Ku ndodheni tani dhe me çfarë po merreni?
Aktualisht ndodhem në Tiranë, në qytetin me të cilin kam një lidhje jo vetëm shpirtërore, por edhe pune. Këto kohë më shumë se asnjëherë, jam e fokusuar tek aspekti im profesional, tek projektet e mia në muzikë.
Cili është vendimi më i mirë që keni marrë ndonjëherë?
Nëse për një moment do të më duhet të reflektoj lidhur me vendimet që kam marrë në jetën time, do të thosha se çdo njeri prej tyre ka anët e tij negative dhe pozitive, por nëse më duhet të zgjedh njërin prej tyre do të zgjidhja padyshim vendimin për të ndjekur pasionin e zemrës sime, muzikën.
Kur e ndieni veten më të lumtur?
Për mua koncepti i lumturisë është abstrakt, por nëse do ta njohësh atë duhet të fillosh ta kërkosh në gjërat më të thjeshta, më konkrete. Më të lumtur veten e ndiej çdo mëngjes kur hap sytë e kuptoj se më është dhuruar edhe një ditë më shumë për të realizuar vetveten.
Kur e ndjeni veten të trishtuar?
Realiteti në të cilin jetojmë, na jep çdo ditë arsye për t’u trishtuar. Duke qenë një natyrë e ndjeshme, kryesisht për atë që ndodh jashtë meje trishtohem çdo herë kur takoj në ditët e mia fëmijë në pamundësi për t’u rritur në kushte që meritojnë…
Çfarë nuk do, kishit hedhur kurrë poshtë?
Sado të përpiqemi, askush prej nesh nuk mund të hedh poshtë atë prej nga vjen, prejardhjen e tij, familjen.
Kë doni më shumë?
Nëse më duhet të flas për prioritet që lidhet me zemrën, në vend të parë do të vendosja shtëpinë time, me të gjithë ato që e përbëjnë atë, qofshin anëtarët e saj apo sendet që kanë një vlerë shpirtërore për mua.
Cila është ajo gjë për të cilën do të thoshit: “Nuk do ta bëj kurrë!”?
Nuk më pëlqen të flas me terma absolute, jam në radhën e atyre njerëzve që mbrojnë tezën “kurrë mos thuaj kurrë”. Askush nuk e njeh veten në atë pikë sa të siguroj çdo gjë. Megjithatë për aq sa e njoh veten nuk do të kisha mohuar asnjëherë prejardhjen time, vendin prej nga vij.
Cili është mëkati më i madh për ju?
Në gjykimin tim mëkati është koncept shumë subjektiv edhe pse ekziston një kuptim më i gjerë shoqëror. Në këtë këndvështrim mëkati më i madh është ai i cili rëndon më thellë në ndërgjegjen e atij që mendon se e ka kryer.
Cila është blerja juaj e fundit?
Kjo është një pjesë për të cilën mund të flas gjatë pa u lodhur! Blerja ime e fundit janë një palë atlete.
Cili është qëllimi i jetës?
Ende nuk mund ta them me siguri se cili është qëllimi më i madh ndër të tjerët, për sa kohë nuk i kam kaluar të gjithë stadet e jetës. Por, duke iu referuar stadit në të cilin ndodhem, ajo çfarë kam kuptuar është se çdo ditë përpiqem të punoj fort për të realizuar ëndrrat e mia.