Ceramics Monarchy

“Monarkia e qeramikës” mbretëron me talentin dhe vizionin e saj
Në epokën tonë, artizani dhe të gjitha kryeveprat që prodhohen nga duart e arta të artistëve, tërheqin vëmendjen dhe na bëjnë të mahnitemi dhe të kuriozohemi për të zgjidhur “rebusin” që fsheh pikërisht i gjithë procesi, duke nisur nga ideja fillestare, e duke arritur në përfundimin, i cili si gjithmonë është mbresëlënës.

Pikërisht, për të na shuar këto dilema, kemi pyetur Fatjona Hysenin, vajzën super të këndshme dhe të talentuar, që ia ka dalë ta kthejë pasionin në sipërmarrje dhe me shumë çiltërsi u është përgjigjur të gjitha pyetjeve tona mbi “Ceramics Monarchy”.

Supports text, HTML tags, JS code and video embed code

Si nisi e gjitha, që nga dëshira, pasioni e për të kaluar te sipërmarrja?
E gjitha ka nisur me dëshirën për krijimtari. Gjithmonë jam përfshirë në fusha të ndryshme të artit, në varësi të frymëzimit dhe kuriozitetit për të provuar veten në hapësira të reja: të luaj në kitarë, të shkruaj poezi, të pikturoj, të qëndis, etj. Dhe gjithçka e kam nisur si pasion, në mënyrë autodidakte, për të mbajtur aktive mendjen dhe qenien time. Kurrë s’kam mundur të shes ndonjë nga krijimet e mia, pasi nuk i ndaja dot nga vetja. Puna në qeramike është i vetmi pasion i imi që e kam nisur edhe për të tjerët, jo veç për veten. U njoha me këtë formë të artit në rrjetet sociale. Mungesa e tregut të qeramikës në Shqipëri dhe çmimet shumë të larta që ofrojnë artizanët ekzistues, më shtynë të krijoj vetë atë çfarë kisha dëshirë të zotëroj. Nga zero informacion për këtë material, për rreth 2 javë, me anë të tutorialeve dhe praktikës, arrita të mësoj si të skulpturoj argjilën në çdo formë. Të gjitha punimet e mia të para i kam dhuruar. Komplimentet dhe motivimi nga ana e miqve të mi, gjithashtu dëshira ime për të përhapur sa më shumë kulturën e argjilës në Shqipëri si diçka të re dhe të veçantë, më bënë të vendos për hapjen e “Ceramics Monarchy”, dyqanit tim online të qeramikës.

Si mund ta përshkruash procesin e punës?
Procesi i qeramikës kalon në 3 etapa:

  1. Si fillim duhet t’i japim formën që deshirojmë argjilës, me ndihmën e ujit dhe mjeteve të punës.
  2. Pastaj, kalojmë te tharja, që zgjat 24-48 orë.
  3. Procesi i fundit është lëmimi, pikturimi, ose zbukurimi dhe mbulimi me teksturën shkëlqyese.

 Cila është pjesa më sfiduese e këtij procesi, duke konsideruar ngjyrat, teksturën, peshën,
përmasat dhe qëndrueshmërinë e qeramikës?

Sfida ime më e madhe gjatë punës me qeramikë është se ky nuk është profesioni im dhe rrjedhimisht, unë nuk mundem të jem full-time e përqendruar te ky pasion, nuk mundem të kem një studio dhe çdo mjet të nevojshëm për të qenë në gjendje të krijoj gjithçka që mund të punohet me argjilë. Është e vështirë ose thuajse e pamundur të gjenden materialet dhe veglat e duhura në Shqipëri. Kjo më ka detyruar të punoj me çdo mjet rrethanor që e gjej në shtëpi, duke e bërë më të vështirë punën dhe duke më marrë edhe më shumë kohë për çdo krijim.

Krijimi i formës së qeramikës dhe tharja e saj duan kohën dhe hapësirën e duhur, të cilat më kufizohen ndonjëherë, duke qenë se punoj në një ambient të vogël familjar, por kjo është një nga sakrificat që duhet të bëj për të mbajtur pasionin në jetë.

Për sa i përket qëndrueshmërisë, është e vërtetë se qeramika është delikate dhe e thyeshme, por mjafton pak kujdes për të mos e goditur me mjete të forta dhe ajo do të jetë e përjetshme.

