Për të realizuar një mbrëmje romantike duhet vetëm fare pak imagjinatë!
Për ta nisur mbarë të hënën, ne ju propozojmë ta nisni me një koktejl të shijshëm dhe më pas të kaloni tek një darkë e lehtë, e gatuar vetë. Por le të ndalemi tek koktejlet, të cilat duhet të kenë një bazë shampanje dhe sigurisht ngjyra e kuqe duhet të dominojë.
QERSHIA E KUQE
Ky koktejl është shumë i bukur, ka një ngjyrë ftuese dhe “erotike”, por mbi të gjitha një shije të jashtëzakonshme. Një koktejl i ëmbël, që sekretin e ka tek qershitë, e dimë që do të hasni vështirësi në gjetjen e tyre, por njeriu ç’nuk bën për dashurinë!
Receta
Hidhni 200 gram qershi në një blender, grijini derisa të arrini një lëng të shkrifët.
Shtoni në një gotë koktejli 2 lugë sheqer, 1 kupë brandy, 1 gotë shampanjë e në fund akull dhe qershitë e grira.
LULESHTRYDHJA BELLINI
Siç ju thamë edhe pak më lart, është shumë e rëndësishme që koktejlet të jenë me bazë shampanje sepse do të serviren përpara një darke të lehtë dhe të shëndetshme.
Luleshtrydhja Bellini, është një koktejl klasik i një darke romantike. Në bazë të saj janë luleshtrydhet të cilat grihen në blender dhe kalohen në një sitë koktejli për të eleminuar të gjitha farat e tyre.
Në një gotë mikser hidhni akullin, më pas një lugë me sheqer fruktoze dhe një masë teke brandy, përziejini mirë të gjitha së bashku. Futeni të ftohet për 10 minuta, duke mos harruar edhe 2 gota shampanjë. Nxirreni nga frigoriferi, hidheni në gota dhe në fund shtoni shampanjë.
AFRODISIAK NË TAVOLINË
GOCË DETI G-FELLER
Për salcën
Në një tigan gjysmë të nxehur shkrini pak gjalpë pa kripë, shtoni dy thelpinj hudhër dhe skuqini derisa të marrin ngjyrë për rreth 1 minutë. Shtoni kremin e qumështit dhe më pas uleni temperaturën e flakës në minimum. Vazhdoni ta gatuani kremin derisa të arrijë një konsistencë të dukshme. Shtoni djathë parmigiano, arrë moskat, kripë dhe piper, dhe mbajini në flakë derisa djathi të shkrihet, por bëni kujdes që kremi të mos ziejë dhe hiqeni nga zjarri.
Për gocën e detit
Pëgatisni furrën në 230° C, ndërkohë ngrohni në një tigan në nxehtësi mesatare pançetën deri sa të skuqet mirë. Në një tavë të thellë shtroni një shtrat me kripë dhe vendosni gocën me kurriz nga kripa duke u siguruar që të mos lëvizin, për çdo gocë deti shtoni nga një lugë të salcës së parapërgatitur. Shtojini gjithashtu pancetën, parmigiana-n, kripën dhe piperin. Lërini në furrë për 10 minuta.
DARDHË MERLOT
Në një enë të madhe hidhni sheqerin, vaniljen dhe kanellën, vendoseni enën në flakë të mesme dhe sigurohuni që sheqeri të shkrijë i gjithi. Pas kësaj, vendosni dardhët në po të njëjtën enë dhe mbulojini ato me verë Merlot, jo shumë të thatë. Nëse dardhët janë shumë të pjekura, ato do të jenë gati për 20 minuta.