Suksesi i Valdrin Sahitit nuk njeh asnjë limit. Krijuesi i fustaneve glamoroze bën magji sapo prek materialin e një fustani dhe e kthen gjithçka në një kryevepër perfekte.
I admiruar jo vetëm nga personazhet më të njohur në Shqipëri, por edhe në botë, Valdrini ka njohur vlerësime dhe suksese të panumërta, por kjo nuk e ka ndalur aspak rrugëtimin e tij drejt pikës më të lartë.
Valdrini vijon të jetë i motivuar dhe gati për sfida të reja, të cilat janë një pjesë e pandarë e procesit të punës, por edhe e karakterit të tij.
Në një intervistë ekskluzive për Elegance, ju ftojmë të njiheni me dashuritë, pasionet dhe ambiciet e një prej krijuesve më të dashur në trevat shqipfolëse dhe përtej.

Nëse kërkojmë emrin tënd në platforma të ndryshme online, apo në rrjete sociale, përballemi me mega sukseset e karrierës tënde si stilist. Tashmë, të gjithë i njohim arritjet e tua, por nuk dimë pothuajse asgjë si lindi pasioni yt për modën dhe si u zhvillua më tej në një karrierë të mirëfilltë?
Mendoj se kam lindur së bashku me modën, por në fakt e zbulova kur isha diku tek 15-16 vjeç. Të them të drejtën, gjatë asaj kohe doja ta zbuloja çfarë ishte konkretisht, një dëshirë e imja apo talent. Atëherë, kuptova diçka shumë të rëndësishme: që nëse është talent, duhet të punoj shumë e nëse është dëshirë, do të largohet me kalimin e kohës.
Çasti kur u përballa me fletën e bardhë dhe lapsin (sepse nuk dija të skicoja asnjë siluetë), ndodhi në shkollën e mesme, kur ndiqja kurset e matematikës dhe fizikës, njëkohësisht tentoja edhe kiminë, pasi predispozitat ishte që të ndiqja rrugën e mjekësisë.
Fillimisht, mendova se ishte thjesht dëshirë, jo një talent, por gjithsesi provova sërish, pasi kisha bindjen se ajo që kisha në mendje, ishte më e fortë se ajo që do të skicoja dhe kështu nisa të krijoja fustane dhe me anë të një kukulle ose manekine (siç bëjmë edhe sot), u shpjegoja idenë time njerëzve me të cilët punoja.
E më pas erdhi momenti kur kuptova se çfarë rruge doja saktësisht të ndiqja, çfarë doja të isha realisht; kur kuptova që jam ky që jam, dua drita, show, duartrokitje dhe kamera. Kur vendosa të prezantoja sfilatën time të parë isha vetëm 16-vjeç dhe guximi për të ngjitur skenën, ndryshoi jetën time totalisht.
Asokohe ishte shumë e vështirë, pasi gjithçka kishte të bënte me mbijetesën, ishin vitet e pasluftës së tmerrshme dhe të prekje një temë apo tabù kërkonte shumë guxim.
Mendova që shkolla do më duhej që të mësoja gjërat teknike dhe ashtu bëra, studiova për modë, ku mësova teknikat e prerjes, matjes, metoda të ndryshme ilustrimi dhe njëkohësisht lexoja shumë. Gjatë gjithë jetës kam lexuar pa reshtur, jo vetëm rreth modës. Kjo më falte shumë dije dhe më forconte kreativitetin.
Por ndërkohë që mësoja në profilin e modës, nuk e lashë pas edhe pasionin për shifrat, pasi ndiqja njëkohësisht edhe degën e Ekonomisë. Nuk ishte aspak e thjeshtë, sidomos për faktin se kisha edhe atelierin time të vogël prej 35 m2 në Prishtinë, ku prisja klientë dhe punoja me ta.
Kështu kujtoj orvatjet e mia, njohjet me materialet, me njerëzit, mjetet, gërshërët, lapsin, letrën, dritën, aparatin dhe sigurisht, me paratë.

