10 mësime mbi dashurinë nga Frida Kahlo

Të gjithë e njohim Frida Kahlo, piktoren meksikane, e njohur për autoportretet e saj, të cilat janë tejet ekspresive.
Personalitetet që patën fatin ta njihnin nga afër, e përshkruan Frida-n si “një grua që vjen vetëm një herë në jetë”, divë madhështore, pijedashëse, tejet hokatare dhe një artiste me shpirt bohemian; ndërsa bota e njeh si një ikonë e forcës, viktimë e ndjenjës sublime të dashurisë dhe një gjeni në art.
Frida Kahlo ishte emri që ndryshoi standardet e bukurisë dhe theksoi faktin se një grua duhet për inteligjencën, shprehitë dhe vrullin e ndjenjave të saj. Kështu, solli në modë sërish dashurinë e vërtetë përmes emocioneve dhe mendjes.
Shpesh artistja legjendare është referuar si modeli i një gruaje të paepur, e cila nuk ka frikë t’i dëshmojë botës forcën dhe vlerat e saj. Ajo jo vetëm diti ta frymëzojë botën me fuqinë e saj intelektuale dhe me ndjesitë absolute të një artisteje që donte të ndryshonte botën, por dashur pa dashur, na trashëgoi 10 mësime mbi dashurinë ndaj vetes dhe të tjerëve.

1. Dashuria është falje.

Supports text, HTML tags, JS code and video embed code

 “Kam patur dy aksidente në jetë: atë që më paralizoi dhe Diegon. Mes të dyjave, Diego ishte më i keqi”. – Frida Kahlo.
Frida ishte gruaja e Diego Rivera, një artist i talentuar, i cili përpos artit, njihej për obsesionin e pakontrolluar në raport me femrat. Kjo solli tradhëti të vazhdueshme, të cilat rrjedhimisht, thyen zemrën e gruas që e donte.
Ajo që është e pazakontë për një grua si Frida Kahlo është fakti se pavarësisht kësaj, ajo vijoi ta dashuronte në të njëjtën mënyrë, pa kushte, pa kohë dhe duke mos pritur kurrgjë në këmbim.
Ndonëse kurrë nuk e tha me zë të lartë, nuk i bërtiti ndjesitë e saj, dhimbjen dhe pasionin, fakti që qëndroi pranë Rivera-s, na rrëfen një prej mësimeve më sublime: duke dashur, mësojmë të falim.

2. Dashuria është e pashpjegueshme.

“Martesa e Frida-s dhe Diego-s është si bashkimi i një elefanti dhe një pëllumbi”. Matilde Calderon, e ëma e Frida-s.
Realisht, askush nuk e dinte pse Frida qëndronte me Diego-n, pse i duronte tradhëtitë e tij dhe pse i justifikonte ato. Por, dashuria është e pashmangshme, e parezistueshme dhe sigurisht, e pashpjegueshme. Frida e njohu zemrën e saj dhe për çdo moment të jetës, e dëgjoi, pavarësisht bashkimit të çuditshëm “mes një elefanti dhe një pëllumbi”.

3. Dashuro fillimisht veten.

“E vetmja gjë që di me siguri është se pikturoj sepse kam nevojë ta bëj”. – Frida Kahlo.
Të duash veten do të thotë ta pranosh atë, ta mirëkuptosh, të mos e gënjesh kurrë dhe gjithmonë të mbash mend se kush je, në çdo rrethanë e situatë.
Frida u martua me një burrë që fatkeqësisht nuk pati shumë kohë për të, ndaj gjithë kohës zemra e saj ishte në agoni. Vuajti 3 aborte dhe përjetoi një aksident që e shkatërroi fizikisht dhe shpirtërisht. Por, ajo që na frymëzon prej vitesh është fakti se gruaja e hekurt nuk reshti kurrë së pikturuari.
Me gjithë emocionet që i vërshonin në zemër, mendimet që i pushtonin trurin dhe dhimbjen fizike që e mundonte, Frida kurrë nuk e harroi veten. Përderisa vijoi të pikturonte dhe të mos i dorëzohej fatkeqësive të cilat jeta nuk ia kurseu, ajo mbartte një forcë frymëzuese, të jashtëzakonshme, të paarritshme, e cila mori trajtën e autoportreteve që transmetonin ndjesitë e saj dhe rezistencën e pathyeshme.

4. Duhet të dish kur të heqësh dorë.

“Nuk jam e sëmurë, jam e thyer”. – Frida Kahlo.
Mes shumë tradhëtive me të cilat artistja meksikane u përball në martesën me bashkëshortin e saj, njëra la plagë e shenja të thella dhe e detyroi të hiqte dorë.
Në vitin 1934, ndërsa Frida përjetoi abortin e tretë, mësoi se Diego e kishte tradhëtuar me motrën e saj të vogël, Cristina-n. Normalisht, kjo është e paimagjinueshme dhe jashtëzakonisht e dhimbshme.
Për 4 vite fatet e Diego-s dhe Frida-s u ndanë, duke na dhënë një mësim të vyer:
Duhet të dimë kur të heqim dorë!

