Editorial nga Ambra Hysa: Ku e gjejmë lumturinë?

Në një periudhë të tillë, të pazakontë, e gjejmë lumturinë në gjeste të vogla, të cilat ndoshta më parë nuk kishin të njëjtën vlerë si sot. E reja e talentuar, Ambra Hysa, na sjell një reflektim mjaft interesant mbi situatën të cilin po e përjeton çdo ditë.

Ju ftojmë ta lexoni.

Supports text, HTML tags, JS code and video embed code

Sa vlen një përqafim? Asnjëherë më shumë se sot.
Bota ka nevojë të pushojë, e ndiejë në thellësinë e shpirtit nevojën e saj për të ndalur ritmin dhe për të na dhënë leksionet më të çmuara. Vetëm nëse heshtim mund të hapim zemrën dhe të dëgjojmë puhizën e lehtë që na flet. Një vit më parë, me fillimin e pandemisë, jemi përballur me një këndvështrim të ri, me një mënyrë të re jetese dhe ishim aq të vegjël përballë gjithë asaj situate. Viti 2020 na mësoi të dashurojmë ndryshe, por më fort; na mësoi të vallëzojmë ndryshe, por më bukur; të këndojmë në ballkonet tona të vogla, por më pranë njëri-tjetrit, me zemër. Mësuam t’i gëzohemi ekzistencës në thjeshtësinë e saj, duke kujtuar se aty qëndron e bukura e jetës. Njeriu është qenie e lindur për t’u përshtatur dhe jam e sigurt që ne dimë të shohim, të zbulojmë e të krijojmë shpresën në çdo dhimbje dhe diellin në çdo ditë me shi.
Jeta është një dhuratë, jo një premtim. Dashuria dhe kujdesi njerëzor shërojnë botën. Por sa i mrekullueshëm është kontakti njerëzor? Mundësia për të dhuruar dhe për të marrë dashuri është nevojë e thellë ekzistenciale. Nëse kalojnë dite pa u përqafuar me njerëzit e mi të zemrës, nis dhe më dhemb kraharori. Të gjitha dhimbjet shpirtërore kthehen shpejt në fizike, por vetëm atëherë kur trupi na jep sinjale, ne vrapojmë për te doktori. Po dhimbjet e shpirtit, kush na i shëron? Ne mund të vrapojmë pafundësisht pas materies, mund të qëndrojmë edhe të izoluar për disa kohë, por në fund, do të na duhen NJERËZIT, historitë e tyre të vogla, por të mrekullueshme, plagët e tyre që mund të shërohen veç me dashuri njerëzore. Njeriu ka nevojë të thellë për njeriun; njeriu pa njeriun është veçse një humnerë e thellë dhe e zbrazët. Nuk mund të presësh hapin final drejt suksesit për t’u takuar me lumturinë, për të “merituar” më në fund të jesh i lumtur. Lumturia nuk serviret si një kupë apo medalje e artë. Lumturia nuk “meritohet”, ajo thjesht vjen kur krijohet.


Më ndodh shpesh ta takoj lumturinë në situatat më të papritura. Ndoshta jam ulur në kolltukun e rehatshëm të shtëpisë dhe po shoh një film të bukur shoqëruar me pop-corns, lumturia vjen, ulet pranë meje dhe më bën shoqëri. Mund të jem duke vrapuar, duke pirë një kafe me motrën time binjake, mund të lagem në shi gjatë rrugës për në shtëpi duke kënduar nën zë dhe ajo më del përpara sërish.
Lumturinë e takoj mbrëmjeve vonë kur bëj xhiro me makinë duke kënduar këngët e mia të preferuara, kur blej një kapele të re, kur punët shkojnë mirë, kur shkruaj dhe darkoj me familjen time.
Lumturinë e gjej shpesh në rutinë dhe jashtë saj.
Kjo zonjushë është kapriçoze, ajo vjen pikërisht kur nuk e fton, ndërsa kur ke nevojë më shumë se kurrë për të, zhduket…dhe ti duhet ta ndërtosh nga fillimi.