 Pse ke zgjedhur pikërisht një material të tillë?
Ka shumë arsye për të zgjedhur qeramikën si mjet arti, e sidomos në pjesën e bizhuterive. Argjila ka aftësinë të përshtatet me temperaturën e trupit, çka e bën më të rehatshme mbajtjen e saj në lëkurë, duke u bërë pjesë e jotja. Edhe në prekje është shumë e këndshme dhe e lëmuar. Argjila të rrit dëshirën ta kesh gjithmonë me vete. Për më tepër, është e pamundur të jesh alergjik ndaj argjilës, kjo është arsyeja pse bizhutë e krijuara me këtë material janë të përshtatshme për cilindo.

Një tjetër motiv është se mund të krijosh çfarëdo forme me argjilë. Kjo mundëson edhe krijimet me funksionalitete nga më të ndryshmet. Argjila të lejon të jesh tregtare e bizhuve, vazove, filxhanëve, mbajtëseve të qirinjve, djegëseve të aromave, skulpturave, gotave të luleve, mbajtëseve të unazave, etj. Këto krijime, në dukje nuk kanë lidhje me njëra-tjetrën dhe pikërisht kjo e bën zbavitëse punën me këtë material, pasi ndihesh gjithçkabërëse.

Kur bëhet fjalë për punën me argjilë, merr pjesë edhe spiritualiteti. Ky material është shumë afër me natyrën. Qysh prej krijimit të njerëzimit, argjila është materiali i parë i përdorur për të krijuar mjetet më bazike të jetesës dhe që prej asaj kohe, njerëzit nuk kanë ndaluar kurrë së e përdoruri. Pra, argjila mbart një histori që duhet të ketë vazhdimësinë e saj në çdo brez.

 Cili ka qenë reagimi i parë i ndjekësve të tu ndaj punimeve që ke publikuar?
Të them të vërtetën, nuk e kam pritur të pëlqehem që nga fillimet e mia. Kanë kaluar rreth 3 muaj që nga momenti i hapjes së llogarisë në Instagram dhe jam shumë e surprizuar nga numri i ndjekësve, porositë dhe fjalët që më shkruajnë. Nuk më kanë pëlqyer asnjëherë komplimentet, por kur vjen puna tek ato që krijoj vetë, mendimi i të tjerëve merr më shumë rëndësi. Shumica e njerëzve nuk e njohin punën në argjilë, ose fillimisht, nuk e konceptojnë se gjithçka bëhet manualisht, duke nisur që nga krijimi i formës e deri në përfundim. Por, vërej se gjithmonë e më shumë po shpërndahet dhe po njihet përdorimi i qeramikës dhe shumë të rinj janë orientuar drejt stilit bohemian dhe vintage.

Reagimi im i preferuar është gjithmonë ai klasiku: A i bën vetë këto?!

Cili ka qenë punimi më i vështirë?
Pikërisht, ai më i shituri! Mendova të provoj të skulpturoj forma fytyre, për t’i kthyer në vazo lulesh, por ngjitja e dy pjesëve dhe mbajtja e tyre në këmbë, bënte që punimi të shtrembërohej dhe kjo u pëlqye shumë. Pjesa më e vështirë ishte të arrija “të kontrolloja shtrembërimin” në çdo porosi që më erdhi për këtë punim. Është shumë më e vështirë përsëritja e krijimit jo perfekt, sesa e atij perfekt.

Çfarë të frymëzon dhe si arrin t’i japësh formë inspirimit?
Gjithçka mund të jetë burim frymëzimi, nëse sheh me syrin e mendjes.
E përditshmja është e mbushur me elemente të bukura, të cilat shpesh i lëmë të na ikin pa i shijuar. Një ditë mund të të frymëzojë veshja e një vajze në rrugë, ditën tjetër ngjyra e çajit të mentes, e ndoshta stili i çantës sime të preferuar, të cilës nuk i kam gjetur asnjë bizhu që t’i shkojë.

Klientët dhe kërkesat e tyre janë baza më e madhe e frymëzimit tim. Ata më rrëfejnë dëshirat e tyre, që janë gjithmonë aq të bukura dhe më inspirojnë me imagjinatën e tyre. Kjo bën të mundur që çdo produkt të rezultojë më i bukur se pritshmëritë e klientëve.

