Një stendë për humorin! – Olsi Çala

Dy fjalë për Olsin:
Olsi është tejet karizmatik, plot humor, vitalitet dhe mbi të gjitha gazetar. Energjia e tij është e pranishme kudo dhe për rrjedhojë prezente edhe në stand-up që realizon. Shkathtësia, mimika perfekte dhe inskenimi i situatës në mënyrë tejet natyrale e bëjnë Olsin një komedian të mirëfilltë dhe mjaft të preferuar. Olsi, përpos punës si gazetar në emisione me peshë për publikun, arrin të marrë edhe dashurinë e publikut në shumë mënyra, me situata komike dhe shumë sarkaziste, me të cilat shtron problemet që e mundojnë Shqipërinë.

Si lindi ideja për të bërë humor në nivelin e stand-up?
Stand up im nuk lindi në kushte natyrale, në maternitetin “Mbaretëresha Geraldinë’, por lindi në një lokal, pas një nate dehjeje dhe ishte lindje e padëshirueshme, por e pranova kur erdhi në jetë. Nisi afro një vit më parë, punoja gazetar në Klan, dikur i kisha thënë një shoqes sime, aktore, që: “Ermel, kam disa skenare stand-up për të shitur, kuptohet, me pak lekë. Na gjej ndonjë”. Me kaq, u e mbylla. Më pas më bie telefoni, Alion Çaçi (personi që na futi në këtë lojë), më tha: “Olso, të shtunën kemi stand up comedy në një lokal!”. Ishte e mërkurë atë ditë. –“Si kemi stand?”- e pyeta. – “Po, je ti dhe disa të tjerë, është vendosur, kemi bërë edhe posterin, urime!”.

Supports text, HTML tags, JS code and video embed code

Si e përshkruan eksperiencën tënde të parë përballë publikut?
Ditën e stand up piva katër gota alkool, dola dhe në 20 sekondat e para, m’u duk vetja ashtu si jam realisht. Shkoi mirë ajo natë, mjaft mirë, të pranishmit qeshën! Më pëlqeu, e pashë disa herë videon që kisha xhiruar dhe thashë: “Po, jepi Olso, zhvilloje!”. Për mua, stand up, ishte më i këndshëm se një balerinë serbe që më kishte paguar një deputet kur u takuam në Serbi.

A ke ndonjë komedian të preferuar te i cili “vjedh” ndonjë batutë, gjestikulacionin, ose thjesht mënyrën si i drejtohet publikut?
Kam një humorist që më frymëzon, është një shkrimtar turk, ka vdekur, quhet Aziz Nesin, ai është mbreti i humorit dhe i satirës për mua. Ai më jep një dorë ndërsa krijoj, e lexoj vazhdimisht dhe qesh po aq vazhdimisht.

Cilat janë pritshmëritë e tua në këtë zhaner?
Pritshmëria e vetme është të hapet sa më shumë si kulturë humori ky zhaner, njerëzit të vijnë, të dëgjojnë, unë patjetër marr përshtypjet e tyre në fund, të kontribuojnë, e kësi gjërash.
Stand-up, e shoh si një dritare, ku unë nxjerr kokën dhe shaj gjithë botën (politike, satirike etj). Aty ngre krye revolta ime, e sjell me humor, por duke trajtuar një temë, gjithmonë.
Më duket se u zgjata, por ishte kështu, kot, për efekt radhësh në tekst.
Stand-up e dua, e dua po aq sa të shkruarën. Ju uroj qeshje të mbara në ditën tuaj! Për organizime stand-up, më shkruani në: Olsi Çala, insta, fb, ose më gjeni rrugvëe duke folur me vete, është thjesht përsëritje teksti!