve të lumit Yarra. Anësoret e xhamit, krijojnë një mbrojtje dhe siguri për të gjithë vizitorët dhe ata që përshkojnë këtë urë. Shtrirja e urës mbështetet në lidhjet e çelikut me harqe eliptike, me tre harqe në anën veriore dhe katër në anën jugore.

Muzeu i Çelikut, Meksikë
Funksioni i këtij muzeu është për të treguar historinë  e industrisë së çelikut përmes hapësirave të dedikuara ndaj kësaj industrie. Me hapësira komplekse, me struktura spirale dhe shkallë të brendshme që të çojnë nga njëra hapësirë në tjetrën, kjo godinë e pozicionuar në një nga pikat më strategjike të Meksikës, si atraksion kulturor dhe historik, dallon për kombinimin e linjave të xhamit dhe paneleve të hekurit që materializohen në veshjen e jashtme të ndërtesës.

Universiteti i Southampton, Angli
Ky universitet ka formë dinamike. Elementët dominues që janë alternuar me njëri–tjetrin janë xhami dhe bakri, ku ky i fundit vesh pjesën dërrmuese të fasadës së tij. Godina ka auditorë, salla leximi, mensa, etj. Një pikë referimi moderne dhe dinamike për qytetin, në një bashkëveprim elegant me ndërtesat ekzistuese dhe ato historike.