Mes muzikës dhe filmit

Rrëfimi i artistes Gjilberta Lucaj  që ka bashkëpunuar me yjet e muzikës botërore nga Jay Z tek Alicia Keys. Por, në fillim të 2016-ës, do e shohim si aktore, në një rol protagonist, në filmin thriller “The Kind Ones”. Nga muzika klasike, tek filmi, afirmimi artistik në New York, projektet e reja të artistes shkodrane, e cila së fundmi ka performuar përpara zv/presidentit të SHBA-ve, Joe Biden.
 Rrugëtimi për në vendin e mundësive të mëdha, nisi si një dëshirë për t’u afirmuar përtej Shqipërisë, aty ku vitet dhe përpjekjet e vazhdueshme, i provuan se nëse e do diçka, mund ta arrish doemos. Gjilberta Lucaj, është në sërën e artisteve shqiptare të suksesshme, që kanë bërë emër kudo nëpër botë, falë profesionalizmit dhe angazhimit në koncerte dhe performanca publike. Por, të qenit instrumentiste në zhanrin e violinçelës, e ka bërë atë një artiste të kërkuar, e cila njihet sot për shumë bashkëpunime prestigjioze. E para shqiptare që ka interpretuar në mënyrë virtuoze në skenën e Carnegie Hall, aty ku shumë artistë e kanë ëndërr të shkelin qoftë edhe njëherë për të lënë aty gjurmën e tyre të suksesit. Gjilberta e provoi më së miri këtë ndjesi, duke bërë që shumë media dhe artistë të huaj të flisnin për të. Por, do të ishte sakaq një ftesë e papritur për të realizuar kolonën zanore të një filmi, që ajo krejt befasisht të katapultohej në botën e kinemasë, me një rol kryesor që po e bën atë të njohur edhe në fushën e filmit. Një artiste me spektër të gjerë veprimi, që surprizon me të tjera projekte interesante, mes tyre një koncert në Shqipëri…