Poetja Helena Halilaj rikthehet me një përmbledhje poezish që duhet ta lexoni patjetër

Poetja Helena Halilaj rikthehet me një përmbledhje poezish që duhet ta lexoni patjetër

Poetja Helena Halilaj i bëri vetes dhuratën më të bukur për ditëlindje: Një përmbledhje me poezi, të titulluar “Përbri vetes”, duke shënjuar edhe rikthimin e saj në letërsi, pas një mungese relativisht të gjatë.Helena zgjodhi ta promovojë veprën e saj në një natë magjepsëse poetike, ku u lexuan poezi, nën interpretimin fantastik të Margarita Xhepës, Arjeta Dhimës dhe Neritan Licajt, si dhe nën zërin brilant të Shkurte Fejzës.

Supports text, HTML tags, JS code and video embed code

Në këtë natë të bukur dhe emocionuese, ne vodhëm pak nga koha e Helenës, për të kryer këtë intervistë:

Përpara se të flasim për “Përbri vetes”, duhet të të pyesim se si ka lindur pasioni yt për letërsinë dhe specifikisht poezinë? Cili është fiks momenti që kuptove se po, do të hedhësh në letër ndjenjat dhe mendimet e tua?

Sa shumë vite më parë, në vegjëli me vjershat e para në shkollë, ato vargjet e brishta me rimë. Nuk është rastësor, është brenda familjes, pasi babi im shkruan. Mendoj që shumë pasione lindin, shumë zgjohen, shumë edhe jeta t’i lë në hije, por shumë rrinë me ty gjithmonë. Mendoj që poezia do jetë shoqja ime më e mirë përjetë.

Pas disa viteve, ti u riktheve me “Përbri vetes”, një përmbledhje e poezive të tua dhe vendose që ta promovoje në ditën tënde të lindjes. Pse kjo zgjedhje? A është “Përbri vetes” një dhuratë universale, të cilën ia dedikon jo vetëm vetes, por edhe njerëzve që të rrethojnë, si dhe publikut?

Ia bëra dhuratë vetes sepse dola “përbri vetes” dhe kuptova që duhet të mbushja duart me një libër të ri, i cili po valëzonte sa nëpër mesazhe, sa nëpër shënime, po aq dhe në pritje të miqve të zemrës që më pyesnin shpesh se kur do ta botoja librin.

Është një marrëdhënie pak e veçantë, jam përbri vetes se dua ta kem ngat gjithmonë, se vetëm ajo s’të lë kurrë, jam përbri se ne në veri, përbri e kemi për dikë që duam, “hajde më rri përbri, përbri meje”. Përbri vetes është një thirrje për të mos ndryshuar plotësisht, përbri vetes është dhe përbri të vërtetës, fëmijërisë, kujtimeve, sekreteve, ndjesive më të imëta. Përbri vetes ne mbajmë miqtë e mirë, ëndrrat e mëdha, lutjet e pastra, dëshirat e fshehura dhe ato të bindurat.

Rreth vetes janë të gjitha bashkë e ne udhëtojmë me veten afër për mos të qenë kurrë të braktisur. Përbri vetes është një simbolikë e përgjithshme në të cilën gjithkush do kapet në një varg apo ndjesi.

Pse ke zgjedhur titullin “Përbri vetes”? A përkon ky titull me meditimet e tua dhe na rrëfen se e sheh veten si një person i jashtëm?

Është e nevojshme që shumë herë të ulemi e të vështrojmë veten, ku jemi, çfarë jemi bërë e kush duam të dukemi. Vetja dhe jovetja janë partnere shumë shpesh në jetën tonë. Janë një binom që puthet e pështyhet, duhet dhe urrehet, hesht dhe ulëret, është bindja dhe revolta, durimi dhe nxitimi, të gjithë dalim nganjëherë nga vetja e po aq herë mbetemi peng në veten tonë.

