Kur flasim për Meksikën, menjëherë na vjen ndërmend kulinaria tejet e pasur! Përpos pamjeve mahnitëse, shteti meksikan ofron një kuzhinë mbresëlënëse, e cila shpesh ka shërbyer edhe si “frymëzim” për kulturat e tjera. Çdokush i adhuron gatimet meksikane. Një kombinim perfekt shijesh dhe ngjyrash e përshkrojnë kulinarinë meksikane, duke e bërë atë një prej të preferuarave në botë.
Elegancë ju servir disa nga ushqimet që duhet t’i provoni ose përgatisni njëherë në jetë.
Pula Enchiliada
Shumë perime në një tavë! E mrekullueshme dhe me shije të përkryer! Për më tepër, shumë e ushqyeshme.
Çfarë na duhet: Domate e grirë në formë salce, ullinj të zinj, gjoks pule i marinuar në piper të kuq dhe të zi, 2 thelpinj hudhre, vaj ulliri, lëng limoni, avokado e prerë në kubikë.
Përgatitja: Vendosim tiganin në zjarr dhe vajin të nxehet. Shtojmë thelpinjtë e hudhrës, ullinjtë dhe domatet e grira. I trazojmë derisa të jetë krijuar forma e salcës. Më pas ziejmë gjoksin e pulës me lëngun e limonit dhe e kalojmë mbi salcën e përgatitur. Lyejmë një tavë me vaj ulliri, vendosim gjoksin e pulës dhe sipër salcën. Shtojmë avokadon e prerë në kubikë dhe erëza sipas dëshirës.
Burrito
Pa burrito nuk do e donim kaq shumë Meksikën!
Çfarë na duhet: Vaj ulliri ekstra i virgjër, mish viçi i prerë, petë taco, piper i zi i freskët, fasule të zeza të përgatitura, misër, domate e vogël e prerë në kubikë, vezë, djathë i grirë.
Përgatitja: Në nxehtësi normale vendosim tiganin me vaj ekstra të virgjër. Shtojmë ngadalë mishin e viçit, domaten e prerë dhe fasulet e përgatitura. I trazojmë ngadalë, derisa të krijohet ngjyra e kuqerremtë. Shtojmë djathin e grirë dhe marrim petët taco dhe fillojmë t’i mbushim me mish viçi, salcën e përgatitur dhe vezë. Mund t’i shtoni qepë, misër dhe speca sipas dëshirës.
Taco Chilli me djathë
Gjeniale dhe shumë e thjeshtë për t’u përgatitur! Meksika i përket shijes së shkëlqyer dhe ushqimeve të shpejta.
Çfarë na duhet: Vaj ulliri ekstra i virgjër, gjysmë qepe e prerë hollë, thelpinj hudhre, salcë domatë, mish viçi, spec djegës, piper i kuq, patate të skuqura, petë taco, fasule të përgatitura dhe djathë i grirë.
Përgatitja: Në tigan hedhim vajin e ullirit në nxehtësi normale. Shtojmë ngadalë qepën e grirë, hudhrat, mishin e viçit dhe salcën e domates. Pasi masa merr ngjyrën e kuqerremtë, i shtojmë edhe djathin e grirë dhe fasulet e përgatitura. E trazojmë salcën për rreth 10min dhe fillojmë të mbushin petët taco sipas dëshirës. Mos harroni specin djegës dhe erëzat!