Sugjerimet tona për librat që duhet të lexoni në gusht

Muaji i ri, tituj të rinj! Elegance ju sjell 3 librat që duhet të lexoni gjatë muajit gusht.


Jehona ngacmimesh të çuditshme
Autori: Edmond Tupe
Çmimi: 700 lekë

Supports text, HTML tags, JS code and video embed code

“Jehona ngacmimesh të çuditshme” është vëllimi i tretë me tregime erotike, shkruar nga pena e talentuar e Edmond Tupes. Plot 41 skica, të shkruara ndër vite përshkruajnë situate erotike eksplicite dhe vijnë në mënyrën më të bukur, përmes gjuhës, simboleve, alegorisë dhe metaforave të gjetura, të cilat e shtyjnë lexuesin të fantazojë dhe të zbulojë mënyra të reja për zbulimin e erosit.

Fragment nga libri:
“Papritmas, lulja nisi të lëvizte, a thua se frynte erë, majtas-djathtas, djathtas-majtas, me një rregullsi të harmonishme. Pastaj, si për çudi, m’u zhduk nga sytë, sikur ta kishte përpirë nata, por nuk vonoi dhe u rishfaq në tërë freskinë e saj blu. Një dëshirë më lindi e më kaploi një si ethe përvëluese: të shndërrohesha në kërmill, t’i ngjitesha ngadalë, shumë ngadalë, ta përkëdhelja me brirthët e mi, ta njomja me lëngun tim thelbësor, t’i lëpija, pija, përpija vesën mbi petla; pastaj ndërrova mendim: më mirë të kthehesha në bletë të egër, të shkoja e t’i futesha mes petlave, t’i thithja nektarin, nektarin blu, për të prodhuar një mjaltë qumështor të rrallë”.


Shtegu i Kripës
Autorja: Raynor Winn
Çmimi: 1,000 lekë

Pak ditë pasi autorja zbuloi se bashkëshorti i saj i dashur, me të cilin qe martuar prej tridhjetë e dy vitesh, vuante nga një sëmundje, ata humbën shtëpinë e gjithçka posedonin.

Të mbetur pa çati dhe trokë, nuk vonuar shumë dhe morën një vendim unanim: të përshkonin në këmbë Shtegun Bregdetar Jugperëndimor, një distancë prej 630 miljesh, nga Somerseti në Dorset. Kështu, ata jetuan të lirë, nën qiell të hapur, duke dëshmuar magjinë e yjeve. Në mëshirën e motit, të egërsisë së detit, çifti zbuloi një mënyrë të re ekzistence. Por shumë shpejt udhëtimi do të përfundojë. Çfarë i pret ata?


Jeta e gënjeshtërt e të rriturve
Autorja: Elena Ferrante
Çmimi: 1,400 lekë

Xhovana është një vajzë, e cila ngadalë po shkon drejt adoleshencës, asaj periudhe ku fëmijëria shkon me padije drejt moshës së rritur. Fytyra e saj e bukur fëmijërore po merr tiparet e një adoleshenteje të egër.

Xhovana i reflekton ndryshimet e saj fizike dhe shpirtërore në pasqyrimin e dy faqeve të një qyteti. Këto dimensione edhe i druhen, edhe e urrejnë njëra-tjetrën. Autorja na sjell një disbalancë fantastike mes Napolit të sipërm, i veshur me një maskë elegance dhe Napolit të poshtëm, vendit të poshtërsive dhe intrigave. Xhovana, jo më e vogël, kapërcen anët e qytetit dhe rreket të gjejë të vërtetën, por nuk gjen shpëtim. Në këtë rrugëtim, vajza do të zbulojë jetën e dyfishtë të prindërve, mashtrimet dhe intrigat e tyre, të cilat do ta shtyjnë edhe më shumë në një rrugë pa krye. Personazhet në “Jeta e gënjeshtërt e të rriturve” jetojnë me emocione të jashtëzakonshme, duke u përpjekur pa pushim të fshehin mashtrime të dhimbshme, por jeta gjithmonë nxjerr në pah të vërtetën, edhe kur është tronditëse.