5. Vuajtja nuk mund të fshihet.

“Unë dehem që të mbys trishtimin, por ah, ai bastardi ka mësuar notin”. – Frida Kahlo.
Në jetën e Frida-s, sëmundja ka qenë gjithmonë prezente, madje që në moshë të re. Kur ishte 18 vjeç, një aksident i la një pasojë të pashlyeshme, thyerjen e shpinës dhe frakturë të mitrës. Gjatë jetës së saj, u operua me dhjetëra herë dhe vuajti edhe nga pneumonia, nga e cila gjeti vdekjen.
Frida kaloi gjithë jetën në agoninë e krizave mendore, emocionale dhe fizike, për të cilat artistja meksikane ishte mëse e vetëdijshme.
Dhimbja e saj çeli portat e një realiteti më sublim, të cilin sot e gjejmë vetëm nëpër libra dhe filma. Por piktorja i përkiste artit ndaj na mësoi se përmes vuajtjes që nuk mund të fshihet, mund të ndodhë një transformim magjik, ku agonia e shpirtit i shërben artit.

6. Të shprehësh ndjenjat është e shëndetshme.

“Nuk pikturoj kurrë ëndrra apo makthe; pikturoj realitetin tim”. – Frida Kahlo.
Shpesh njerëzit e nënvlerësojnë rëndësinë e shprehjes së ndjenjave, qoftë edhe rrëfimit të ngjarjeve në një ditar.
Vrasësi më i rrezikshëm, i cili na e merr jetën ndërsa jemi gjallë është padyshim “trishtimi”, i cili nëse nuk shprehet është më i rrezikshëm se çdo sëmundje.
Frida na mësoi të shprehemi nëpërmjet pikturës, shkrimit, muzikës; të bëjmë gjithçka për të nxjerrë jashtë inatin, mllefin dhe trishtimin.
Ajo që është më e rëndësishmja: Muza e çdo kohe na tregoi se mund të krijojmë kryevepra dhe burimi i frymëzimit mund të jetë dhimbja.

7. Mos ki turp nga stili yt.

“Nuk më intereson aspak se çfarë mendon bota për mua…Kam lindur si piktore; kam lindur me një shpirt të trazuar, por kam jetuar një jetë të lumtur. Ju nuk mund ta kuptoni se çfarë jam unë realisht. Unë jam dashuria, pasioni, esenca. Jam idiote, e alkoolizuar; jam ekzistenca”. – Frida Kahlo.
Frida është konsideruar si një ikonë bukurie në Meksikë, e njohur për stilin e saj unik me veshje vibruese dhe plot ngjyra dhe me flokë gërsheta.
Vetulla jo e zakontë dhe mustaqet që sot nuk i shohim tek asnjë grua, dikur kanë qenë elementi identifikues i Frida-s. Por nuk mund ta njohim artisten e jashtëzakonshme pa fustanet Tehuana të cilat i përshtateshin mrekullisht me trupin.
Ajo njihet edhe për dashurinë për ngjyrën e kuqe, e cila tregonte shpirtin e saj pasionant. Ngjyra e rrezikshme pushtonte buzët e saj, si dhe manikyri i preferuar mbante ngjyrë të kuqe.
Nëpërmjet pranimit të vetvetes dhe shfaqjes së një stili të pazakontë, Frida na dha një tjetër mësim të çmuar: Ta duam stilin tonë dhe të ndihemi rehat me lëkurën tonë. Ajo na udhëzoi që të jemi gjithmonë vetvetja.

8. Mos bëj plane.

“Asgjë nuk është absolute. Gjithçka ndryshon, lëviz, evoluon, fluturon dhe largohet”. – Frida Kahlo
Artistja nuk e planifikoi kurrë të ardhmen dhe faktin që do të bëhej një prej piktoreve më të famshme në botë. Deri në adoleshencë ajo mendonte se do të bëhej një mjeke e përkushtuar, por aksidenti duket se e ndryshoi kursin e saj jetësor përgjithmonë.
“E prangosur” në krevat, Frida zbuloi penelat, telajot dhe pjesa tjetër i përket historisë.
Duke cituar inspirimin e brezave: “Gjithçka ndryshon dhe lëviz”, njihemi me këshillën e radhës, e cila konsiston me mosplanifikimin e së ardhmes. Le të jetojmë në çastin e së tashmes!

9. Gruaja fsheh një forcë të pashtershme.

“Në fund të ditës, mund të përballojmë shumë më shumë se ç’mendojmë”. – Frida Kahlo
Në ditët e sotme të gjithë besojmë në superfuqinë e një gruaje, tek e cila padyshim besonte shumë fort edhe Frida.
Faktikisht, artistja shërben si shembulli konkret për një grua të patundur, e cila qëndron stoike përpara gjithçkaje. Duke qenë modeli perfekt, ajo e superoi dhimbjen dhe tregoi forcën e madhe të figurës femërore. 

10. Lëri gjërat të shkojnë.

“Shpresoj shumë që fundi të jetë i lumtur dhe të mos rikthehem më kurrë”. – Frida Kahlo
E pamposhtura Fridë njihej si shpirti i festës, e cila i argëtonte të gjithë me biseda plot humor, fjalë të mençura, dëshirën për të pirë tequila dhe për të kënduar këngë të vjetra meksikane.
Përpos problemeve të saj shëndetësore, mund të themi se shishja e tequila-s dhe cigaret ishin shoqëruesit e saj më të mirë, duke mos u interesuar aspak për pasojat.
Ajo kaloi nëpër ngjarje të dhimbshme, humbi shumë në jetë, deri në pikën ku nuk kishte më ç’të humbte. E la veten të lirë, kërceu me erën, tingujt, natyrën dhe ngjyrat dhe kjo e bëri një legjendë.