Supports text, HTML tags, JS code and video embed code

Përsa i përket modës, krijimet e tua po lënë një gjurmë të pashlyeshme. Mund të themi se po prek majat dhe po vesh yjet botërorë, të cilët janë synimi i çdo fashion designer. Si ndihesh për këtë fakt? A është ky kulmi i karrierës tënde apo një start i ri për të arritur edhe më tej?
Interesant ishte fakti që më pëlqente kaq shumë skena dhe tapeti i kuq. Karriera ime nisi menjëherë me klientet VIP, pra nuk shkova nga masat tek divat, por nga divat tek masa.
Që në muajt e parë të karrierës sime, fillova të kuroj imazhe të rëndësishme të kohës, jo vetëm me veshjet e eventeve, por bëja edhe stilistin e designer-in. Më pëlqente shumë transformimi dhe revolucioni që krijoja me këto personalitete, më pëlqente fuqia e mendjes sime, të cilin e përputhja me personalitetet e grave me pushtet. Kështu, kuptova që nuk jam vetëm një designer, por një celebrity designer. Në subkoshiencën time, çdo grua është në vetvete një celebrity dhe çdo histori më frymëzon pafund për të krijuar.
Në pak kohë mora rolin kryesor në dasma, evente dhe isha kryefjala në të cilën referohej çdo grua në Prishtinë e në Kosovë. Për mua, kjo ishte një ndjenjë e papërshkrueshme, duke vijuar me Shqipërinë e Maqedoninë, me personalitet të showbiz-it anembanë dhe me gra që donin të dukeshin bukur dhe e vlerësonin punën time.
17 vite biznes dhe punë e pandërprerë ishte një rrugëtim i cili më dërgoi edhe te gratë më të fuqishme të botës. Thellë në vetvete e dija dhe prisja, sepse besoj në kreativitet, origjinalitet dhe në punën e palodhur. Në një farë mënyre, e dija që puna të çel rrugët dhe vijoja ta dedikoja kohën dhe kreativitetin tim në punë, thjesht me një manekinë, me modelet e mia, nga Prishtina e deri tek Beyonce.
Pastaj, vjen një moment që kupton se jeta nuk mbaron as me Beyonce, apo Cardi B. Puna ime është të krijoj çdo ditë, të sjell risi në jetën e njerëzve dhe kjo është më e vështira.
Për mua nuk ka një pikë ndalimi, pasi suksesi është një varësi; sa më shumë suksese të përjetosh, aq më shumë dëshiron dhe kjo nuk ndalon së më lumturuari. Unë s’e di kur do të gjej qetësi, pasi ende ka gra në botë që adhurojnë krijimet e mia dhe ende ka tregje që kanë nevojë për fustanet që Valdrin Sahiti krijon.
Gjithmonë mendoj se kjo është faza e parë e karrierës sime, jam formuar si brand dhe kam një rrugë shumë të gjatë për të bërë, deri sa të arrij në vizonet dhe ëndrrat e mia.

Iskra Lawrence në Golden Globes, Cardi B, Hadise e së fundmi Beyonce të kanë besuar parakalimet në tapetet e kuq të evenimenteve të ndryshme. Të gjithë sytë e botës janë mbi divat e famshme dhe sigurisht, mbi veshjet që ti ke krijuar. Si ndihesh për këtë?
Ndjenja është e jashtëzakonshme, sepse fakti që është shpërblimi i një pune të pandalur, për pothuajse 2 dekada, mjafton për t’u ndjerë mirë.
Ideja që stili yt pëlqehet kudo dhe je i kërkuar pafund është një kënaqësi e papërshkrueshme, por njëkohësisht, edhe përgjegjësi e madhe për shkak se kemi “pushtuar” tregjet globale dhe kemi admirimin e diva-ve botërore.
Është një lumturi e vërtetë, e paçmueshme, sepse kupton që realisht, baza e çdo suksesi është puna!
Sigurisht, kam edhe më shumë përgjegjësi, rrugë të reja që shfaqen në horizont, shumë udhëkryqe dhe sfida, sepse eksperienca nëpër të cilën po kaloj sot, është e njëjtë me çdo ditë të fillimit tim.
Një sfidë tjetër, një model i ri, një prerje preçize dhe perfekte, një material premium me super kualitet, një gjetje, një detaj i ri; kjo është rutina ime prej 17 viteve.