Sigurisht, edhe ndjenjat dhe emocionet lënë gjurmët e tyre në krijimet e çdo artisti. Ndryshe nga muzikantët, unë krijoj më së shumti kur jam e lumtur.

Cila është filozofia që qëndron pas “Ceramics Monarchy”?
Filozofia është të jesh i papërsëritshëm. Këtë luks siguron qeramika: të bësh realitet gjithçka të vjen në mendje, dhe ta posedosh vetëm ti. Rrethohemi nga një turmë që ecën në të njëjtin drejtim, në aspektin e modës, shembujt mediatikë, shitjet në seri, publiciteti, ndikimi i personazheve të famshëm, etj. Qeramika është një nga mënyrat për të qenë autentik, për t’u ndarë nga turma. Nuk ka asnjë limit në formë, ngjyrë, sipërfaqe, apo madhësi. I vetmi kufizim është pamundësia e përsëritjes. Ky është kufizimi më i bukur në botën e artit. Ndihem e privilegjuar kur një klient më mendon si “vajza që krijoi atë që kisha në mendje”.

Kur bëhet fjalë për punimet e tua, me çfarë nuk bën kompromis?
Kur të tjerët e trajtojnë punën time si biznes, mund të them se ofendohem. Kam pasur kërkesa nga dyqane të ndryshme për blerje në seri me anë të porosive, duke më mohuar të drejtën e autorësisë. Interesi im nuk është kurrë përfitimi monetar duke hedhur poshtë vlerat e dikujt që mundohet të bëjë artin e tij. Sigurisht, edhe shpërblimi monetar është i rëndësishëm, por përparësi ka gjithnjë shpërblimi shpirtëror nga puna unike dhe fjalët e drejtpërdrejta të klientit.

Si ke arritur të gjesh balancën me kërkesat e klientëve: ata bëjnë një kërkesë dhe ti e
realizon, apo ti servir punimet e tua në trajtën e një “katalogu” dhe ata e blejnë?

E kam nisur me mendimin që çdo punim do të krijohet me kërkesën fillestare nga klienti, por disa punime kanë tërhequr më shumë vëmendjen dhe janë porositur shumë. Kështu, vazhdimisht kam krijuar punime të reja, duke mundësuar edhe përzgjedhjen nga “katalogu” që shpaloset në Instagram, me kushtin që asnjë punim nuk mund të jetë identik me një tjetër.

Pra, janë klientët ata që zgjedhin nëse duan një vepër të ngjizur nga imagjinata e tyre, apo një prej punimeve të publikuara në “Ceramics Monarchy”. Pa diskutim, dëshira ime është përherë sfida për të sjellë në realitet diçka të papunuar më parë.

Mendon se talenti dhe puna artizanale vlerësohet sa duhet në vendin tonë?
Puna artizanale është vlerësuar dhe do të vijojë të çmohet vetëm nga një pjesë e njerëzve: ata që vërtet e kuptojnë, fillimisht, sa kohë i kushton një artizan krijimit të tij; sa shumë detaje punohen me përkushtimin dhe kujdesin me të madh; sa special dhe unik është produkti dhe sa dashuri mbart ai.

Shumica e njerëzve zgjedhin të kenë një produkt të fabrikuar në qindra copë, i cili patjetër, është perfekt dhe në dukje me çmim të lirë, sesa të investojnë në biznesin e vogël të një artizani. Kur të ketë një artizan të kamur në Shqipëri, atëherë mund të themi se vërtet kjo punë vlerësohet. Ama, shumica e tyre arrijnë të kenë veç një dyqan, ku më shumë shihet të hyjnë e të dalin turistët e huaj.

Ku e sheh veten pas 5 viteve, në aspektin profesional dhe veçanërisht me sipërmarrjen tënde?
Në të vërtetë, profesioni im është mësuesia. Për momentin jam duke kryer stazhin si mësuese e frengjishtes, punë të cilën gjithashtu e bëj me shumë pasion. Me siguri, pas 5 ose edhe 15 vitesh, do të jem duke u mësuar fëmijëve frengjisht, por kur të rehatohem mbrëmjeve në shtëpi, jam e sigurt se gjithmonë do të gjej kohën të ndot pak duart me bardhësinë e argjilës dhe kur të zgjohem, të kontrolloj a janë tharë punimet pranë dritares. Është e vërtetë! Muajt e fundit nuk është më celulari ai që shoh sapo hap sytë.