Çfarë do të gjejë lexuesi në këtë vëllim poetik?

Veten e tij të derivuar në shumë raporte me njerëzit, me ndjenjat, kohën, emocionet, etj.

Ti zgjodhe të bëje një promovim ndryshe të veprës tënde, duke mos u fokusuar vetëm te përvoja jote, por duke sjellë një mbrëmje të veçantë poetike, nën interpretimin e aktorëve më të njohur shqiptarë. Pse pikërisht kjo zgjedhje?

Poezia meriton respektin e skenës dhe atyre që i japin frontin që ka. Jo çdokush di të shkruaj poezi, jo çdokush di të lexojë poezi dhe jo çdokush çon shpirtin poetik te lexuesi. Poezia është nusja e çdo dasme artistike, pa fjalën poetike do ishte shumë bosh arti. Mendoj se duhet të kemi kujdes si vijmë në sytë e publikut.

Si është zhvilluar stili yt i të shkruarit që në librin e parë e deri më sot, me “Përbri vetes”? Cilat janë disa nga kritikat që i bën vetes dhe sa përpiqesh ta përmirësosh veten?

Ka ripërtërirë të mëdhatë me të voglat e fëmijërisë që krijojnë identitetin dhe dinjitetin. Sa më pak shkruajmë aq më mirë shkruajmë, sa më shkurt, aq më shpejt shkojmë te lexuesi, sa më të dlirë dhe njerëzorë, aq më tepër jemi të pranueshëm dhe të dashur.

Kemi nevojë për ndjesi reale, të veshura me shpirt dhe frymë të vlerave për të kundërmuar shpresë dhe frymëzim. E gjitha ka një mantel dashurie që rri mbi kokë, herë rëndon nga dhimbja e herë shndrit nga gëzimet, herë ndjehet brenda e herë në ajër.

A ke ndonjë poet/e të preferuar, që të frymëzon?

Jo një, janë shumë: Rumi, Aligeri, Gëte, Pushkin, Edgar Poe, Sharl Bodler, etj. Kryesisht poezia që vjen nga larg po aq afër sikur të ishte me ne gjithmonë, ajo e vërteta dhe e pandryshueshme nëpër kohëra. Kohët e vështira sjellin poezi të përjetshme.

Cilat janë disa këshilla që mund t’u japësh poetëve të rinj, të cilët mund të jenë të pavendosur për të publikuar krijimet e tyre?

Të jenë të vërtetë, të talentuar dhe pa limite që koha, vendi apo njerëzit t’i diktojnë. Poezia ka klimën e vërtetë me vete në çdo stinë, epokë, apo lavdi të saj. Poezia nuk është vendi ku rri shumëkush, duhen këmbë të zbathura për të hyrë e shpirt fitimtari për të qëndruar. Nuk është vend i rehatshëm, ka luks që dhemb por ka dhe parajsë, ka trishtim por ka dhe lumturinë e një vargu që mbush cep më cep zemrën, ka magji që s’bie në çdo oborr.

Helena, ti ke marrë pjesë në disa evente që lidhen me letërsinë dhe je impenjuar jashtëzakonisht shumë në këtë fushë. Çfarë mund të na thuash rreth këtyre përvojave?

Kanë ardhur në mendjen time për të kuptuar që ëndrrat e mëdha nuk rriten në vazo të vogla. Kanë lëvizur mendjen time me fuqinë e vlerave duke më zhvendosur në hapësira të reja me lirinë e mjaftueshme për të qenë një ndërmjetëse e mirë me veten, për ta çuar në destinacione të tjera që kanë rrugë më të largëta dhe të reja.

Cilat janë planet e tua për të ardhmen?

Përbri vetes, familjes, dashurisë dhe poezisë shkoj paqësisht drejt të ardhmes duke parë malet e fëmijërisë, retë e fluturimeve dhe duart e guximit që të mbajnë më shumë se çdo gjë përbri.