Cilat janë “pasojat” e famës, pasi fustanet e personaliteteve më të famshme botërore mbajnë emrin e brand-it tënd?
Pasoja në fakt është përgjegjësia dhe ankthi se mos ndodh ndonjë gabim, është ideja që fle dhe zgjohesh me pyetjen: “Cili është hapi i radhës?”.
Seriozisht, është shumë e vështirë të prodhosh ide për çdo ditë, por me ç’kam kuptuar kjo më mban gjallë dhe i jep kuptim emrit tim, ndryshe nuk do isha Valdrin, por do isha një njeri tepër i zakontë.

Brand-i “Valdrin Sahiti” krijon fustane për evente, por edhe veshje për meshkuj. Së fundmi, një rëndësi shumë të madhe kanë marrë krijimet femërore. Kjo ka ndodhur sepse ka më shumë kërkesë mbi veshjet femërore, apo thjesht frymëzimi momental i një artisti?
Brandi “Valdrin Sahiti” ka nisur të krijojë për femra dhe vijon që pikësynim të ketë femrën, në çdo linjë.
VSMAN është një linjë e vogël, me detaje fantastike për kostume meshkujsh, por që gjithmonë qëndron në tonet e klasikes, duke ndërthurur edhe pak detaje moderne.
Personalisht, doja që në brand-in tim të ekzistonte një aksesor plotësues dhe të krijohej një super linjë solide dhe shumë e dashur për meshkuj, por jo aq eksperimentale sa për femrat.

Po kërkojmë shumë nëse të pyesim për personazhin V.I.P të radhës, i cili do të shkëlqejë me krijimet e tua magjike?
Në fakt, kjo nuk varet nga unë, por edhe nga koleksionet e reja dhe kërkesat e yjeve. Ideja është që ata janë shumë selektivë në koleksione dhe kërkojnë origjinalitetin. Puna jonë konsiston në pëzgjedhjen e krijimeve interesante, të cilat i përshtaten interesave tona, frymës dhe stilit të njëjtë.

Karriera ka një impakt të jashtëzakonshëm në jetën tënde, por Valdrini njihet edhe si një familjar i përkryer, i cili shpenzon kohë me miqtë dhe familjen dhe sakrifikon shumë për këtë të fundit. Si e menaxhon sfidën e të qenurit një nga stilistët më të kërkuar në treg, por edhe një familjar i përkushtuar?
Unë jam rritur në një familje të shëndoshë, pa probleme, e thjeshtë, intelektuale, me kushte ekonomike simbolike, por me shumë art, libra dhe dashuri. Për mua, dashuria që kam nga prindërit dhe vëllezërit ishte dhe vijon të jetë sublime. Unë në jetë eci me moton: “Pak e saktë”, ndaj nuk kam shumë miq, por ata që kam i kam miq zemre.
Për mua fjalët si: martesë, grua, etj, janë thjesht terminologji që shoqëria ka vendosur. Mendoj se më të rëndësishme do të ishin fjalët: dashuri, energji dhe bisedë me personin që zgjedh të ndash shtratin dhe jetën, andaj kështu veprova në jetën time: gjeta një shoqe, një përkrahëse të flaktë të punës sime, një dashamirëse të sinqeritetit dhe dashurisë dhe këtë e pagëzova si “dashuria ime”, “gruaja e jetës” dhe “nëna e krijesës më të çmuar për mua”.
Ajo që dua të them është se koha që kaloj me Editën dhe Bellën, me familjen dhe shoqërinë time nuk ka të bëjë me presionin e punës sime, apo sa i zënë jam, por me dashurinë që marr. Mund të them se ata janë vërtet burimi i çdo suksesi që unë kam përjetuar. Janë një pjesë e pandarë e imja, e rutinës sime publike dhe private, pasi për mua kanë shumë rëndësi marrëdhëniet që ndërtohen, mirëkuptimi, debatet pa fund, kënaqësitë dhe interesat e përbashkëta.

