“ThinkTech” krijon ura teknologjike edhe në Prishtinë

Për edicionin e pestë të konferencës së parë teknologjike “ThinkTech”, nuk mund të kishte një titull më të gjetur se “Building Bridges”. Tradita e prezantimit të të rinjve me mundësitë fantastike që teknologjia u ofron, vijon për të pestën herë radhazi, ama surpriza e kësaj radhe ishte se konferenca “ThinkTech” shkoi në Prishtinë, për të takuar të tjerë entuziastë të teknologjisë, të cilët e pritën me shumë dashuri.


Eventi, i organizuar nga Landmark Communications & Technologies dhe me vizionin e z. Erion Isufi, Themeluesi i “ThinkTech,” dhe CEO dhe Themelues i “Landmark”, bëri bashkë personazhë mjaft interesantë dhe të mirënjohur në fushën e teknologjisë.

Supports text, HTML tags, JS code and video embed code

Në event mori pjesë edhe znj. Rozeta Hajdari, Ministre e Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, e cila u shpreh mjaft mirënjohëse që destinacioni i radhës së “ThinkTech” ishte Prishtina. Ajo vendosi theksin mbi mundësitë reale dhe të prekshme që ofron “Landmark” dhe “ThinkTech” për të rinjtë e Kosovës.

Nën drejtimin e jashtëzakonshëm të znj. Aida Sopi, sipërmarrësja e parë grua në fushën e marketingut digjital në Kosovë, folës shqiptarë, nga Shqipëria dhe Kosova, si dhe të huaj ndanë me të ftuarit përvojat e tyre.

Erion Isufi, Themeluesi i “ThinkTech,” dhe CEO dhe Themelues i “Landmark”

Isufi hapi konferencën dhe shprehu mirënjohjen e tij për folësit, të rinjtë, si dhe prezantoi “Landmark Communications & Technologies”, duke treguar se zyrat e reja në Prishtinë dhe Shkup janë gjithmonë të hapura për të mirëpritur shqiptarët e Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut.

Të ndarë në 2 panele, folësit frymëzuan të rinjtë, duke rrëfyer përvojat e tyre dhe mënyrën si teknologjia u ka çelur dyer të reja në botën e sipërmarrjes. Fjalën e mori z. Neil Taylor, Drejtor i “EBRD” në Kosovë, i cili tregoi mbi mënyrën se si liderët ndikojnë në ndërtimin e urave, të cilat më pas krijojnë hapësirën dhe mjedisin e duhur për mësimin dhe rritjen e punonjësve.

Sigurisht, teknologjia ka një impakt të jashtëzakonshëm në globalizëm, në gjetjen e mundësive të reja, si dhe në orientimin e duhur mbi shanset për të investuar në karrierën dhe të ardhmen tonë, ndaj z. Mario Martinelli – CIO i “Sisal”, ndau me publikun disa nga idetë dhe përvojat e tij rreth kësaj tematike.

Uranik Begu, Drejtori Ekzekutiv i “Innovation Center Kosovo”

Më pas, z. Uranik Begu, Drejtori Ekzekutiv i “Innovation Center Kosovo”, na frymëzoi dhe shërbeu si një busull për të na çuar drejt mundësive të reja të së nesërmes.

Carlo Sarugeri, COO i “Moveo”, foli për fuqinë e mendjes njerëzore, duke na treguar se si urat teknologjike dhe njerëzore ndihmojnë në krijimin e organizatave më të forta dhe lidershipeve më të suksesshme.

Mjaft interesant ishte edhe fjalimi i znj. Marina Geymonat, Drejtuese e “Innovation Lab” në “Sisal”. Ajo u shpreh se inovacioni është çelësi i suksesit të një kompanie. Idetë, vizioni dhe guximi për të bërë ndryshimin e diferencojnë një kompani të suksesshme. E dimë impaktin e teknologjisë, por a është e mundur që të ndërtohen ura njerëzore, të cilat kanë superfuqinë që të transformojnë strategjitë digjtale? Kësaj pyetjeje iu përgjigj znj. Geymonat, duke theksuar edhe rëndësinë e punonjësve dhe njerëzve guximtarë.

Por, asgjë nuk do të merrte formë pa edukimin e duhur. Si ndikon teknologjia dhe inovacioni në mësimdhënie? Këtë tematikë e saktësoi z. Aldo de Pape, Themelues & CEO i “TeachPitch”.

Urat teknologjike cekin edhe sektorin bankar, falë inovacionit dhe financave “të gjelbra”. Për këtë, mbajti një fjalim edhe z. Besar Pllana, Drejtues i Departamentit të Klientëve Privatë Business, në ProCredit Bank, Kosovë.


“ThinkTech” do të vijojë rrugëtimin e tij përtej kufijve të Shqipërisë dhe radhën tjetër, do të ndërtojë një urë teknologjike edhe në Shkup. Pavarësisht se destinacioni dhe folësit ndryshojnë, synimi i “ThinkTech” mbetet i njëjtë: Të rinjtë duhet të njihen me mundësitë që teknologjia u ofron, të zhvillojnë vizionet e tyre dhe të kontribuojnë në trevat shqiptare.

Edicionin e pestë të “ThinkTech” mund ta gjeni në link-un e mëposhtëm: