Kuzhina është dashuria e të gjithëve, ndaj misioni ynë është të zbulojmë dhe promovojmë tradita të reja kulinaria, që na impresionojnë dhe njëkohësisht na bëjnë ta dashurojmë edhe më shumë gastronominë. Ky muaj na dërgon në kontinentin ekzotik, në Afrikën e largët, me shumë histori dhe kulinari tërheqëse. Kuzhina afrikane është një kombinim i jashtëzakonshëm mes frutave, perimeve, produkteve me bazë laktozë dhe ato me bazë mishi.
Samsa
Është një prej gatimeve më të pëlqyera të kontinentit afrikan. Ndryshe nga kulinaria afrikane, samsa është një gatim i cili realizohet me ujë trëndafili dhe lajthi të zhytyra në mjaltë dhe susam.
Përbërësit:
6 peta.
1 filxhan me lajthi të qëruara.
1 filxhan sheqer.
5 lugë të mëdha me ujë trëndafili.
1 filxhan mjaltë.
½ filxhan me fara susami.
Përgatitja:
Në ujë të nxehtë vendosim miksturën me lajthi, sheqer dhe ujë trëndafili dhe i përziejmë derisa të marrim një formë paste. Shtojmë ngadalë pak nga pak mjaltë derisa masa të jetë homogjene. Pasi ta kemi përftuar në formë xhelatinoze, pastën e përdorim për të mbushur petat dhe më pas i hedhim sipër fara susami. I pjekim në furrë për 30 min në temperaturë 450 gradë.
Aloko
Nuk mund të mungojë aspak ushqimi “fast”, i cili shitet në çdo pjesë të Afrikës. Është një rikrijim i patateve të skuqura, por në vend të patateve kemi banane, dhe zakonisht shërbehet me spec djegës dhe qepë.. Për kulturën afrikane ka aq shumë rëndësi, sa një prej shesheve kryesore ka marrë emrin e gatimit.
Përbërësit:
4 banane të prera.
1 filxhan me vaj palme.
2 speca djegës, të prera në kubikë dhe pa fara.
1 qepë e prerë hollë.
Kripë.
Përgatitja:
Prihen perimet në formë kubike, në pjesëza të vogla. Bananet skuqen në vaj friture derisa të marrin ngjyrën e duhur dhe më pas shtohen disa nga farat e specave. Ndërkohë, në një tigan të vogël skuqim specat dhe qepën, duke i shtuar ngadalë. Më pas shtojmë edhe pak ujë dhe i ziejmë për pak minuta. Shtojmë kripën dhe bananet e skuqura.
Kulikuli
Është një ushqim afrikan tejet i preferuar dhe përdoret pothuajse në të gjithë kontinentin, ku pëson ndryshime të vogla në çdo shtet.
Përbërësit:
3 ½ filxhan me gjalp kikiriku.
½ litër ujë i ngrohtë.
Kripë
Vaj kikiriku
Përgatitja:
Nxjerrim gjalpin e kikirikut nga kavanozi dhe e hedhim në një tenxhere. Ngadalë shtojmë ujë të ngrohtë dhe vajin e kikirikut. Vazhdojmë derisa të gjithë ingredientët të bashkohen në një pastë të butë, duke i shtuar edhe kripën. I vendosim në një tavë me forma, enkas për biskota dhe pasi janë përgatitur i shërbejmë me pak gjalp kikiriku dhe gjethe mente.