Përpos veshjeve glamoroze për evente që janë produkt i imagjinatës dhe kreativitetit tënd, një vend të rëndësishëm zënë edhe fustanet e nusërisë. Pikërisht, një fustan mbresëlënës, mbante veshur edhe gruaja jote në celebrimin e dashurisë suaj sublime. Ceremonia u krye në Las Vegas dhe ishte tejet private. Si do ta përshkruaje dasmën e ëndrrave dhe pse është tendenca për ta mbajtur jashtë syve të publikut?
E kam thënë gjithmonë se celebrimi i gjërave të shpirtit nuk matet me volum (së paku jo tek unë), por me ndjesi. Unë bëra atë që ndjeva dhe bashkëjetesën prej pothuajse 1 dekade, e kurorëzova me një festë në Las Vegas.
Problemi i jetës sime është se jam artist dhe veproj si e ndiej, jo si dëshirojnë të tjerët. Kështu, e kurorëzova dashurinë time me një festë të vogël, shumë sublime për mua dhe Editën, por ndoshta jo për publikun.
Po kaloja periudhën më të bukur të jetës, pritjen e Bellës dhe nuk më bënte përshtypje asgjë përpos shëndetit tonë dhe dëgjimit të rrahjeve të zemrës së Bellës. Për mua ajo nuk ishte një numër, apo obligiim, por ishte gjithçka që kishim ndërtuar për 8 vite me radhë dhe po na vinte në jetë si një dhuratë. Pikërisht ky ishte momenti kur mendova për veten dhe jo për idenë e një feste të madhe. Desha thjesht të gëzoja familjen time dhe miqtë shumë të ngushtë, për të ndarë së bashku atë lumturi që po kaloja.

Dashuria jote shumëvjeçare me Editën i dha frytet e saj me një vogëlushe shumë të bukur të quajtur Bella, e cila erdhi në jetë në SHBA. Kjo ishte një zgjedhje e mirëmenduar apo thjesht rastësi?
Të them të drejtën, Bellën e kishim menduar gjatë, pasi nuk i pëlqej surprizat dhe idenë e marrjes së vendimeve të pamenduara. Bella ishte një dhuratë që e deshëm shumë, në një kohë të caktuar dhe universi na e shpërbleu. Në fakt, s’kishte si të ndodhte ndryshe nga një person si unë, si një njeri që do gjithmonë perfeksionin.
Përsa i përket lindjes së Bellës në Sh.B.A, besoj se në jetë kam një mision: të tentoj më të mirën dhe besoj se nënshtetësia e Shteteve të Bashkuara i jep më shumë mundësi Bellës në të ardhmen, referuar shkollimit dhe formimit, më shumë siguri dhe më pak barriera nëpër të cilat kemi kaluar unë dhe Edita.
Fakti që ikëm në USA dhe e pritëm lindjen e Bellës atje, ishte një ndër vendimet më të mira të jetës sime.

Familja juaj, në dukje e vogël, reflekton shumë pozitivitet dhe dashuri, por të gjithë e dimë se pas ardhjes në jetë të një fëmije, jeta e prindërve ndryshon shumë. Si ka ndryshuar jeta juaj tani me praninë e Bellës? A janë shtuar sfidat si prind, por edhe bekimet e të pasurit në jetë një vogëlushe shumë të këndshme?
Në fund, mendoj se Bella ka sjellë tek unë një anë e cila mungonte, një dashuri pa kushte, pa epitete, një komunikim të çiltër dhe një ndienjë që nuk njeh titull e as çmim.
Ideja që unë do bëj krenare Bellën e kalon çdo kënaqësi dhe ego personale. Një ditë Bella do të thotë: “Po, ai është babi im!” dhe kjo më motivon.

Leave A Comment

Your email address will not be published.

error: Content is protected !!