Shampanja është e kudogjendur në kulturën tonë. Mjafton të sjellësh ndërmend filmat si: Casablanca apo James Bond, garat me makina apo eventet glamoroze të modës ku ajo mungon. Winston Churchill, të cilin të gjithë e njohim si njeri të cigareve puro, ka qenë shumë i dhënë pas shampanjës dhe një konsumator i rregullt i shampanjës Pol Roger.Ndaj edhe nuk ka dyshim që shampanja është një pije prestigjoze, sigurisht për ata që mund t’ia ofrojnë vetes këtë luks.
Dhe ne mendojmë se askush nuk duhet t’ia mohojë vetes kënaqësinë e një gote të ftohtë shampanje, sidomos gjatë verës. Kjo delikatesë luksoze franceze mund të pihet si aperitiv, si koktej, si pije dreke apo edhe gjatë një darke. Gabimisht mendohet se shampanja është vetëm për raste të veçanta. Në fakt e kundërta është e vërtetë. Shampanja dhe verërat me gaz gjithmonë dhe më shumë po bëhen pjesë e konsumit të përditshëm të pijeve, duke i zënë vendin verërave klasike. Dhe kjo sidomos gjatë pranverës dhe verës.
ABC-ja e shampanjës
Një shishe shampanjë duhet të vendoset në një kovë akulli për 40 minuta përpara se të shërbehet. Shampanja duhet shërbyer shumë e ftohtë dhe është pija perfekte për eventet verore nëpër tarraca.
Problemi më i madh me shampanjën është mënyra e duhur e hapjes së shishes. Etiketa e shampanjës të ndalon ta hapësh tapën me zhurmë; presioni në shishe vërtet mund të dëmtojë të pranishmit. Për më tepër, njohësit e vërtetë të shampanjës mburren me “qetësinë” me të cilën e hapin shishen! Por hapja e shishes nuk është gjithçka; duhet të dish si ta hedhësh në gotë, mënyra si ta pish dhe si ta shijosh. Shampanja duhet të shërbehet medoemos në një gotë flute (e hollë dhe e gjatë), e cila i ruan më mirë se çdo gjë tjetër fluskat e vogla të famshme.
Çmimet
Duhet të prisni të shpenzoni midis 30 – 150 euro për një shishe shampanjë të një cilësie mesatare. Shampanja më e zakonshme është Brut, që do të thotë shampanjë e thatë. Disa shampanja janë të më të ëmbla. Gjithashtu, duke i shtuar verë të kuqe në fuçitë e fermentimit është krijuar dhe shampanjë rozë. Shampagna Dom Perignon është klasike dhe prestigjoze dhe prodhohet nga Moet & Chandon; kushton rreth 100 euro për shishe. Për të njëjtin çmim, ju mund të provoni gjithashtu një Krug Grande Cuvee ose Veuve Cliquot Carte Jaune.