Studente e Stomatologjisë në Kopenhagen
E hënë
Mishërim i plotë i elegancës dhe stilit! Veshja e fillim javës për këtë vajzë që është një nga fashion bloggeret më të njohura në rrjetet sociale, është vërtet frymëzim për shumë vajza të reja. Pantallonat e zeza, të kombinuara me këmishën e bardhë që zbulon supet në një formë sensuale, është gjetje moderne. Ndërsa, xhaketa Balmain me motive të arta, rruaza dhe temina të qëndisura në mënyrë artizanale është kryefjala e stilit për këtë sezon.
E martë
Kombinimi i nuancës së bardhë me të zezën duket se është stili i preferuar për Iliridën. Fundi i lëkurës në version pencil skirt, nxjerr në pah linjat e saj trupore, ndërsa këmisha me prerje të veçantë, me mëngë të gjëra, dhe një element të artë rrotull qafës, janë veshja e duhur për një look plot stil. Aksesorët janë pjesë e pandarë e përditshmërisë së saj, si në rastin e çantës së zezë, apo unazave që i shtojnë hijeshinë në tërësi të gjithë veshjes.
E mërkurë
Nuancat pastel janë dominuese në këtë stil veshje. Këmisha e mëndafshit në ngjyrë rozë, është një must në trendet e këtij sezoni, ndaj duhet ta bëni pjesë të gardërrobës suaj. Gjithashtu, fundi i lëkurës në nuancë monokromatike është zgjedhje e preferuar për të. Sandalet në model gladiatori dhe varësja e madhe e argjendit, janë “qershia” mbi tortë.
E enjte
Sport dhe chic style! Pantallonat e shkurtra xhins, të veshura me atlete të bardha, janë ideale për look-un e Iliridës. Pulovra në ngjyrë gri dhe pardesyja në ngjyrë bezhë e plotësojnë më së miri stilin e veshjes së saj për ditën e enjte. Stil ky që është një nga të preferuarit e vajzës simpatike.
E premte
Është afërmendsh që prag fundjava kërkon një stil më të shpenguar, më të lirshëm për t’u ndjerë mirë me veten dhe me ambientet që frekuenton. Ilirida si një ikonë stili, me ndjekës në mbarë botën, është vërtet frymëzuese në çdo detaj që shpalos në veshjet e saj. Pantallonat e xhinsit, dhe këmisha e bardhë me detaje vijash të zeza në të, dhe një “choker” si aksesor për qafën, janë gjetje IN.