Hap i rëndësishëm për energjinë e rinovueshme: Shqipëria përfiton investimin më të madh energjitik në rajon

Kompania amerikane CWP ka prezantuar një vizion të ri dhe të rëndësishëm në industrinë e energjitikës në vend. Disa ditë më parë, i Ngarkuari me Punë, David Winser dhe zyrtrarë të tjerë të Ambasadës Amerikane në Tiranë u takuan me investitorët e njohur në Shqipëri, për të diskutuar mbi potencialin e jashtëzakonshëm që vendi ynë ka në sektorin energjitik.

 

Supports text, HTML tags, JS code and video embed code

Në diskutim u fol për përfitimet dhe benefitet që synon projekti, investimi i të cilit kap shifrën e 1.2 miliardë eurove. Projekti përkon me përftimin e energjisë nga dielli dhe era dhe garanton qëndrueshmëri në sektorin në fjalë. Gjithashtu, sjell edhe më shumë zhvillim në ekonomi, mjedis dhe siguron mbi 1,500 vende të reja pune.

 

Plot 106 turbina me erë, do të vihen në punë për të marrë vazhdimisht dhe me saktësi shpejtësinë e erës, në sajë të instrumenteve meteorologjike si anemometri. Këto turbina ndodhen në pjesën veriore të vendit, në vende si: Berishë, Luzhë, Tplan, Degë, Pac dhe Viçidol.

 

Projekti i CWP parashikon edhe zhvillimin e fermës së erës Tropojë-Viçidol, ku turbinat e fermës do të lidhen përmes linjave të stacionit dhe një nënstacioni. Njëkohësisht, këto do të lidhen edhe me rrjetin e transmetimit në vend.

 

Panelet diellore PV do të instalohen në grupe në kreshta dhe zonat e afërta, duke u kujdesur për ndikimin e teknologjisë në mjedis. Pozicioni i tyre strategjik do të sigurojë edhe prodhimin maksimal të energjisë, duke mos tejkaluar kapacitetin e prodhimit 190 MW.

 

Kompania ka zhvilluar, financuar dhe finalizuar me sukses të tjera projekte të rëndësishme, duke përfshirë edhe fermat më të mëdha të erës në Serbi dhe Rumani. Me synimin që të përshpejtojë tranzicionin e energjisë në rajon, duke nxitur burimet e rinovueshme, CWP ka si objektiv që të rrisë pavarësinë energjitike të vendit, duke ulur emetimet e gazeve serrë, faktorët kryesorë për ndotjen e mjedisit.

 

Ambasada Amerikane në Tiranë e ka vlerësuar shumë takimin mes kompanisë dhe zyrtarëve të saj, duke e cilësuar si një “takim të shkëlqyer”.